Poetët ikin çuditshëm

15:19 / 24.07.2012

Bekim Muhaxheri
Bekim Muhaxheri

Si Azem Shkreli që vdiq në Aeroportin e Prishtinës, me të prekur tokën e atdheut, edhe Ali Podrimja ndërroi jetë në Francë, në vendin që konsiderohet atdhe i atyre që merren me shkrime.

Nuk më pëlqeu aspak formulimi i lajmit për vdekjen e Ali Podrimjes.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe mediat, si në kor njoftuan se në një mal të Francës, katër kilometra larg vendit ku u mbajt një tubim ndërkombëtar letrarësh, u gjet trupi i pajetë i poetit.

Te Ali Podrimja nuk kishte asnjëherë pajetësi, as gjatë vjetëve të tij të kësaj bote, e as tash kur kaloi në tjetrën. Ai shkoi me poezitë e tij në atë atdhe shkrimtarësh, e la dhe e tha fjalën e tij, dhe nuk u kthye.

Ali Podrimja tash e tutje do të mungojë vetëm fizikisht, siç mungojnë njësoj njerëzit e rëndësishëm të globit, për të cilët kurrë nuk mund të themi se kanë vdekur, pasi vazhdojnë të jetojnë, edhe kur kalojnë në tjetër dimension.

Ali Podrimjen do ta duam edhe më shumë tash kur nuk është ashtu si jemi mësuar ta shohim. Do t’i mbajmë si shumë të çmuara në kujtesë momentet kur mund ta kemi parë rastësisht rrugëve a kafeneve të Prishtinës, hapësirave të gjelbëruara të Gërmisë, ose ndokund tjetër.

Ali Podrimja gjatë tërë jetës së tij kishte punë me lartësitë. Me lartësitë e pambërritshme dhe frikëndjellëse. Në rini u hodh nga Ura e Fshejtë, ndërsa pastaj, vazhdimisht, u ngjit majave: majave artistike të karrierës poetike dhe majave fizike të maleve.

Kishte dëshirë për të zbuluar vendin ku rrinë perënditë, apo për ta parë botën ashtu si e shihnin hyjnitë. Prandaj, edhe u gjet në atë lartësi franceze. Një poet i përmasave të tilla mitike nuk mund të vdiste në shtrat, në hapësirë të mbyllur. Ai duhej të bëhej një me natyrën. Dhe të ishte vetëm. Vetëm me Zotin.

I tillë ishte, njeri që nuk rrinte në një vend, njeri që lëvizte, si një lum, si një krua, si një ujë që buron. Prandaj, edhe vdekja e tij duket e lehtë. Sikur ai është ndalur vetëm të pushojë dhe ashtu e ka zënë gjumi. Gjumi i përjetshëm.

Kështu edhe do ta mbajmë mend. Si një njeri që kaloi butësisht e pa zhurmë nga njëra botë në tjetrën, si nga një dhomë në dhomën tjetër të një shtëpie. Këtë e mbërrijnë vetëm ata që nuk kanë frikë nga vdekja; ata që gjithçka e bëjnë vetëdijshëm; ata që nuk u mbeten sytë hapur kur shkojnë.

Poeti që shkroi se Kosova ishte gjaku i tij që nuk falej, ai që nxori në dritë atë varg-frymëzim për rebelim, luftë çlirimtare e fitore, jo vetëm që e pa të lirë këtë copë atdheu, por diti ta zgjedh edhe çastin e tij të fundit.

Një vdekje të denjë për veten. Një vdekje plot mister e madhështi.

Pas Ali Podrimjes ka mbetur zbrazësi, si ato që ndodhin kur shpërthen një yll në univers. Një zbrazësi që nuk mund të mbushet me asgjë.

 

 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
10:31 / 19.06.2013
Katy Perry (Foto: Vogue)

Perry: Rusell më la përmes SMS-it

Katy Perry ka zbuluar se Russell Brand i kishte dërguar asaj një mesazh në telefon për t’i treguar se dëshiron të divor...
Teknologji
23:29 / 18.06.2013
Huawei e interesuar ta blejë Nokian!

Huawei e interesuar ta blejë Nokian!

Aksionet e Nokia’s u rritën sot gjatë ditës, më së shumti për shkak se gjiganti kinez Huawei ka shprehur interes në bl...
Ekonomi
10:58 / 19.06.2013
Foto: Ilustrim

162 milionë euro më pak investime të huaja

Investimet e huaja në Kosovë, janë duke rënë me të madhe. Vetëm mes vitit 2011 dhe 2012 shohim rënie prej më shumë se...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.