Kosovo* vs Albania!

9:32 / 13.09.2012

Dren Shahini
Dren Shahini

Ndeshja ndërmjet kombëtares së Zvicrës dhe asaj të Shqipërisë na qartësoi shumëçka.

Duke mos e diskutuar rezultatin, sepse ai tashmë dihej nga niveli i përbërjes së ekipeve, dua të ndalem tek pjesa e fundit e kësaj fjalie: përbërja e ekipeve.

Kombëtarja e Zvicrës në përbërjen e saj multietnike në vete ka futur edhe pesë shqiptarë, të cilët po dëshmohen dita-ditës dhe po e arsyetojnë kohën e kaluar në atë ekip. Fati e deshi që ata të përballen me kombëtaren amë, pra atë të Shqipërisë në këto kualifikime për Botërorin 2016.

Qysh kur ata përzgjodhën kombëtaren helvetike para asaj të Shqipërisë, filluan opinionet e ndryshme, si këtu në vendin e origjinës - në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri! Mendime të llojllojshme! Ofendime, kritika, etiketime, por edhe mbështetje nga ata që sportin e kuptojnë si çështje rekreative, e assesi politike. Porse, pak kush e mendoi ditën kur ndaj tyre do të kemi ndjenja sikur ndaj çdo kundërshtari. Dhe ajo ditë ishte mbrëmë, ajo përballje ndodhi. Kundër i kishim pesë shqiptarë!

T’i ofendosh e t’i urresh? Si? Janë tanët; ne jemi ata, ata janë ne!

Ti duash? Si? I kemi kundërshtarë në fushë!

Këto dhe shumë ndjenja të shkapërderdhura i përjetova tash e sa javë nga njohja e datës së kësaj përballjeje. Rrjetet sociale vetëm sa ndihmonin në këtë pështjellim. E dija se me mbarimin e lojës, duke e ditur tashmë edhe rezultatin, shumëçka do të stabilizohej. Vetëm përgjigjen e një pyetjeje s’po mund ta gjej dot!

Republika e Kosovës prej shumë kohësh kërkon nga FIFA dhe UEFA pranim në to, pranim ky që do të mundësonte njohjen e futbollit kosovar dhe përfaqësimin e tij në arenën ndërkombëtare.

Dhe shpejt po kthehem tek pyetja ime: Po qe se ndodh që FIFA e UEFA e njohin Republikën e Kosovës dhe asaj së paku i lejohet konkurrencë në nisma rajonale dhe krejt nga fati, si mbrëmë, Kosova do të duhet të luajë kundër Shqipërisë. Çfarë tani? Kë do ta mbështes unë? T’i mbështes gjyqtarët?

Përgjigjja e vetme ishte se si një komb që jemi, duhet ta kemi vetëm një kombëtare.

Madje, para se të përqendrohemi tek një kombëtare, duhet ta krijojmë një Ligë të Përbashkët Shqiptare. Liga e Përbashkët Shqiptare do të ofronte shumë mundësi. Njohje më të madhe ndërmjet nesh. Rritje të konkurrencës, e rrjedhimisht edhe të cilësisë në futboll. Të drejta televizive e shtim i publikut në stadium. Zbulim talentesh nga mundësia e përballjeve gjithëkombëtare dhe, natyrshëm, forcim i Kombëtares drejt sukseseve të reja.

Krejt në fund: paramendojeni sikur për një kohë të pacaktuar UEFA e FIFA (nga marrëveshjet me Federatën e Serbisë), Kosovës t’i lejojnë përfaqësim ndërkombëtar vetëm me fusnotën e famshme!
Përballja do të dukej kështu: 28 Nëntor 2012, ora 20:45, Kosovo* vs Albania!

 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
11:00 / 18.05.2013
Rooney Mara

Rooney Mara fytyrë e Calvin Klein

Aktorja e njohur, Rooney Mara, është bërë fytyra e re e brendit të njohur Calvin Klein.
Teknologji
9:45 / 18.05.2013
Lenovo K900, një super-telefon i ri Android

Lenovo K900, një super-telefon i ri Android

Modeli i shumë-përfolur i telefonit të mençur Lenovo tashmë është prezantuar me karakteristikat e tij të veçanta.
Ekonomi
13:36 / 18.05.2013
Foto: Ilustrim

Cilësia e ushqimit, e varur nga zbatimi i ligjeve

Hulumtimet e bëra nga shumë organizata, përfshirë edhe Qendrën për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, që kanë analizuar...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.