Sejdiu dekoroi Anton Çettën me “Medaljen e Artë...”

12:17 / 30.04.2010

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu ka dekoruar profesor Anton Çettën me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm-Dr. Ibrahim Rugova”. Në një takim në zyrën e tij, presidenti Sejdiu ua dorëzoi diplomën e dekorimit vajzave të profesor Anton Çettës, Donika e Agata Çettës.

Dekorimi i Profesor Çettës bëhet me rastin e 20-vjetorit të shënimit Kuvendit të Pajtimit në Verrat e Llukës.

“Për kontribut të veçantë dhënë gjatë gjithë jetës së tij për paqen, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e vlerave humane, dekoroj me Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm - Ibrahim Rugova, personalitetin e shquar të Kosovës dhe të shqiptarëve, Anton Çetta”, tha presidenti Sejdiu me rastin e dekorimit.

“Kontributi i Anton Çettës për paqe, demokraci dhe humanizëm mbetet një shembull i veçantë dhe domethënës për Kosovën dhe shqiptarët. Duke ia kushtuar tërë jetën punës kërkimore-shkencore në fushën e studimeve albanologjike dhe misionit për krijimin e tolerancës, paqes publike brendakombëtare, duke punuar pa ndalur për pajtimin qytetar, duke krijuar kështu perspektivën reale të jetës dhe punës për ata që u kishte humbur shpresa, ai dha shembullin më të mirë të njeriut të urtë, që kishte vizion një të ardhme të dinjitetshme të kombit dhe vendit tonë”, tha presidenti Sejdiu.

Sejdiu ka vlerësuar se vepra dhe personaliteti i Anton Çettës është dhe do të mbetet frymëzim krijues për brezat që do të vijnë. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.