Te serbët ekziston sindroma e të qenit kryesor
Politikania serbe Rada Trajkovic thotë se pajtimi ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve është i mundur, porse elitat politike shqiptare dhe serbe po i izolojnë të dy popujt.“Unë di ta them një gjë shumë të rëndë dhe mund të ketë shumë të tillë që më akuzojnë. Më duket se edhe ne nuk kemi perceptim të qartë se çka nënkupton demokracia. Jemi mësuar paksa që në hapësirën e Kosovës duhet të qeverisim dhe jo të bëjmë marrëveshje me shumicën”, citohet Trajkovic nga Radio Evropa e Lirë.
“Te serbët ende ekziston ajo sindroma, që ata duhet të jenë kryesorët dhe se shqiptarët duhet ta dëgjojnë atë që ne e themi, pa marrë parasysh gjendjen faktike në terren”, thotë Rada Trajkovic duke shtuar se serbët duhet të lirohen sa më parë nga kjo sindromë.
Trajkovic thotë se “elita politike po i izolon të dyja palët, edhe shqiptarët edhe serbët, ndërsa, në anën tjetër, mendoj se edhe mediat nuk bëjnë asgjë që do të ishte si promovim i gjërave të mira, që bëjmë për njëri-tjetrin. Në terren ka të tilla gjëra, sepse gjithnjë e më pak po ka konflikte mes shqiptarëve dhe serbëve, çdo herë e më tepër ka tolerancë. Ndryshe, shqiptarët dhe serbët kurrë s’kanë pasur urrejtje ndaj njëri-tjetrit, gjithnjë kemi jetuar pranë njëri-tjetrit”.
Sipas saj, për të nisur çfarëdo dialogu shqiptaro-serb, duhet së pari të sqarohet, nëse të dy palët janë të gatshme të jetojnë pranë njëra-tjetrës. /Telegrafi/
Postuar: 12:46 / 21.03.2010 |
RSS