Mbreti Zog dhe historia e mësuar nga gazetat

19:25 / 23.11.2012

Ditët e fundit është debatuar shumë për kthimin e eshtrave të Ahmet Zogut në Shqipëri. Mbretit iu thurën lavde dhe akuza nga më të ndryshmet, disa prej të cilave nuk i meritonte. Kështu ndodhë kur shumë prej atyre që përfshihen në debat nuk kanë fakte për ato që thonë dhe çfarë është më e keqja, historinë e interpretojnë sipas preferencave politike. Madje, ka të atillë që historinë e kanë mësuar nga thashethemet që bëhen nëpër kafenetë e Tiranës, Prishtinës apo Shkupit, dhe më pas ndonjë gazetar i paskrupullt merr guximin t’i botojë nëpër gazeta si fakte historike.

Njëra nga gazetat shqiptare, për t’i bëra sa më të besueshme akuzat ndaj Mbretit, citonte Faik Konicën, i cili gjoja kishte shkruar për veprimtarinë e Zogut edhe në vitet e pesëdhjeta, ndërkohë që shkrimtari i madh ka vdekur më 1942. Pastaj, disa nga debatuesit polemizonin nëse Zogu ishte mbret apo jo, edhe pse të paktën kjo është e qartë. Ahmet Zogu, me të mirat dhe të këqijat e tij, ishte mbret i Shqipërisë dhe këtë nuk mund ta ndryshojë askush. Po, është gabim të thuhet Mbreti Leka i Parë, apo Princi Leka i Dytë, sepse këtë titull s’e kanë fituar asnjëherë, thjeshtë ishin apo janë pretendentë. E bëra këtë sqarim, sepse, me ose pa qëllim, prej këtu fillojnë gabimet kur flitet për familjen mbretërore shqiptare.

Dua të ndalem pak më shumë tek njohuritë tona dhe kultura e debatit që bëjmë, se sa tek veprimtaria e Ahmet Zogut, Hasan Prishtinës, Fan Nolit, Hashim Thaçit, Sali Berishës apo Edi Ramës. Historia jonë është e atillë sa që në shumë raste nuk mund të gjykosh nga një këndvështrim. Por, edhe historian po të isha, edhe sikur të kisha jetuar në të njëjtën kohë me Zogun, nuk do të mund ta akuzoja Mbretin Zog për vrasjen e Hasan Prishtinës. Nuk ka kurrfarë dëshmie përveç asaj se Zogu dhe Prishtina ishin kundërshtarë politik, dhe dëshmia e vrasësit (e marrë nga gazetat greke), ku thuhet se Ibrahim Çelo kishte deklaruar që e kishte bërë këtë akt me porosinë e Mbretit të Shqiptarëve.

Dihet se për Serbinë, atëherë dhe sot, nuk ka patur dhe nuk ka shqiptarë të mirë, qofshin ata monarkistë apo republikanë, socialistë apo demokratë. Serbia gjithmonë ua ka futur benzinën përçarjeve të shqiptarëve dhe ka ndërhyrë për ta ndezur zjarrin sa më shumë që ishte e mundur. E pse nuk do ta bënte të njëjtën gjë edhe në rastin e vrasjes së Hasan Prishtinës? Natyrisht vrasësi nuk duhet të thoshte se ishte paguar nga qarqet serbe, por nga Ahmet Zogu. Pastaj, pse atyre që tentuan ta vrasin Zogun në Vjenë ua gjetën në xhepa pasaportat diplomatike të Mbretërisë Jugosllave? Nëse jo atëherë, të paktën sot e kemi të qartë kush ishte dhe kush është Serbia.

