| |
|
DV: Parregullsi në 126 vendvotime
Bazuar në të gjeturat e mbledhura nga vëzhguesit e “Demokracisë në Veprim”, zgjedhjet e 15 nëntorit kanë përmbushur shumicën e standardeve universale të zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të barabarta – mirëpo ky koalicion i organizatave joqeveritare ka konstatuar në një raport se, dita e zgjedhjeve në Kosovë u karakterizua me një varg shkeljesh, ku sipas të dhënave që posedohen, kryesisht kanë qenë të natyrës së njëjtë në shumicën e vendvotimeve, përveç disa qendrave ku shkeljet ishin më të rënda. Sipas të dhënave të mbledhura nga “Demokracia në Veprim” parregullsi gjatë ditës së zgjedhjeve ka pasur në 126 vendvotime ose në 5.6% të totalit të vendvotimeve.
Në disa vendvotime - siç thuhet në raportin e Demokracisë në Veprim, që është prezantuar të enjten - nuk janë kontrolluar dokumentet identifikuese, pastaj ka pasur mungesë të materialit në vendvotime duke krijuar mundësi për manipulime.
Mjaft i pranishëm, sipas raportit, ka qenë edhe votimi familjar, kur dy e më shumë persona futen në kabinën e votimit duke ndikuar njëri tjetrin, pastaj edhe asistenca e shumëfishtë që ofronin personat e njëjtë brenda pikave të votimit.
Ndër shkeljet më të mëdha - sipas Demokracisë në Veprim - ishin edhe parregullsitë nga ana e komisionarëve të cilët ndërhynë në votat me kusht, pastaj votuan më shumë se një herë, nënshkruanin në emër të personave në mënyrë që të barazoheshin fletëvotimet me nënshkrimet në lista si dhe shpesh zëvendësoheshin nga vëzhguesit partiak në punët teknike.
Ndërkaq, sa i përket punës së KQZ-së, Demokracia në Veprim konstaton se, pavarësisht vonesave ne përzgjedhjen e stafit dhe funksionalizimit te KQZ-së, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i përgatiti dhe i administroi zgjedhjet me profesionalizëm dhe paanshmëri politike ne përputhshmëri me shumicën nga standardet universale për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve.
Ndër mangësitë kryesore të cilën e kanë përcjellë punën e KQZ-së gjatë përgatitje zgjedhore kanë qenë vonesa e informimit të qytetarëve në lidhje me ndërrimin e vendvotimit, vonesat në edukimin e qytetarëve për të votuar, trajnimi jo adekuat i komisionarëve zgjedhor si dhe vonesat në përgatitjet për funksionalizimin e Qendrës së Numërimit të Rezultateve (QNR).
Të gjitha këto mangësi, sipas DV, kanë reflektuar gjatë ditës së zgjedhjeve dhe pastaj në dhënien e rezultateve përfundimtare për raundin e parë të zgjedhjeve.
Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP), si organ i përhershëm dhe i pavarur – sipas Demokracisë në Veprim, ka pasur vështirësi të shumta në funksionalizimin e vetë. Si rezultat i mos-alokimit me kohë i buxhetit për këtë institucion, KZAP është ballafaquar me një mori vështirësish që kanë shkaktuar probleme në funksionalizimin e tij, duke filluar që nga mungesa e stafit administrativ e deri tek mungesa e hapësirës së nevojshme për të ushtruar funksionet dhe detyrat e veta në mënyrë të duhur.
Të gjitha këto mangësi të cilat e kanë përcjellë punën e KZAP-it, kanë reflektuar në zvarritje të marrjes së vendimeve për ankesat e parashtruara tek ky institucion e sidomos për ankesat që kanë të bëjnë me ditën e votimit, e që drejtpërsëdrejti po ndikon në shpalljen e rezultateve finale nga ana e KQZ-së, thuhet në raport.
“Konsiderojmë të domosdoshme vendimet e KZAP-it për anulimin e rezultateve të zgjedhjeve në të gjitha ato vendvotime ku janë gjetur parregullsi ose manipulime te votës, por vlerësojmë se pamundësia për tu përsëritur zgjedhjet ne këto vendvotime është shkelje e te drejtës fundamentale te qytetareve”, theksohet në raport.
Koalicioni Demokracia në Veprim është themeluar në vitin 2007 nga 11 organizata joqeveritare kosovare, shumica prej të cilave kishin përvojë të mëhershme në monitorimin e zgjedhjeve. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2009, Demokracia në Veprim ka pasur të angazhuar 10 koordinatorë rajonal dhe 65 vëzhgues afatgjatë të cilët kanë monitoruar fushatën parazgjedhore të partive politike.
Në ditën e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” ka pasur të angazhuar nga një vëzhgues në çdo vendvotim, sikurse ka pasur të angazhuar edhe rreth 150 vëzhgues mobil anembanë Kosovës. /Telegrafi/
Postuar: 12:26 / 26.11.2009 | RSS |
|
|
 |
|
Nexhmedin Saqipi, Bujanoc |
|
|