Paradokset e Kosovës

11:56 / 13.07.2012

Nexhmedin Spahiu
Nexhmedin Spahiu

Në çdo vend ku demokracia nuk ka lëshuar rrënjë, pushteti rrahë opozitën; në Kosovë opozita rrahë pushtetin.

Në çdo vend ku demokracia nuk ka lëshuar rrënjë, kryeministri kërcënon me burg liderin e opozitës; në Kosovë, njëri prej liderëve të opozitës kërcënon kryeministrin me burg.

Kosova është vend i stërmbushur me bërllok, shefi i SHIK-ut merr edhe ca thasë me bërllok nga zyrat e Tadiqit e Koshtunicës në Beograd e i sjell ne Kosovë.

Çdo kund në botë për ta marrë një post publik duhet të jesh i njohur në opinion, në Kosovë për të të emëruar në ndonjë post publik duhet që të mos njohin, e posaçërisht nëse dëshiron të jesh president i vendit.

Liderët politikë të Kosovës mohojnë që ekziston kombi kosovar e në anën tjetër kërkojnë që të na pranojnë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Liderët politikë të Kosovës mohojnë që ka komb kosovar e në anën tjetër mburrën se po ndërtojnë marrëdhënie të shëndosha ndërkombëtare.

Artistët kosovarë mohojnë që ka komb kosovar, por mburren se kemi Teatrin Kombëtar në Prishtinë.
Shkrimtarët kosovarë thonë nuk mund të ketë komb kosovar, por mburren se kemi Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë. Shkencëtarët kosovarë “dokumentojnë shkencërisht” se nuk ka komb kosovar, por institutet e tyre i vetëquajnë institute kombëtare.

Në çdo vend normal të botës i lavdërojnë punëtorët e i shajnë papunëtorët; në Kosovë ndodhë e kundërta: Punëtorët edhe mund të dënohen me burg, e papunëtorët të shpërblehen.

Çdo vend në botë që pretendon të jetë i civilizuar kujdeset për lumenjtë, e madje atje ku s’kanë lumenj, krijojnë edhe lumenj artificialë; në Kosovë lumenjtë mbulohen me beton, e ndodhë që (si në Mitrovicë) të bëhet lumë artificial mbi lumin e mbuluar me beton.

Në qytete të botës që pretendojnë të jenë të civilizuar, po të dëmtosh një dru, konsiderohet krim më i madh se të kesh vrarë një njeri; në Kosovë drurët në qytete i presin vet administratat komunale.

Çdo vend në botë që pretendon të jetë i civilizuar, reagimi i prokurorive dhe gjykatave është në proporcion të drejtë me peshën e shkeljes apo krimit; në Kosovë ndodhë e kundërta.

Kosova është vend me mbi 90 për qind myslimanë, por qeveria e saj u jep rrogë priftërinjve serbë që ligjërojnë në shkollat e saja publike, ndërsa hoxhallarët i mbanë larg shkollave.

Bashkësia Islame e Kosovës vetëquhet Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës, në ndërkohë që Republika e Kosovës me kushtetutën e saj definohet si shtet laik dhe neutrale karshi feve.

Kosovarët i shajnë serbët duke u thënë se janë popull mesjetar d.m.th të prapambetur, kurse vetën e lavdërojnë duke thënë se jemi popull antik. Harrojnë se antika është më e hershme se mesjeta.

Kosovarët thonë se Kosova është Shqipëri, por sapo ndokush vjen nga Tirana në Prishtinë thonë ka ardhur nga Shqipëria dhe kur dikush shkon nga Prishtina në Tiranë thonë ka shkuar në Shqipëri.

Çdo universitet në botë sado me nivel “zhl” i lufton plagjiaturat dhe plagjiatori për gjënë më të vogël të vjedhur detyrohet t’i thotë lamtumirë jetës akademike; Universiteti i Prishtinës në kohën e rektorit Enver Hasani i ka legalizuar plagjiaturat nën masën 70 për qind. Për Universitetin e Prishtinës plagjiaturë konsiderohet vetëm nëse vjedh mbi 70 për qind. D.m.th ai që vjedh 69 për qind të punës intelektuale të tjetrit për Universitetin e Prishtinës nuk është hajn, por shkencëtar.

Çdo kund në botë shkencëtarët i shprehin bindjet e veta me rezerva edhe pse i mbrojnë fuqishëm; akademikët kosovarë thonë se janë të pagabueshëm, por nuk i mbrojnë bindjet e veta, e për më tepër i ndërrojnë ato sa herë ndërrohet pushteti.
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
15:18 / 24.05.2013
Atifete Jahjaga

Presidentja feston 20-vjetorin e maturës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaba, është duke u bërë gati që të festojë 20-vjetorin e mbrëmjes s...
Teknologji
13:50 / 24.05.2013
Huawei të debutojë me Ascend P6

Huawei të debutojë me Ascend P6

Muajin e ardhshëm, saktësisht më 18 qershor, Huawei do të mbajnë një ngjarje të re mediale, në të cilën thuhet se do ...
Ekonomi
15:18 / 24.05.2013

Ministri Beqaj priti në takim ambasadorin austriak

Ministri i Financave Besim Beqaj, ka pritur në takim zyrtar ambasadorin e Republikës Federale të Austrisë në Prishtinë...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.