Consigliere

13:39 / 30.05.2012

Fadil Lepaja
Fadil Lepaja

Po e shikoja një fotografi në media, ku kryeministri i vendit e kishte zënë kokën me dorë dhe dukej shumë i brengosur. Thash mos e ka nga telashet e veriut. Më dolën parasysh skenat me helikopterë e policë specialë të EU-LEX-it, të cilët në stilin e filmave të Hollywood-it i kishin rrethuar dy zonja në shtëpinë e Zvonko Veselinoviçit. Kjo ndoshta do ta legjitimonte fytyrën e tij të ngrysur.

Por jo. Ai, me gjasë, pak ka kohë të merret me veriun. Në radhë të parë nuk ka kompetenca, e pastaj edhe po të kishte, nuk ka fuqi me ndërmarrë diçka. Kështu, me urti heshtë dhe e le të zotin e shtëpisë me performua. Përpos, kur ja futë kot me ndonjë aksion “historik” i cili përfundon për faqe të zezë.

Nejse, krejt kjo pastaj ndreqet e hijeshohet nga këshilltarët formalë e joformalë nga familja e madhe e mediave, për t’u shndërruar pastaj në një fitore po aq të madhe sa beteja inekzistente e Kosovës.

Epo, çdo mbret i kishte të marrët e oborrit të cilët e argëtonin dhe e bënin horë para të tjerëve. Ishin të vetmit të cilët guxonin me e lavdërua mbretin aq shumë publikisht, përtej asaj që e kapë mendja e shëndoshë. Me nderë para jush, dikur edhe një pordhë të mbretit e shpallshin furtunë dhe angazhim të tij strategjik.

Por, siç e ka zakon të marr kthesën kryeministri, kur bëhet gati të mohoj vetveten brenda të njëjtës fjali, ndoshta vërtetë nuk e kishte nga gajlet e veriut. Arsyet e brengosjes mund të kenë qenë krejt të tjera. Ndoshta nga gjendja në parti? Konkurrenca po i rritet. Kryetarët e komunave po dënohen njëri pas tjetrit. Anëtarët e Kryesisë të shumtën e rasteve e njohin personalisht ndonjë prokurorë apo gjykatës të huaj apo vendorë, nga seancat dëgjimore. Edhe mbështetja në parti duket se po i bie. Degët ku ai rrinte ulur, janë trashur tash aq shumë sa janë bërë lisa më vete. Ai ka ardhur duke u tkurrur. Akuzat më serioze tashmë nuk i vijnë nga jashtë, por nga shtëpia e vet. Plafi i modestisë është shtjerrë!

Kur jemi te akuzat, tashmë edhe Dick Marty ka humbur në zhurmën e përgjithshme. Rrallëkush po e përmend, aq sa “i shkreti” ka gjasë të jetë kompleksuar me mungesën e publicitetit.

Po meditoja kështu për arsyet e brengosjes dhe po lexoja titujt e gazetave. ”Antikorrupsioni heton pasurinë e zyrtarëve të lartë”! Kjo të jetë? Jo, more, çfarë! Antikorrupsioni deri sot s’ka arritur me e kapë asnjë peshk të madh. Ata janë peshkatarë të imtë. Ndoshta sepse luftën antikorrupsion e udhëheqë vet Qeveria?

Titulli tjetër, po ashtu mu duk i shpifur. Po të mos ishte në pyetje një analizë e UNDP-së, ndoshta e kisha marrë edhe më seriozisht. Burokracia e korruptuar e UN-të. ”UNDP: Hashim Thaçin nuk e donë”, po thoshte titulli. E kujt i plasë se nuk e duan! E duan, e duan. Kur e do Delli, duhet me e dashtë të gjithë!

