Pacolli: Qeveria duhet të ndryshojë pasqyrën e Kosovës
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka pritur të premten në një takim, drejtorin e Grupit Ndërkombëtar Krizave për Ballkanin Marko Prelec. Pacolli ka informuar atë, me gjendjen dhe të arriturat e Kosovës viteve të fundit. Pacolli, siç thuhet në një komunikatë të kësaj partie, i ka thënë Prelecit se Kosova ka qenë dinamike dhe se Qeveria duhet të jetë në shërbim të qytetarëve për të qenë e suksesshme.
Pacolli ka thënë se sa i përket standardit jetësor të qytetarëve nuk është bërë asgjë. “Qëllimi i pushtetarëve duket se është qëndrimi i tyre individual nëpër pozita, ndërsa askush nuk mërzitet për qytetarët”, ka thënë ai.
Pacolli tha se askush nuk mund të thotë se i kanë realizuar premtimet, ndërkohë që ata paguhen që të jenë në shërbim të qytetarëve. “Fatkeqësisht Kosova ka reputacion të keq ekonomikisht dhe qeveria duhet të ndryshojë pasqyrën e Kosovës”, tha ai.
Ndërsa, Prelec është interesuar për zhvillimin ekonomik, duke thënë se ka njerëz që thonë se Kosova nuk ka të ardhme ekonomike, mirëpo, Pacolli i ka thënë atij se Kosova ka pasur shumë fabrika por që lufta i ka shkatërruar dhe ka përfunduar çdo gjë.
“Unë kam themeluar një fondacion ku i ndihmoj njerëzit, ndërsa qeveria nuk ka qenë në gjendje të kthejë fabrikat në gjendjen e mëparshme”. Pacolli tha se qeveria e ka bërë të kundërtën duke i larguar njerëzit nga puna dhe kështu është theluar papunësia në vend.
Ai tha se Kosova ka një burokraci të madhe. “Ne i kemi 17 ministri, këtu do të duhej të ekzistonin disa departamente dhe të reduktoheshin pak shpenzimet e pushtetarëve nga xhepat e tatimpaguesve”.
Pacolli e ka njoftuar edhe me zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, duke i thënë se nuk janë të kënaqur për shkak se kanë qenë të dëmtuar duke i keqpërdorure votat e qytetarëve e posaçërisht në qytetin e Gjakovës.
Pacolli tha se kriza dhe destabilizimi i situatës mund të ndodh si pasojë e situatës së rëndë ekonomike. Ai tha se zhvillimi ekonomik nuk bëhet me korrupsion. /Telegrafi/
Postuar: 16:08 / 11.12.2009 |
RSS