Triptik për Xhemën

19:23 / 23.11.2012

Sot, dymbëdhjetë vjet, derisa po hynte në apartamentin e tij në lagjen “Dardania” në Prishtinë, kriminelë ende të paidentifikuar ekzekutuan Xhemail Mustafën, intelektualin, bashkëthemeluesin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe këshilltarit politik të presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova.

Emri i Xhemail Mustafës, personalitetin e të cilit e shquante mendimi intelektual, urtia e dinjiteti njerëzor, vizioni i thellë dhe balancimi politik në kushtet dhe rrethanat e jashtëzakonshme në të cilat gjendej Kosova, ende vret ndërgjegjen e secilit shqiptar. Ekzekutimi i tij nga dora kriminale, do të duhej ta ndërgjegjësonte drejtësinë e fjetur kosovare. Pa u identifikua vrasësit e Xhemës dhe të dhjetëra personaliteteve të tjera politike në Kosovë, pavarësia e Republikës së re do të mbetet në ngërç (pra e këtillë siç është), pa zhvillim kulturor ,ekonomik dhe pa integrime në BE.

Tash dymbëdhjetë vjet, bota shqiptare me të drejtë pëshpëritë ndër dhëmbë emrin e tij dhe atë pyetjen që assesi të marr përgjigje: Kush e vrau Xhemail Mustafën? Deri ku është angazhuar drejtësia në zbardhjen e vrasjes së tij? Kush dhe pse po bëhet mur i pakapërcyeshëm për zbardhjen vrasjes së tij? Kush dhe pse ia shojti jetën bashkëthemeluesit të lëvizjes së parë pluraliste në Kosovë dhe për më tepër, pse u ekzekutua njeriu që asnjëherë nuk kishte as mëri personale, as rivalitet politik me askënd në nënqiellin e Kosovës? Unë e kam një përgjigje krejt personale. Xhema u ekzekutua me qëllim që të goditet shpirtërisht dhe të çekuilibrohet vendosmëria e dr. Ibrahim Rugovës për realizimin e projektit për pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Ka edhe shumë pyetje të tjera që i kemi dëgjuar gjatë këtyre dymbëdhjetë viteve, por që drejtësia rreth atentatit kundër Xhemail Mustafës ende nuk e ka thënë fjalën e saj. Drejtësia vazhdon të hezitojë që ta thotë verdiktin rreth kësaj vrasjeje misterioze, që mbetet misteri më i madh i fillimit të shekullit të ri në botën shqiptare.

Të punosh gati një dekadë me formatin e intelektualit Xhemail Mustafa nuk janë pak, aq më shumë nën kushtet dhe rrethanat e egra të okupimit serb. Si kolegë të zanatit, por më të rinj në sfida dhe moshë, nga Xhema kemi mësuar shumë. Kemi mësuar ta ruajmë gjakftohtësinë edhe kur ishte e pamundur. Mësuam përgjegjësinë ndaj fjalës publike edhe atëherë kur ishte vështirë të kurseheshe. Mësuam durimin për t’i kapërcyer sfidat edhe atëherë kur besonim se kishte zënë të na shteronte. Kurrë dhe asnjëherë nuk kemi dëgjuar nga ai qoftë edhe një fjalë të vetme kundër ndonjë rivali politik, edhe kur këta të fundit jo rrallë katapultonin projekte në dëm të çështjes së Kosovës. Kurrë dhe asnjëherë tek ai nuk e kemi parë as më të voglin reagim a përbuzje edhe atëherë kur dikush me të drejtë e meritonte atë.

Nga Xhema zanatin prej gazetari dhe përgjegjësinë ndaj fjalës publike e kemi kultivuar shumë. Ai fillonte çdo të hënë për ta përfunduar çdo të premte kolumnen e tij “Triptik për të shtunën”, e cila botohej çdo fundjavë në të përditshmen “Rilindja” në diasporë dhe në simotrën e saj në Prishtinë. Ai punonte gjatë në Triptik… dhe gjithmonë e skaliste secilën fjalë. Xhema e artikulonte pastër diskursin e tij politik dhe intelektual. Ai e ndjente përgjegjësinë e dyfishtë: atë të kritikut dhe publicistit me përvojë të gjatë dhe përgjegjësinë shtesë; atë të këshilltarit politik të presidentit Rugova.