Megjithatë, duket se vërtetë ka humbur ai pak besim në kryeministrin të cilin ai e kishte fituar me aq mund e aq angazhim të shtëpive të mëdha të publicitetit ndërkombëtarë. Dhe të këshilltarëve ndërkombëtarë. Kur e ke një “zëdhënës” si Dellin, është e vështirë të mos fitosh në zgjedhje. Ai del vet në vendvotime. Bëhet ylli i zgjedhjeve. Komprometon kundërshtarët e tu, duke i lëvdua, e kështu me radhë.

Do të thoni se popullaritetin e ka fitua me luftën çlirimtare?

Po të ishte kështu, mbase do të fitonte zgjedhjet e para? Apo të dytat? O atëherë, o hiq! Në fakt, ai fitoi vetëm atëherë kur e kuptoi lojën.

Shikojeni Nikoliqin. Ish-varrmihësi, siç e quajnë me “përkëdhelje” në Serbi, e kuptoi ku është fuqia: fuqia e cila ia pat dërguar ish-shefin në Hagë. Kur e kuptoi këtë, ai ktheu rrugën në rreth-rrotullimin e parë. Montgomeri, një ish ambasador amerikan në Beograd, për një pagë prej 7.5 mijë euro në muaj kishte pranuar të bëhej këshilltarë i tij strategjik. Me këshillat e tij, z. Nikoliq u bë njeriu i parë i politikës serbe. Dhe, ende pa e marrë formalisht pushtetin shkoi në Rusi! Flitet nën zë se edhe z. Delli kur ta përfundojë misionin e tij në korrik, në vapën më të madhe, do të ndalet si këshilltarë për një rrogë pak a shumë të tillë?!

Pse e ka zënë kokën me dorë kryeministri i vendit? Nuk e di. Duhet të ketë aq shumë arsye! Apo, ndoshta po mendon si me zbrit pasi kanë filluar t’i merren mendtë nga lartësia? ! Një karrierë brilante prej çunit që luante “pitpidak”, deri te burrështetasi që pret e përcjell krerët botërorë në Prishtinë, dhe së fundi te kryeministri i një vendi të vogël që pret me ditë para zyrës ovale. Si me zbrit... but? ! Pa u rrëzua!

Në rrethanat ballkanike, ku politikën e bëjnë diplomatët arrogantë dhe mafiozët lokalë, në një vend i cili s’ka identitet të qartë, asgjë nuk është e sigurt! Në Ballkan sundon ai që ka këshilltarët më të “fortë”.

Consigliere! Kështu quhen italisht këshilltarët.

A po shkon, a po vjen sërish... z. Thaçi? A do të ketë Thaçi 3? Apo... u kry bac?

Nejse, kryeministri festonte në Ferizaj, por nuk dukej shend e verë! Fitoi me 57 për qind! Me 57 për qind të diçka më shumë se 20 përqindëshit! Ferizaj, qyteti evropian ku digjen libra publikisht dhe ku ende festohet ditëlindja e Enverit!

S’ka rëndësi! Me rëndësi është të mësohemi që sundimtarët me i zbrit prej fronit butë, pa tronditje të mëdha, pa drama, pa gijotina! Me u ndihmua... me zbrit!
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
23:30 / 19.05.2013
Big Mama, Foto: FB

Big Mama u thotë femrave: Po shkoi njëri vjen tjetri!

Besjana Kasami,e njohur me emrin skenik si Big Mama, së shpejti do të sjellë këngën me titull “Ku mbeti dashuria”, e c...
Teknologji
19:58 / 19.05.2013
Kërkesë e madhe për HTC One, dyfishohet prodhimi

Kërkesë e madhe për HTC One, dyfishohet prodhimi

Njëri nga problemet me të cilat ballafaqohen prodhuesit e telefonave mobil është sasia që ata duhet ta lëshojnë në treg...
Ekonomi
11:34 / 19.05.2013

Policia sërish përgatit tender për “Porsche Prishtina”

Policisë së Kosovës i ka dalë sërish problem me tenderin për furnizim me vetura patrulluese, pasi që edhe në tenderët ...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.