Çështja kombëtare shqiptare është e papërfunduar edhe 100 vjet pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë. Atje nuk u shpall pavarësia për Shqipërinë e sotme, por për të gjitha trojet ku shqiptarët përbënin shumicën e popullatës. Dhe po të nisemi nga kjo datë, gabime gjatë veprimtarisë së tyre politike, patriotike e kombëtare kanë bërë secili, prej Ismail Qemalit e deri tek ata që veprojnë në ditët e sotme. Megjithkëtë as diktatori Enver Hoxha, i cili ka bërë krime masive ndaj shqiptarëve të Shqipërisë, por edhe atyre të Kosovës, nuk mund të etiketohet për tradhtar.

Akuzohet Mbreti Zog për njëfarë marrëveshje me Pashiqin, të cilën asnjëherë askush nuk e ka parë, përveç “dokumentit” të Beogradit të botuar në mediat serbe dhe të përkthyer prej mediave shqiptare. Deri tani kjo akuzë ndaj Zogut është e njëjtë sikur dikush në vitin 2112 të pretendojë se Hashim Thaçi kishte origjinë serbe, sepse kështu paskan shkruar disa media beogradase duke u bazuar në “dokumentet” që ato kishin siguruar në vitin 2012. Andaj është e qartë se këto nuk janë dëshmi dhe mbi bazën e tyre nuk zhvillohet debati.

Zogu gaboi në lidhje me Shën Naumin, edhe pse kjo çështje ishte si konflikt i ngrirë midis dy vendeve përpara se ai të vinte në pushtet. U përpoq ta mbante, pasi përveç premtimeve, nuk kishte nënshkruar asnjë dokument me Mbretërinë Jugosllave. Historiani britanik Joseph Swire shkruan: “Fjala e hapjes ditën kur Ahmet Zogu u zgjodh president përmbante një referim të ashpër për vazhdimin e pushtimit të rajonit të Shën Naumit nga trupat jugosllave, që ngjan se e hedh poshtë mendimin popullor që ai kishte rënë dakord me serbët t’ua lëshonte Shën Naumin dhe Vermoshin Jugosllavisë në këmbim të ndihmës së saj dhjetorin e kaluar. Nuk ka dyshim që Zogu i kishte lejuar jugosllavët të besonin se ai do ta bënte këtë, por nuk duket që ai të ishte angazhuar përfundimisht për këtë çështje”.

Pastaj edhe nëse ka ekzistuar ndonjë marrëveshje gojore mes Zogut dhe Pashiqit, ajo nuk ndryshon shumë nga marrëveshja e ditëve të sotme mes Qeverisë Greke dhe Qeverisë Shqiptare lidhur me vijën kufitare detare midis këtyre dy shteteve. Thuhet që kryeministri Sali Berisha e ka iniciuar vet ketë marrëveshje dhe po ashtu ka ndikuar në anulimin e saj, pasi ka kaluar pengesën që rrezikonte ta vendoste shteti grek në udhëtimin e Shqipërisë drejtë anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Por, edhe pse nuk ka asnjë dëshmi që e implikon ligjërisht kryeministrin shqiptar, ka prej atyre që e akuzojnë për tradhti.

Ahmet Zogu akuzohet po ashtu se ka dorë në vrasjen e Avni Rrustemit dhe të Bajram Currit. Zogu ishte mbret autokrat, por jo tradhtar. Pastaj, nuk ka dëshmi as për këtë. Me gjithë respektin për veprimtarinë e tyre patriotike e kombëtare, dihet se Avni Rrustemi kishte provuar ta vriste Zogun, edhe Bajram Curri me ushtarët e tij kishte zbritur dy herë në Tiranë për ta marrë pushtetin me dhunë. Madje, sipas kujtimeve të Eqerem bej Vlorës, Avni Rustemi “ishte një kriminel dhe karagjoz”. I madhi Fan Noli po ashtu organizoi grusht shtet më 1924, dhe jo Revolucion Demokratik siç e kemi mësuar nga historia e shkruar nga servilët e diktatorit Hoxha. Pastaj edhe Fadil Hoxha e luftoi Shaban Polluzhën, por u varros me nderime nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Nuk u shpall tradhtar.

