Mosmirënjohja jonë ndaj gjermanëve

19:25 / 23.11.2012

Po festohet 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe kudo në Shqipëri, Kosovë e troje tjera etnike shqiptare, po valon flamuri i Shqipërisë, më pak ai i Kosovës, si dhe flamuri amerikan. Valimi i flamurit amerikan në këtë festë është i kuptueshëm për vetë rrolin tejet pozitiv që ka luajtur Amerika në këto 100 vite të ekzistencës së shtetit shqiptar.

Shtrohet pyetja nëse prania e flamurit amerikan në këtë festë tregon mirënjohjen ndaj Amerikës apo respekt ndaj shtetit më të fuqishëm të botës. Në rast se është e para kjo tregon moralitetin tonë, në rast se është e dyta kjo tregon mercenarizmin tonë.

Një fakt tjetër po e tregon se është më shumë e dyta se sa e para.

Në këtë festë po mungon flamuri gjerman - flamuri i kombit më të merituar për ekzistencën e shtetit shqiptar.

Rolin që Amerika e pati dhe ka në krijimin e shtetit të Kosovës, e ka pasur Austro-Hungaria në krijimin e Shqipërisë. Për më tepër, Austro-Hungaria jo vetëm që pati rrol madhor rreth shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë 100 vite më parë dhe u angazhua në Konferencën e Londrës për kufij sa më të gjerë të saj, por ajo shumë para këtyre ngjarjeve investoi në kulturën shqiptare duke cytur shkencëtarë të merren me çështjen e gjuhës shqipe, duke financuar revistën “Albania” të Faik Konicës etj.

Madje kontributi gjerman shkon edhe përtej vizionit të shqiptarëve. Mjafton të përmendet projekti i Vjenës zyrtare i fundshekullit XIX dhe fillim shekullit XX për hekurudhën Sarajevë-Mitrovicë përmes Novi Pazarit. Ky projekt u pamundësua nga krerët shqiptarë të kohës, njëri prej të cilëve është shpallë hero edhe në Kosovë edhe në Shqipëri. Projekti është kundërshtuar dhe pamundësuar thjeshtë nga budallallëku dhe injoranca e krerëve shqiptarë.

Me një fjalë, Austro-Hungaria nuk dha vetëm ndihmë momentale, por projektoi lindjen e kombit shqiptar. Për çfarë interesi e bëri këtë, kjo neve nuk duhet të na interesojë. Kur ndokush ta jep një drekë duhet të mendosh se për çfarë interesi po e bën këtë, ku e ka hallin. Por, për atë që ta jep vet jetën nuk duhesh të pyesësh se për çfarë interesi e ka bërë. Nuk pyetët prindi për çfarë interesi të ka sjellë në jetë. Thjeshtë, duhet të jesh mirënjohës. Dhe këtë mirënjohje nga shqiptarët e meritojnë gjermanët dhe Austro-Hungaria.

Qeveria e Shqipërisë ktheu në Atdhe, dhe mirë bëri që i ktheu, eshtrat e Ahmet Zogut që ishte një hajdut, vrasës e mashtrues, por që kontribuoi në stabilizimin e shtetit shqiptar. Para se ta bënte këtë duhej t’i kthente eshtrat e princit gjerman Wilhelm Wied, fisnikut që e deshi Shqipërinë me gjithë zemër, që për dallim nga Ahmet Zogu, asnjëherë nuk hoqi dorë nga Shqipëria në kufijtë etnik, që nuk urdhëroi asnjë vrasje politike siç bëri Ahmet Zogu shumë të tilla.

E pra, në këtë 100 vjetor, Princi Wihelm Wied meritonte që eshtrat e tij të pushonin në Atdheun e tij të natyralizuar dhe t’i ngrihej një përmendore.

Në kujtimet e tija, Sejfi Vllamasi, thotë se sikur mos t’ishte Austro-Hungaria gjatë periudhës 1914-1918, shqiptarët nuk do të kishin haber për administratën moderne.

