IKSHP: Produktet nga Serbia nuk i përgjigjen deklaracionit
Në bazë të kërkesës së Inspektoratit Sanitar të Republikës së Kosovës, në laboratorët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHP), janë analizuar 51 mostra të lëngjeve të këtyre prodhuesve nga Serbia: “Verde”, “Takovo” dhe “Nectar”.Sipas rezultateve të mostrave të analizuara, 12 nga 51 mostrat e analizuara, nuk i përgjigjen deklaracionit në parametrin – përbërja frutore.
Prej tyre 11 mostra janë të prodhuesit “Verde” prej të cilave 4 mostra nuk i përgjigjen deklaracionit, nga prodhuesi “Nektar” janë analizuar 25 mostra nga të cilat 4 mostra nuk i përgjigjen deklaracionit, derisa 15 mostra janë të prodhuesit “Takovo” prej të cilave 4 mostra nuk i përgjigjen deklaracionit.
Pas kryerjes së analizës së mostrave, Inspektorati Sanitar u kërkon subjekteve afariste që të heqin nga tregu prodhimet të cilat nuk u përgjigjen deklaracionit dhe do ta bëjë inspektimin e zbatimit të kësaj kërkese, ndërkohë që produktet, të cilat u përgjigjen deklaracionit, do të kenë të drejtë të jenë në treg, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Ditë më parë edhe zyrtarë të Aleancës Kosovare të Biznesit, kanë kërkuar që produktet e importuara nga Serbia, të hiqen nga shitja në Kosovë. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini ka thënë se këto produkte janë tërhequr edhe nga tregu serb, ngase e rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.
Shahini, tha se mbi 30 për qind e këtyre produkteve në Serbi janë jashtë përdorimit. Ai kërkoi nga Ministria e Tregtisë dhe Doganat që të bllokojnë hyrjen e këtyre produkteve në Kosovë. Sipas tij, edhe Agjencia e veterinës dhe Ushqimit duhet të shtojë masat e kontrollit. /Telegrafi/
Postuar: 14:34 / 31.12.2009 |
RSS