Po të reagonim kundër zjarreve, sikur ndaj kërkesave për përgjegjësi...

21:22 / 11.09.2012

Në një konferencë tematike-rajonale me temën “Menaxhimi i zjarreve për mbrojtjen e pyjeve dhe ambientit”, ndër analizat e shumta që u bënë për zjarret e ndodhura në këtë vit në rajonin e tonë - me theks të veçantë në trekëndëshin Kosovë-Shqipëri-Maqedoni - u përmend edhe çështja e dhënies së përgjegjësisë nga institucionet e vendit. Forma se si u kërkua çështja e dhënies së përgjegjësisë, gjegjësisht ndëshkimin që duhet dhënë kësaj Qeverie nga qytetarët përmes votës së lirë, e bëri nervoz përfaqësuesin e institucioneve i cili për këtë çështje ai as që deshi të diskutohej. Ai edhe mbase mund te kishte të drejt, ngase nuk kishte ardhur për llogari e as të bëjë punën e avokatit të institucioneve. Porse, “kërkuesi i përgjegjësisë”, pjesëmarrësi, në debat shprehu një qëndrim tejet parimor karshi institucioneve, qëndrim ky që do të duhej të analizohet dhe të përhapet më tej.

Besim Zogaj, zyrtar i Agjensionit Pyjor të Kosovës në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit rural, pjesëmarrës, nuk deshi të merrej me konstatimin e profesorit, Faton Berishës, se kjo qeveri do të duhej të ndëshkohej nga vota e elektoratit për këtë dëm që i është shkaktuar vendit. Është e qartë që po kërkohej një ndëshkim për mungesën e gatishmërisë së institucioneve për t’i mbrojtur resurset kombëtare, nga ata që janë caktuar për menaxhimin e tyre. Për aq më tepër, ngase vetë zyrtari në fjalë po thoshte se në Agjensionin e tij kishin planet mbrojtëse. Por, është tjetër gjë realizimi i këtyre planeve.

Edhe Berisha ka të drejtë që kërkon llogari për pyjet e shkrumbuara. Planet nuk bëhen për tu dekoruar me to, por që të jenë të realizueshme teknikisht dhe financiarisht. Apo planet i bëjmë sa për t’u shfajësuar nesër para dikujt tjetër që ne dimë, mundemi, por s’ia dalim se nuk po kemi mjete... Apo, edhe më mirë, nuk po na japin mjete. Ne kemi bërë përgatitjet, po janë ata të eurove që po na zbehin planifikimin për mbrojtje të resurseve. Dhe, me që ra fjala, të kujt janë këto resurse: të Agjensionit, të Ministrisë përkatëse, Qeverisë apo janë pasuri kombëtare? Nëse është menaxhuar një pasuri që nuk është e jotja, vetëm sa je duke kryer punën për të cilën je i ngarkuar, je i paguar. Për mos menaxhim, ke humbur atë resurs ose të është dëmtuar, duhet dhënë përgjegjësi para pronarit se nuk bënë ndryshe.

Ç’është të menaxhuarit e një pasurie nëse nuk është mbrojtja e saj brenda atij menaxhimi? Po nëse gjenden duke prerë pyllin varfanjakët sa për të siguruar nxehjen gjatë dimrit në pjesën e shpallur të ndaluar, i sanksiononi? Patjetër, që po! Atëherë ju që me (mos)veprimet tuaja shkatërroni me mija hektarë (3400 vetëm sivjet, siç e thonë vetë) askujt nuk duhet t’i jepni përgjegjësi?