Edhe pas Luftës së Parë Botërore, Austria e Gjermania ishin vendet që dhanë më së shumti bursa për studentët shqiptarë.

Sado që tani edhe vetë gjermanët janë distancuar nga klasa e tyre politike e Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët nuk guxojnë ta harrojnë kontributin gjerman të kësaj periudhe për Shqipërinë e sidomos për Kosovën.

Duke lënë manash rrenat e kohës së Enver Hoxhës dhe mercenarizmin shqiptar për të qenë në krah të fituesve, po mos të ndodhte ardhja e gjermanëve në Ballkan me 1941 nuk do të ekzistonte Kosova.

Marrëveshja e Qeverisë Jugosllave dhe asaj Turke e vitit 1939 parashihte që procesi i shpërnguljes për në Turqi i gjithë popullatës myslimane nga Kosova e Maqedonia të përfundonte më 1945.

Kjo marrëveshja u zbatua 100 për qind sipas dinamikës së paraparë deri me 6 Prill 1941 dhe u ndal kur gjermanët bombarduan Beogradin. Shumë “analistë” të sotëm thonë se veriu i Kosovës kurrë nuk ka qenë shqiptar. Unë kam takuar në Stamboll shqiptarë të fshatrave të veriut të Kosovës, ku tashmë s’banon asnjë shqiptar, të shpërngulur nga atje më 1940. Sikur mos t’ishte ardhja e gjermanëve më 1941 ky do t’ishte fati i gjithë trevave shqiptare në Kosovë e Maqedoni.

Për më tepër, hapja e shkollave shqipe dhe ndërgjegjësimi kombëtar shqiptar në Kosovë e Maqedoni ndodhi pikërisht gjatë asaj periudhe, saqë edhe ripushtimi i këtyre trojeve nuk mundi më t’ua merr këto të drejta të fituara gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Edhe në Shqipërinë post-enveriane, a nuk ishte Shtrausi ai që solli ofertën gjeneroze për Shqipërinë? Ku do të ishte Shqipëria sot nëse do ta kishte pranuar atë ofertë? Ku do të ishte Shqipëria sot nëse pa trauma, pa revolucion do të kishte heqë dorë nga komunizmi e para nga i gjithë blloku i Lindjes? Miliardat e Perëndimit do të vërshonin drejt Shqipërisë për t’i dhënë shembull vendeve tjera komuniste. Ky ishte një rast që Shqipëria e pati në saje të vogëlsisë së saj dhe miqve gjermanë, por që fatkeqësisht i ra shqelm.

Kosova nuk do ta mbijetonte kohën e Millosheviqit pa diasporën e saj në Gjermani, Zvicër e Austri.
Kosova e prapambetur dhe e dërmuar nga paslufta e Luftës së Dytë Botërore, mori infuzion duke dërguar punëtorë krahu në Gjermani, Austri e Zvicër. Po këto vende, në kohën e sundimit të Millosheviqit mbi Kosovën, pranuan në azil afro 1 milionë shqiptarë.

Nëse Amerika mori primatin ushtarak e politik në ndihmë të Kosovës, Gjermania mbajti primatin në asistencë ekonomike si në Kosovë ashtu dhe Shqipëri që nga 1991-ta e këndej.

Të gjitha këto fakte duhet të na bëjnë, që nëse duam të tregohemi një shoqëri e moralshme dhe jo vetëm një komunitet mercenarësh, atëherë nuk duhet të lejojmë që të shohim buzëvarur zyrtarët gjermanë duke parë atmosferën festive me flamuj shqiptarë, kosovarë e amerikanë. Gjithsesi flamuri gjerman e ka vendin në këtë festë, e pse jo edhe shumë të tjerë flamuj qe kontribuuan për Shqipërinë e Kosovën.
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.