Mustafa: Fitorja e PDK-së është e padiskutueshme
Partia Demokratike e Kosovës në Gjilan dhe partnerët e saj të koalicionit, Aleanca Kosova e Re, Partia Reformiste ORA dhe Partia Social Demokrate, të shtunën kanë hapur fushatën për balotazh të bindur se fitorja e tyre është e sigurt dhe se ajo do të arrihet lehtë. Izmi Zeka, kryetar i degës së PDK-së, ka thënë se në këtë fushatë po hyjnë me një agjendë që është bukur dinamike, për më se një javë ditë, dhe se pa ndonjë problem pritet fitorja e PDK-së bashkë me partnerët e saj.
Kandidati i përbashkët i këtij koalicioni, Qemajl Mustafa, ka thënë se fitorja e PDK-së është e padiskutueshme dhe ajo bashkë me partnerët e saj do të qeverisë, por pa qenë përjashtues edhe ndaj atyre që do të mbesin në opozitë.
Mustafa tha se PDK si shumicë është parti fituese dhe do të bartë rolin kryesore në qeverisje, por do të ketë shkrirje të koncepteve me partnerët e saj, derisa janë të hapur edhe për kontributin e opozitës.
“Komuna ka nevojë shumë për investime dhe përveç prioriteteve si arsimi, infrastruktura, ambienti, rinia dhe aspekte tjera, ne do të merremi me ndërtimin e parakushteve për zhvillim ekonomik, për investime dhe për hapje të vendeve të reja të punës”, ka thënë Mustafa.
Sa i përket partnerëve të koalicionit, Mustafa tha se do të krijohet një qeveri stabile që do të angazhohet në respektim të ligjit, në nxjerrjen e vlerave në pah, në prurjen e më të mirëve në qeverisje dhe në të qenit tolerantë. /rtv21/
Postuar: 15:28 / 5.12.2009 |
RSS