Dy javë të qeta në Mitrovicë
Përfaqësuesit e strukturave politike dhe të atyre të sigurisë vlerësuan të hënën në takimin e rregullt të Komitetit për Siguri që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës, se gjendja e sigurisë gjatë dy javëve të fundit ka qenë kryesisht e qetë.Kryetari i komunës, Bajram Rexhepi, tha se gjatë kësaj periudhe kohore, nuk ka pasur incidente të natyrës së rëndë që do të ndikonin ne gjendjen e përgjithshme të sigurisë.
Ai theksoi se përditë e më shumë po vërehen shenja të normalizimit të situatës edhe në veri, ku strukturat e sigurisë vendore dhe ndërkombëtare janë duke bërë një punë të mirë.
Rexhepi, shprehu nevojën për forcimin e masave të mëtejme në mënyrë që edhe në veri të vendoset rendi dhe ligji.
Në anën tjetër, edhe përfaqësuesit e strukturave të sigurisë që ishin në takim raportuan për gjendje të qetë. Komandanti i stacionit të policisë në jug, kap. Bashkim Spahiu, tha se pos disa incidenteve minore dhe një tentimvrasje nuk ka pasur ndonjë rast që vlen të ceket.
Po ashtu edhe përfaqësuesit e KFOR-it, theksuan se gjendja është e qetë dhe nuk ka asnjë tendencë për përkeqësim.
Në këtë takim u fol edhe për fushatën elektorale që pritet të mbahet për balotazh në Mitrovicë. Kryetari Rexhepi, shprehu shpresën se gjithçka do të shkoj mirë dhe pa probleme ashtu siç ishte në raundin e parë. /Telegrafi/
Postuar: 12:42 / 30.11.2009 |
RSS