Haradinaj kërkoi votën e elektoratit të djathtë për Çakën
AAK-ja në Kaçanik e ka hapur fushatën për balotazhin e 13 dhjetorit në këtë komunë, të dielën pasdite, ndërsa kandidati për kryetar komune i kësaj partie, Tahir Çaka i ka bërë ftesë elektoratit të spektrit të djathtë dhe të gjithë votuesve kaçanikas për ta mbështetur me votë kandidaturën e tij. Ai nuk ka ngurruar që rivalin e tij nga PDK-ja, Xhabir Zharkun ta cilësojë njeri i cili që nga përfundimi i luftës në Kosovë ka vepruar kundër ligjit për përfitime materiale.
Qeverisja në Kaçanik është cilësuar e keqe edhe nga kreu i AAK-së Ramush Haradinaj. "Në të gjitha meset ku është biseduar për qeverisjen komunale në Kosovë, Kaçaniku është marrë shembull për të keq", ka thënë ai.
Edhe Haradinaj e ka ftuar elektoratin e djathtë për ta votuar Çakën, ndërsa është shprehur se fitorja e tij do ta kthejë në binarë të duhur qeverisjen në Komunën e Kaçanikut. Sipas tij, ndryshimet në qeverisje duhet të bëhen edhe në nivel vendi.
"Ne ofrojmë opsion qeverisës që e zhvillon vendin, që e rrit vlerën e vendit dhe e aftëson atë për anëtarësim të shpejtë në BE dhe në NATO", është shprehur ai.
Haradinaj edhe në Kaçanik ka deklaruar se qeverisja Thaçi ka dalë prej binarëve. /Koha/
Postuar: 17:29 / 6.12.2009 |
RSS