BE “godet” me Rezolutë
Bashkimi Evropian i është kundërpërgjigjur Rezolutës së Serbisë. Catherine Ashton ka qarkulluar një Rezolutë tek të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Aty kërkohet që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ta pranojë vendimin e GJND-së. Rezoluta evropiane inkurajon palët për bisedime, pa asnjë referencë ndaj statusit të Kosovës.Janë “shkrepur të shtënat” e para në betejën diplomatike rreth Rezolutës që pritet të aprovohet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në shtator ose në fillim të tetorit.
Goditja e parë ka ardhur nga Serbia, e cila ka befasuar Bashkimin Evropian, me deponimin e draftrezolutës së saj, të enjten, mirëpo lëvizjes serbe i është kundërpërgjigjur të njëjtën ditë Bashkimi Evropian.
Burime të gazetës Express kanë konfirmuar se nga Zyra e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton, është qarkulluar draftrezoluta për Kosovën te të gjitha misionet diplomatike të shteteve të BE-së në New York. Për këtë aksion të Brukselit është njoftuar edhe Qeveria e SHBA-së.
Bashkimi Evropian propozon që Asambleja e Përgjithshme të aprovojë opinionin e GJND-së që thotë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Burime diplomatike kanë thënë se misioneve të përhershme të shteteve të BE-së në Kombet e Bashkuara u janë dhënë disa ditë kohë që të deklarohen se a pajtohen me përmbajtjen e rezolutës.
Ndërkaq, sa i përket tekstit të rezolutës serbe, që në mënyrë të tërthortë bën thirrje për bisedime për statusin e Kosovës, mediet në Beograd kanë raportuar se diplomacia evropiane ia ka bërë të ditur Serbisë se kjo rezolutë është plotësisht e papranueshme. /express/telegrafi/
Postuar: 12:27 / 30.07.2010 |
RSS