Të mos nëpërkëmbet liria e shtypit!

15:29 / 27.06.2012

Frank Shkreli
Frank Shkreli

“Liria jonë varet nga liria e shtypit dhe ajo nuk mund të kufizohet pa u humbur plotësisht”, Tomas Xheferson

Të Premten që kaloi, parlamenti i Kosovës vendosi të lente në fuqi kodin penal të Kosovës i cili përmban disa nene mbi median, të cilat sipas njoftimeve ato mbajnë gazetarët “penalisht përgjegjës” për raste kur ata refuzojnë të njoftojnë burimet e tyre. Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga i kishte kërkuar parlamentit të Kosovës heqjen e neneve shqetësuese dhe problematike për shumë veta, brenda dhe jashtë vendit, e të cilat kanë të bëjnë me përgjegjësitë penale të gazetarëve.

Mos-miratimi i këtyre neneve nga kuvendi i Kosovës, që i ishin paraqitur parlamentit për aprovim nga presidentja e Kosovës, me të drejtë shkaktoi reagime të ashpra nga organizata gazetarësh brenda Kosovës si edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, përfshirë edhe masën drastike të dorëheqjes së zëvendës-kryeministrit Harjedin Kuçi. Pa dashur të futem në akuza e kundër akuza se kush e ka fajin për mos-miratimin e këtyre neneve dhe për zhvillimet e fundit në lidhje me situatën e krijuar e që është shumë vështirë të mbrohet, desha të shpreh mendimin tim se sa i domosdoshëm është miratimi i këtyre neneve për të mbrojtur lirinë dhe integritetin e gazetarëve si edhe për të siguruar që burimet e informacionit të jenë në dispozicion të gazetarëve, pa frikë dhe pa ndërhyrje nga qeveritarët.

Është vështirë të merret me mend se si një popull i cili në të kaluarën ka vuajtur aq shumë mungesën dhe mohimin e të gjitha lirive nga regjime pushtuese, tani që është i aftë e ka mundësi të vendosë vetë fatin e vet, përfaqësuesit e tij votojnë për të kufizuar lirinë, në këtë rast lirinë e shtypit. Por siç ka thënë edhe Tomas Xheffersoni, autori i shpalljes së pavarësisë së Amerikës dhe presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara, liria e shtypit nuk mund të kufizohet pa humbur plotësisht edhe liritë e tjera.

Kosova ka ambicie të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe e organizmave të tjera euro-atlantike, por vendimi i parlamentit të Kosovës hedhë në erë këto ambicie pasi është në kundërshtim të plotë me konventat e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e lirisë së shtypit dhe të medias në përgjithësi. Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar në një deklaratë për median tha se, “Nenet për përgjegjësinë penale dhe burimin e informacionit do të kenë një ndikim negativ në lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në Kosovë. Bashkimi Evropian mbetet thellësisht i përkushtuar në nxitjen dhe ruajtjen e lirisë së shprehjes dhe medias, si vlera të një rëndësie të veçantë për forcimin e demokracisë së Kosovës”. Për më tepër, përfaqësuesi evropian në Prishtinë, duke krahasuar Kosovën me vendet e tjera të Ballkanit, tha se “ky hap e lë Kosovën mbrapa në kontekstin rajonal, duke qenë se pothuajse të gjitha vendet fqinje kanë hequr tashmë nenet që penalizojnë mediat për kryerjen e detyrave të tyre”.

Edhe gazetarët e Kosovës nëpërmjet organizatave përfaqësuese shprehën shqetësimin e tyre ndaj masës së deputetëve të Kosovës të cilët votuan kundër heqjes së neneve 37 dhe 38 nga Kodi Penal. Asociacioni i Gazetarëve profesionistë të Kosovës u shpreh i “tmerruar” me votimin e deputetëve dhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës, tha se rezultati i votimit në parlament, “ishte i papranueshëm dhe në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës”.

Nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal, sipas organizatës ndërkombëtare “Korrespondentët pa Kufij”, u japin gjykatave kompetencën për të detyruar gazetarët që të zbulojnë burimet e tyre, dhe për një “shpifje” të tillë, gazetarët mund të dënohet deri me tre mjetë burg. Organizata për mbrojtjen e gazetarëve, “Korrespondentët pa Kufij”, thotë se “këto nene janë të papranueshme…dhe se është e qartë se kanë për qëllim t’i mbyllin gojën llojit të gazetarisë dhe raportimit hetimor që siç duket shqetëson shumë qeverinë”.

Këtë muaj, këtu në Shtetet e Bashkuara u shënua 40-vjetori i skandalit Uatergejt dhe po kujtohet natyrisht si një fitore e demokracisë, por edhe si një shembull i rëndësisë dhe i rolit që luan shtypi i lirë. Gazetari Uodourd tha me rastin e këtij përvjetori se “ne emëruam individë të posaçëm të cilët kishin marrë pjesë në konspiracione kriminale për të shkatërruar sistemin elektoral që kemi në këtë vend”. Ishte gazetaria hetimore e gazetarëve të Uashington Postit, Karl Bersntin dhe Bob Uodourd, që më në fund dokumentoi pjesëmarrjen e vet Presidentit Nikson në skandal, dhe që çoi në dorëheqjen e presidentit Riçard Nikson.

Liria e shtypit luan një rol të pazëvendësueshëm në promovimin dhe në ruajtjen e demokracisë. Liria e pa kufizuar e shtypit është jetësore për një shoqëri të shëndoshë demokratike. Censura, frikësimi, dënimi ose miratimi i ligjeve që promulgojnë masa kundër gazetarëve vetëm e vetëm se përpiqen të kryejnë punën e tyre, jo vetëm që janë në kundërshtim me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, por shkelin edhe lirinë personale të gazetarit, dhe në të njëjtën kohë i mohon edhe shoqërisë të drejtën për të qenë e informuar. Një shoqëri e pa informuar nuk mund të zhvillojë dhe të avancojë demokracinë dhe as të respektojë të drejtat bazë të njeriut, madje një shoqëri e painformuar mirë mund të jetë e rrezikshme për vetveten dhe për të tjerët.

Kjo është një përudhë e vështirë për median në Kosovë dhe në qoftë se nuk tërhiqen nenet 37 dhe 38 gazetaria kosovare do të përballet me probleme edhe më të mëdha. Kosova dhe e gjithë bota shqiptare ka nevojë për një media të fortë e të pavarur, si dhe për një shkëmbim të lirë, të pa paragjykim dhe të pa frenuar të ideve dhe pikëpamjeve të ndryshme. E drejta për të mbledhur informacionin dhe për të mbrojtur burimet e informacionit është pjesë jetike e zhvillimit të medias dhe një shoqërie të lirë e demokratike. Qytetarët kanë nevojë për informacione të lira, të sakta e të pavarura nga burime që ata mund tu besojnë.

Parlamenti i Kosovës duhet të marrë hapa të menjëhershëm që të krijojë një hapësirë ku gazetarët e pavarur të kryejnë detyrën e tyre pa pasur frikë nga dhuna ose dënimet dhe persekutimet. Gjithashtu gazetarët kanë përgjegjësitë e tyre që ata të shërbejnë si promovues të ndryshimeve pozitive në shoqëri duke ndihmuar në forcimin e platformës së lirisë, demokracisë dhe të shërbejnë si agjentë të tolerancës politike dhe shoqërore në përgjithësi.

 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
12:57 / 22.05.2013
Genta Ismajli

Genta fton “ta pastrojmë Kosovën”

Genta Ismajli i është bashkuar fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”, një fushatë e nisur për të mobilizuar të gjithë ...
Teknologji
11:12 / 22.05.2013
IBM të lansojë Watson, rivalin e rrezikshëm të Siri dhe Google Now

IBM të lansojë Watson, rivalin e rrezikshëm të Siri dhe Google Now

Verën e kaluar, prodhuesi i famshëm i pajisjeve elektronike, IBM pati folur për ri-fokusim të kompjuterit të saj inteligje...
Ekonomi
13:23 / 22.05.2013

Qeveria po luan me kodin telefonik

Në shtator të vitit të kaluar, me iniciativën e deputetëve të Lëvizjes për Bashkim (LB), Kuvendi miratoi rezolutën pë...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.