Neutraliteti i misioneve, pengesë për Kosovën
Përfaqësues të institucioneve vendore e quajnë të palogjikshëm pozicionin neutral të disa misioneve ndërkombëtare ndaj statusit të Kosovës, edhe pas dhënies së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se pavarësia nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.Një javë pas këtij mendimi, zyrtarë të EULEX-it, UNMIK-ut dhe OSBE-së thonë se neutraliteti ndaj statusit do të vazhdojë, për aq sa selitë e tyre qendrore të mos vendosin ndryshe.
Zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Xhavit Beqiri, e konsideron këtë situatë si krejtësisht të panatyrshme.
“Mendimi këshillëdhënës i GJND-së përfundimisht e vulosi legjitimitetin juridik të pavarësisë së Republikës së Kosovës, ndaj ne konsiderojmë se është krejt e panatyrshme që edhe në vijim ky qëndrim i këtyre institucioneve të jetë neutral”, tha Beqiri.
Për EULEX-in mbetet problem i mëtejmë mosnjohja e Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së. Ndërsa kjo nuk ndryshon, ky mision, mandati i të cilit është zgjatur deri në vitin 2012, do ta ruajë neutralitetin karshi statusit të Kosovës.
“Kjo është çështje e 27 vendeve anëtare, që e kanë dërguar EULEX-in në Kosovë. Secili është në dijeni se 5 nga 27 vendet anëtare nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Nuk i takon EULEX-it që të vendosë, kjo është çështje e vendeve anëtare. Neve na është zgjatur mandati nga qershori i këtij viti deri në qershorin e 2012-ës dhe këtu nuk ka ndryshime në lidhje me pozicionin tonë”, ka deklaruar zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, njofton Radio Evropa e Lirë.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, përmes sekretarit të përgjithshëm, Mark Perrin Brishambo, thekson se misioni në Kosovë do të vazhdojë me mandat të njëjtë, edhe pas mendimit të GJND-së.
“Dua të theksoj se misioni i OSBE-së në Kosovë do të vazhdojë punën, ashtu edhe siç e ka mandatin, duke ruajtur qëndrimin neutral ndaj statusit”, thuhet në një deklaratë të sekretarit Brishambo.
Pozicion të njëjtë mban edhe UNMIK-u, i cili që nga shpallja e pavarësisë është reduktuar në masë shumë të madhe. UNMIK-u, largimi i të cilit po kërkohet vazhdimisht nga Prishtina zyrtare, pret nga Këshilli i Sigurimit udhëzime se si të veprojë pas mendimit të GJND-së.
“Ky është një mendim këshillëdhënës i GJND-së, i cili, siç ka thënë Sekretari i Përgjithshëm, do të dorëzohet në Asamblenë e Përgjithshme. Sa i përket UNMIK-ut, ne vazhdojmë të punojmë nën mandatin tonë, të rezolutës së Këshillit të Sigurimit 12 44 dhe do të marrim udhëzime nga ai Këshill”, deklaroi zëdhënësi i UNMIK-ut, Russel Geekie.
Misionet ndërkombëtare në Kosovë vazhdimisht i janë referuar Rezolutës 12 44 për të sqaruar pozicionin e tyre neutral karshi statusit. Por, vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka sqaruar se kjo rezolutë nuk e ka penguar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që thotë se pavarësia është në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare.
Nisur nga kjo, zëdhënësi i Presidencës, Beqiri, është optimist se misionet ndërkombëtare do të lëvizin nga pozicioni i të qenët neutral. Për këtë, sipas tij pritet që institucionet kosovare të bëjnë edhe kërkesa zyrtare.
Të qenët neutralë ndaj statusit, është parë si një nga pengesat kryesore për vetë misionin evropian të sundimit të ligjit, i cili nuk ka mundur të shtrijë autoritetin në veri të Kosovës, ku ende vazhdojnë të funksionojnë strukturat paralele serbe, të financuara nga Qeveria e Serbisë. /Telegrafi/
Postuar: 18:16 / 29.07.2010 |
RSS