Kosova e pavarur, realitet që duhet të njihet nga të gjithë
Kosova e pavarur dhe evropiane, janë në interes jo vetëm të qytetarëve të Kosovës pa asnjë dallim etnik, por janë në interes edhe të të gjithë fqinjëve të Kosovës. Ky realitet është mirë të njihet nga të gjithë, sepse çdo qëndrim tjetër nuk i shërben momentit të ri përshpejtues të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE - u tha pas takimit që kryeministri Hashim Thaçi zhvilloi me zv/kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, që mban edhe postin e ministrit të Jashtëm të këtij vendi, Ilir Meta.Kryeministri Thaçi theksoi ndër të tjera se, është mjaft inkurajues kjo perspektivë e dy vendeve tona, perspektiva euroatlantike, për Kosovën si pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian në të ardhmen e afërt dhe perspektiva e integrimit në Bashkimin Evropian të Shqipërisë.
Thaçi po ashtu tha se Kosova ka ndërtuar raporte të shkëlqyeshme me të gjitha vendet e rajonit, ndërsa theksoi se, kemi vullnet të mirë që të ndërtojmë raporte të mira ndërshtetërore edhe me Serbinë. “Ndërsa, do të vazhdojmë me gjithë përgjegjësinë shtetërore që bashkëpunimi mes dy qeverive tona të thellohet edhe më tepër dhe marrëveshjet të cilat i kemi nënshkruar së bashku me kryeministrin Berisha, të vazhdojnë të implementohen në të gjithë sektorët”, u shpreh ai.
Gjithashtu, Thaçi ka falënderuar Metën për angazhimet e tij në të gjitha takimet ndërkombëtare për çështjen e Kosovës, në veçanti të njohjeve të reja që kanë ardhur dhe - siç u shpreh ai – “që do të vijnë në të ardhmen”.
Ndërkaq, zv/kryeministri Meta tha se gjatë kësaj periudhe të fundit anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, është një ngjarje tepër premtuese, në mënyrë që Kosova shumë shpejt të arrijë edhe progresin e dëshiruar ekonomik dhe social dhe njëkohësisht edhe zhvillimet e tjera.
“Do të vlerësoja në mënyrë të veçantë kurajën dhe vizionin e Qeverisë së Kosovës për të zgjidhur çështjen e kufirit me Maqedoninë, e cila solli edhe njohjen diplomatike. Kjo tregon se Kosova ka idenë e qartë për fqinjësi të mirë, që në themelet e veta ka integrimin evropian edhe të Kosovës dhe gjithë rajonit tonë”, tha ai.
Meta po ashtu ka vlerësua standardet e arritura në zgjedhjet e fundit në Kosovë, ndërsa shprehu përkrahjen e plotë për Qeverinë e Kosovës, për përpjekjet e saj për ta integruar sa më mirë minoritetin serb dhe të gjitha grupet e tjera në vend.
“Njëkohësisht shpreh edhe angazhimet e Qeverisë shqiptare për të ndihmuar edhe ne nga ana jonë për të kontribuuar në plotësimin e disa shërbimeve të komunitetit serb me iniciativa konkrete. Kosova e pavarur dhe Kosova evropiane, janë interes jo vetëm të qytetarëve të Kosovës pa asnjë dallim etnik, por janë në interes edhe të të gjithë fqinjëve të Kosovës. Ky realitet është mirë të njihet nga të gjithë, sepse çdo qëndrim tjetër nuk i shërben atij momenti të ri përshpejtues të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, tha Meta. /Telegrafi/
Postuar: 17:00 / 25.11.2009 |
RSS