Spahiu: Programi i AKR-së, oferta e vetme serioze për Mitrovicën
Në ditën e dytë të fushatës zgjedhore për balotazh, AKR zhvilloi tubime elektorale në Komunën e Mitrovicës. Shtabi Zgjedhor i AKR-së më seli ne Mitrovicë organizoi tubime me qytetarë në fshatrat Bajgorë, Zhabar dhe Kçiq i Madh. Kandidati për kryetar të Mitrovicës nga AKR, Nexhmedin Spahiu me këtë rast bashkëbisedoi me qytetarët dhe shkëputi pjesë nga programi i AKR-së për zhvillimin e këtyre lokaliteteve.
Spahiu tha se programi i tij për zhvillimin e Mitrovicës, është oferta e vetme serioze që adreson qartë zgjidhjen e papunësisë dhe të ngritjes ekonomike. Ai e quajti program të ndryshimeve, ndërkaq programin e rivalit të tij e quajti, “program të vazhdimit të gjendjes së rëndë që po kalon komuna e Mitrovicës”.
Edhe nënkryetari i AKR-së dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ibrahim Gashi, duke folur për programin e zhvillimit ekonomik të AKR-së tha se Mitrovica e udhëhequr nga AKR-ja do të jete një shembull i qeverisjes ndryshe, që do të ofrojë punësim dhe infrastrukturë të regjionit të Shalës dhe në tërësi të Mitrovicës.
“Veten e shohim si alternativë dhe zgjidhje të vërtetë dhe të vetme. Jemi këtu dhe do të jemi derisa këtë ta kuptojë qytetari. Sa më parë që ta kuptojë aq më të shkurtra do të jene vuajtjet dhe agonia e tij“, tha ai. /Telegrafi/
Postuar: 16:51 / 6.12.2009 |
RSS