Kështu, përveç duartrokitjes, pajtohem me presidenten Atifete Jahjaga se Zogu ka merita të mëdha në ndërtimin dhe funksionimin e shtetit shqiptar. Ishte vështirë të funksiononte shteti asokohe, sidomos kur kujtojmë se deri para pak vitesh, në Kosovë dhe Shqipëri, partitë tona politike i ndanim sipas krahinave nga vinin liderët e tyre dhe përçarjet krahinore nuk kishin të ndalur. Natyrisht, edhe Mbreti Zog kishte gabime... Por, edhe Thaçi mund të negociojë me Ivica Daçiqin, madje mund të nënshkruar edhe ndonjë marrëveshje dypalëshe, por kjo nuk do ta bëjë atë tradhtar, ani pse disa e quajnë edhe sot si të tillë.

“Maloku Gjenial (Ahmet Zogu) na mundi dhe na mundi me themel. Por ndryshimi midis Fan Nolit dhe meje është që unë e di se jemi të mundur paq... Unë me budallallëkun tim them se kemi arritur në një fazë kritike dhe besoj se e vetmja mënyrë për të shpëtuar shtetin është një pajtim i ndershëm i të mundurve me mundësin. Për ne që diç e dimë veten, është një çap i hidhur. Ata që s’duan ta bëjnë le të vazhdojnë së gdhenduri pishë e së gatuari teneqe vajguri dhe le t’i vënë zjarrin Shqipërisë...”, shkruan ndër të tjera Faik Konica në vitin 1925.

Me këtë citat nuk e kam ndërmend të mbrojë veprimtarinë e Mbretit Zog nga akuzuesit e ditëve të sotme për gabimet e tij të pafalshme, por nuk mund t’i thuhet tradhtar, sepse para të gjithëve, këtë do ta kishte bërë Faik Konica, gjë që nuk e bëri. I tha gjithçka, por tradhtar jo. Pra, për asnjërin nga të lartpërmendurit nuk ka fakte për t’i quajtur tradhtar, edhe pse me veprimtarinë e tyre në momente të caktuara kanë bërë gabime, që historianët duhet bërë përpjekje t’i gjykojnë për kohën që kanë ndodhur dhe jo nga këndvështrimi i ditëve të sotme dhe preferencave politike.

Më kujtohet në vitet e nëntëdhjeta shumë shqiptarë nga Shqipëria thoshin: “Edhe ju kosovarët jeni fajtorë... Milosheviqi nuk është edhe aq i keq”. Titon e hipnin në qiell. Po ashtu shumë kosovarë kur përmendej Fatos Nano, Paskal Milo apo Pandeli Majko, thoshin: “S’ka gjë prej tyre, janë grekë, janë tradhtarë...”. Ndërsa as që kishin dëgjuar për vuajtjet dhe vrasjet e priftërinjve ortodoksë shqiptarë nga ana e shtetit grek. I gjithë ky debat në media apo kafene bëhej kryesisht nga mosnjohja e njëri-tjetrit, nga mosnjohja e historisë, por edhe për inate që nxiteshin nga njëri tabor apo tjetri. Vërtetë mjerim!

Edhe sot, po ta dëgjosh Sali Berishën, nuk besoj se ka tradhtar më të madh se Edi Rama, dhe e kundërta. I njëjtë është raporti tek ne në Kosovë midis Hashim Thaçit dhe Albin Kurtit, apo në Maqedoni midis Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit. Vërtetë për të ardhur keq. Fan Noli me gjithë gabimin që bëri më 1924, pak me vonesë, por i thirri vetes. U tërhoq. Është koha që edhe udhëheqësit tanë të sotëm, por edhe historianët, t’i thërrasin vetes përpara se të etiketojnë dikë për tradhti kombëtare. Sepse, me logjikën e disave as betejat e Gjergj Kastriotit nuk do të kenë nesër lavdinë e sotme, Perandoria Otomane nuk do të quhet më pushtuese dhe 28 nëntori nuk do të ketë më kuptim.


 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.