Xhema kishte zotnillëk dhe ritual mbresëlënës në pirjen e kafesë së mëngjesit. Çdo herë diskutonte shtruar për aktualitetin në Kosovë, derisa fillonte punën në dukje pa ndonjë stres, por që përgjegjësitë në kohë okupimi ishin të mëdha.

Ai ishte pragmatist i madh me gamë shumëdimensionale në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Kur guerilët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës filluan me aksionet e para, Xhema me qetësinë e tij thoshte: “Ne jemi të mbështeturit për muri. Tash nga ne pritet rezistenca kundër regjimit serb…”.

“Kur në xhungël mungon luani, mbret bëhet majmuni”, thotë një proverb kinez që aq shumë i shkon paradokseve në Kosovë. Na ka rënë shpesh pas luftës që kur organizoheshin akademi përkujtimore, apo inauguroheshin monumente personalitetesh të ndryshme, nuk ftoheshin pikërisht njerëzit që kanë punuar ditë e natë me ato personalitete që u ngriteshin monumentet! Ka ndodhur që të inaugurohet Shtëpia e Pavarësisë (ish-Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës) dhe nuk është ftuar asnjë punonjës i Qendrës për Informim të Kosovës, të cilët edhe ashtu të pakët në numër, pikërisht në ato kthina të vogla e kaluan një dekadë të jetës dhe punës së tyre. Inaugurimi i Shtëpisë së Pavarësisë, madje edhe dizajnimi i saj u bë pikërisht nga soji dhe sorollopi i zhvatësve dhe dallkaukëve, që këmba e tyre nuk kishte shkelur asnjëherë deri natën e 24 marsit të vitit 1999, kur forcat serbe e kishin djegur objektin e saj.

Ka ndodhur po kështu edhe me rastin e inaugurimit të monumentit për ish-shefin e Qendrës për Informim të Kosovës, të ndjerin Enver Maloku në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë, derisa nuk ishte ftuar askush nga bashkëpunëtorët e tij. Kulmi i turpit pat ndodhur me rastin e inaugurimit të bustit të Xhemës në Shkollën Fillore në lagjen “Dardania” në Prishtinë, e cila mban emrin e tij. Nuk ishte ftuar askush nga bashkëpunëtorët e tij, ndërsa miqtë dhe kolegët e paftuar ndjeheshin të huaj para statujës së bashkëpunëtorit të tyre të derdhur në bronz.

Atë ditë, një anonim që shquhej për injorancë, po e mbante një fjalim të lodhtë për Xhemën. Gënjeu aq shumë, sa një moment tha: “Me mburrje e respekt e thërrisnim baca Xhemë…!”. Xhemail Mustafën askush nuk e ka thirrur “bacë”, madje nuk kishte dëshirë ta thërrisje as “zotëri”, por thjeshtë, Xhemë ashtu siç ishte i thjeshtë personaliteti i tij.

Nuk e harroj një natë maji të vitit 1995. Kishte shpërthyer behari dhe ia vlente të qëndronim në verandë. Po bisedonim për aktualitetin e kohës, situatat delikate që gjendej Kosova dhe në fund biseda kulmoi për kulturën, që fundja e kishim vokacion. Gjatë bisedës e cila zgjati deri vonë, po flisnim për kulturën dhe mendësinë e popujve të Ballkanit. Një moment tha: “Kultura e popujve ballkanas është interesante, por mendësia është e çuditshme. Popujt e Gadishullit e kanë një ves të keq; ndryshe ndjejnë dhe ndryshe flasin…!”

Më 1 shtator të vitit 2006 jam ndier shumë i pikëlluar. Po e dërgoja Dean, vajzë time në ditën e parë të shkollës. Vetëm pak vite më parë në verandën e një restoranti që na ndante vetëm pak metra larg statujës së bronzët të Xhemës, po flitnim për kulturat dhe mendësitë e popujve të Gadishullit, pra për atë vesin gjenetik që ndryshe ndjejmë dhe ndryshe flasim. Edhe sot e pëshpëritim përgjumshëm emrin e tij, por për zbardhjen e vrasjes së tij nuk këmbëngulim kurrë…

 

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.