Është e qartë që zjarre ka edhe në vende të tjera, edhe në rajone gjithandej. Kishte thatësi, kishte pakujdesi që nuk mundet me asnjë formë të zhbësh të tërën. Pastaj, do të ketë edhe në të ardhmen. Po, puna është çka kemi bërë ? Numëroni vetëm tri aktivitete konkrete vjetore që parandalojnë zjarret dhe më thoni a është kostoja e tyre më e madhe apo harxhimet vjetore të karburanteve që ka dikasteri përgjegjës për mbrojtjen e kësaj pasurie kombëtare? Çështja qëndron në qasjen që kemi formuar, në radhë të parë si institucione qendrore dhe lokale për to:

1. Nuk ka mjete financiare për parandalim të tyre;
2. Planet mbrojtëse më shumë u ngjasojnë një dyfletëshi si urdhëresë administrative;
3. Thirrjet stereotipe që u bëhen qytetarëve për vetëdijesim (zakonisht postfestum);
4. Harxhime më të larta në emër të aktiviteteve se sa për vetë realizimin e tyre.

Para disa ditëve, në lidhje me çështjen e përgjegjësisë, lexuam këtë deklaratë për media të kryeshefit të Agjensionit Pyjor në Kosovë, Ahmet Zejnullahut, “se gjatë kohës kur në të gjitha komunat e Kosovës ka pasur zjarre, kryetarët e tyre gjatë tërë kohës kanë pasur të mbyllur telefonat, duke mos pranuar përgjegjësinë për zjarret”. Si bëhet që pushteti lokal të mos i përgjigjet pushtetit qendror? A nuk po kthehemi prapë te Qeveria, ngase ajo duhet të vë rend e të dihet kush ha e kush pi? T’i kthej shpinën zjarrit ai që është përgjegjës për masat parandaluese e lere më reaguese, e të kalojë pa therë në këmbë?! Në instancë të fundit, përse të hapen telefonat e të merret me zjarret, kur nesër askush s’i kërkon përgjegjësinë për këtë?

Në konferencën e përmendur, ku thirren për të trajtuar shkencërisht çështje të rëndësishme të pasurisë kombëtare, mungojnë shumë institucione, shtëpi mediatike e individë që nuk do të duhej të mungonin. Se pse është kështu, ka disa shkaqe të cilat duhen analizuar posaçërisht, porse që është një pasqyrë e mirë e sjelljeve tona të papërgjegjshme nuk do shumë mend për ta konstatuar (mu sikur papërgjegjësia e individëve që të gjendur në afërsi të pyjeve mund t’ua japin flakën). Me ligj të gjithë kanë përgjegjësi për mbrojtje nga zjarri. Edhe individët - edhe institucionet.

Në shumë komunikata lexohet për dyshimet në zjarrvënie të qëllimshme, e me të cilat raste, thuhet më tej, janë duke u marrë policia. Këto formulime, e të tilla të lëshuara nga organet e rendit, më tepër janë justifikim sesa kontribut real në mbrojtjen nga zjarret: të dyshojmë jemi ne - popullata, organet e rendit duhet t’i kapin të pandërgjegjshmit, piromanët. Profesori Kudusi Lama i quajti të papërgjegjshme deklaratat e shumta të lëshuara nga institucione të ndryshme për situatën me zjarret.

Debati në këtë konferencë mbaroi me opinionet dhe pyetjet e bëra nga të pranishmit, të cilat ishin tejet konstruktive dhe ç’është më e rëndësishmja prekën esencën e problematikës (menaxhim të zjarreve)

Berisha nuk e kërkoi përgjegjësinë e askujt, as të qeverisë as të pushteteve apo udhëheqësve lokalë që ia kthejnë shpinën zjarreve. Ai mbase e di mirë që përgjegjësia te ne rri vetëm në fjalor; përgjegjësinë ne nuk e vemi në funksion fare; andaj këtë problem e barti në ditën e zgjedhjeve. A thua e mbajmë në mend? Do të shuhen zjarret, se bien temperaturat, lindin telashe të tjera të reja dhe nuk do të kujtohemi?!

Në dalje të konferencës, një kolegu im më tha: kishte edhe shumëçka të thuhej! “Po ti”, e pyeta, “kishe për të thënë gjë”? “Po”, ma ktheu. “Po, mirë, ruaje për vitin e ardhëm se njëjtë do ta kemi”, ia ktheva!


 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.