Sejdiu dhe Thaçi presin njohje të reja të Kosovës
Argumentet e paraqitura në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë pro legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, janë të bazuara në vullnetin politik të qytetarëve të saj, thanë drejtuesit me të lartë shtetëror. Presidenti Fatmir Sejdiu u shpreh optimist se pas përfundimit të këtij procesi në Hagë do të ketë njohje të reja të Kosovës. “Ju e dini që ka qenë një numër i madh, dhe se janë deklaruar edhe ato publikisht që do të presin një veprim eventual të gjykatës dhe gjykata besoj që nuk mund të ketë qasje tjetër, pos qasjes të respektimit të mllefit, real, që një populli të jetojë i lirë, të jetoj i pavarur dhe të jetë sikurse që është një realitet pozitiv i ndërtuar në palën e familjes në vende të lira”, tha Sejdiu.
Edhe kryeministri Hashim Thaçi vlerësoi se Kosova në GJND ka treguar mënyrë të përgjegjshme shtetërore, si për të kaluarën ashtu dhe për të ardhmen. Thaçi tha se nga ky proces pret respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës.
“Natyrisht pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtarë presim njohje të reja, presim hapje të perspektivës për integrime. Nga gjykata Kosova pret respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës për shtet dhe vendimin legjitim, e legal, e të drejtë nga përfaqësuesit të zgjedhur të popullit, kur u shall Kosova shtet i pavarur, sovran, demokratik më datën 17 shkurt të viti 2008”, tha kryeministri Hashim Thaçi.
Edhe drejtues të partive politike në vend kanë vlerësuar lart prezantimin e fakteve pro pavarësisë së Kosovës. /rtv21/telegrafi/
Postuar: 17:55 / 2.12.2009 |
RSS