Deçan, protestë- kërkohet lirimi i Haradinajt
|
Shpërndaje
|
Postuar: 11:11 / 29.07.2010 |
Komente: 22 |
Me nismë të kryetarit të Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, të premten (më 30 korrik) organizohet një marshim protestues i të gjithë nëpunësve dhe zyrtarëve të tjerë të Komunës së Deçanit, për të shprehur pakënaqësinë dhe indinjatën me vendimin e Dhomës së Apelit të TPI-së, për rigjykimin e ish-kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe njëherit do të kërkohet lirimi sa më i shpejtë i tij.Manifestimi do të jetë i karakterit të një shëtitjeje të qetë, duke nderuar sakrificën e njerëzve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me vënie lulesh te bustet dhe përmendoret e të rënëve të UÇK-së në sheshet e Deçanit.
Njoftohet se manifestimi nis në orën 12:00, kur kryetari i Komunës së Deçanit dhe të gjithë nëpunësit tjerë, të veshur me bluza me simbolin e kampanjës në mbështetje të Haradinajt, do të nderojnë te shtatorja e Heroit të Kombit, Luan Haradinaj, në sheshin qendror të qytetit, për të vazhduar më pas te shtatoret e të rënëve të tjerë në këtë qytet.
Bëhet e ditur se manifestime të tilla me kërkesë për lirimin sa më të shpejtë të ish-kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të AAK-së, z. Ramush Haradinaj, do të mbahen edhe në ditët në vijim, në Deçan dhe anembanë Kosovës. /Telegrafi/
Postuar: 11:11 / 29.07.2010 |
RSS