Hamiti: Pavarësia e Kosovës tani pranohet si fakt
Radioja britanike BBC 4 ka emetuar të hënën në mrbrëmje në emisionin qendror "The Rorld Tonight" një intervistë me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Londër, dr. Muhamet Hamiti, në vigjilje të fillimit të procesit për Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.Kosova ka qenë njëra nga tetë njësitë e Jugosllavisë federale, e cila u rrënua me gjak kur Millosheviqi dhe pinjollët e tij udhëhoqën projektin për Serbinë e Madhe, kujtoi ambasador Hamiti.
Pyetjes së BBC-së se a do të kthehej Kosova në bisedime me Serbinë në rast se nuk ka vendim të qartë të Gjykatës, ambasadori Hamiti u përgjigj: "Status i Kosovës është zgjidhur. Procesi për përcaktim të statusit të Kosovës, nën drejtimin e OKB së, ka mbaruar në fund të vitit 2007, pas dy vjetësh bisedime, me pakon për pavarësinë e mbikëqyrur fillimisht, të cilën e kemi tani".
Ambasador i Kosovës ka theksuar se tranzicioni i Kosovës në pavarësi ka qenë kryesisht pa telashe. "Kosova dhe gjithë rajoni po përjetojnë paqe më në fund, pas 20 vjetësh luftërash e trazimesh shkaktuar nga Serbia", është shprehur Hamiti.
Ndërkaq i pyetur sërish për mundësinë e kthimit të Kosovës në biseda me Serbinë, ambasadori Hamiti hedh poshtë një gjë të tillë, duke thënë se "procesi ndërkombëtar për përcaktim të statusit ka mbaruar, me pjesëmarrje të Kosovës, të Serbisë, dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Pavarësia e Kosovës pranohet gjerësisht si fakt tani".
Në emisionin e BBC ka folur edhe ambasadori i Serbisë në Londër, dr. Dejan Popoviq, i cili ka mbajtur qëndrimin se argumentet juridike janë në anën e Serbisë dhe se pret që pas mendimit këshillëdhënës, të favorshëm për Serbinë, sipas tij, Kosova të mund të kthehet në bisedime me Serbinë! /QIK/
Postuar: 15:43 / 1.12.2009 |
RSS