Veprat kriminale të pasluftës të hetohen thellësisht
Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, ku ndër të tjera përsërisin përkushtimin dhe angazhimin e tyre për funksionimin sa më të efektshëm të shtetit ligjor.Duke përcjellë me vëmendje zhvillimet e fundit politike, të sigurisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë, presidenti dhe kryeministri i Republikës theksojnë: “Përsërisim përkushtimin dhe angazhimin tonë për funksionimin sa më të efektshëm të shtetit ligjor. Suksesi ynë drejt zhvillimit dhe integrimeve është thellë i kushtëzuar me sundimin e ligjit dhe krijimin e perspektivës për secilin qytetar të Republikës së Kosovës”.
Institucionet vendëse të drejtësisë dhe EULEX-i, në kuadër të përgjegjësive që kanë, theksohet më tej në deklaratë, “do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar se të gjitha veprat kriminale të periudhës së pasluftës të hetohen thellësisht dhe të pandikuara nga politika”.
“Kërkojmë distancimin e plotë të politikës nga gjyqësia dhe transparencë të nevojshme të mbështetur në ligj. Çdo veprim jashtë institucional është i papranueshëm për institucionet e Republikës”, thuhet në deklaratë.
“Edhe këtë herë, ftojmë të gjithë qytetarët e vendit që të ruajnë qetësinë dhe të kontribuojnë në stabilitetin e vendit, duke besuar dhe mbështetur institucionet e drejtësisë në punën e tyre”, përfundon deklarata e presidentit Sejdiu dhe e kryeministrit Thaçi. /Telegrafi/
Postuar: 16:58 / 3.12.2009 |
RSS