Vreeswijk: Nën hetime çdokush që ka bërë krim
Dy ditë pasi ka marrë konfirmimin se është emëruar kryeprokuror i EULEX-it, Johannes Van Vreeswijk, ka thënë se EULEX-i, nuk e ka ndërmend të ndalet në hetimet rreth korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë.Në një intervistë për të përditshmen Koha Ditore, holandezi që e ka ushtruar detyrën e kryeprokurorit prej kur EULEX-i ka filluar hetimet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ka prezantuar detaje të hetimeve të EULEX-it në rastin Limaj, guvernatorit Rexhepi, rastin e PTK-së, atë të Ilir Tolaj dhe për rastin Bllaca.
Vreeswijk ka ripërsëritur se ka prova të mira në rastin Limaj dhe se ministri i dyshuar do të merret në pyetje. Ai nuk ka dashur të flas për ministrat tjerë që mund të jenë duke u hetuar nga EULEX-i, por ka thënë se ka edhe raste tjera të ngjashme me atë të Limajt.
Ky prokuror holandez ka paralajmëruar se misioni po i heton 25 raste të ndryshme në veri, gjashtë prej të cilave i ka futur në listën e ngushtë dhe do t’i shqyrtojë këtë të martë.
Ai po ashtu, duke folur për raste tha se ndonëse SHIK-u mund të jetë shuar zyrtarisht, ende ka shumë arsye që dëshmitë e Bllacës të merren seriozisht.
Kryeprokurori i EULEX-it, ka thënë se rasti i guvernatorit Rexhepi ka të bëjë me individin dhe jo sistemin, andaj nuk ka arsye për t’u shqetësuar për sistemin bankar në Kosovë.
Ndërsa, sipas tij ikja nga tatimi është vetëm njëra prej shumë akuzave që e rëndojnë Ilir Tolajn. Ai përsëriti se po hetohen të gjithë zyrtarët, në të gjitha partitë politike. /koha ditore/telegrafi/
Postuar: 8:46 / 30.07.2010 |
RSS