Shqiptarët: me Skënderbenë apo Zhan Monenë?!

23:08 / 26.11.2012

Mund të duket paradoksale të konstatohet fakti nëse tani e tutje sovraniteti kombëtar i shteteve shqiptare mund të zbehet përballë trendëve integrues rajonal dhe global. Kjo bëhet më e theksuar tani kur në hapësirat mbarë shqiptare po festohet njëqindvjetori i shtetësisë së Shqipërisë, kohë në të cilën kemi një mobilizim të ndjenjave kombëtare si asnjëherë më parë. Por, në fakt, duke qenë të hapur përballë këtyre integrimeve, faktori shqiptar do të baraspeshojë në mes zgjedhjes dhe orientimeve për të qenë me një sovranitet më të fortë kombëtar apo për ta bartur atë drejt strukturave euro-atlantike, apo thënë thjeshtë: do të zgjedhë të jetë më kombëtar ose më ndërkombëtar në formën e simbolikës së titullit, “Shqiptarët: me Skënderbenë apo Zhan Monenë”?!
Pa asnjë dilemë, aspiratat më të larta politike ekonomike dhe ushtarake të Shqipërisë dhe Kosovës, për momentin, janë përpjekjet për integrime në strukturat euro-Atlantike. Në saje të këtyre aspiratave kuptohet se parimet e politikës së jashtme të të dyja vendeve janë mjaft liberale dhe të orientuara kah gatishmëria për të bartur me vullnet një pjesë të sovranitetit nacional drejt këtyre strukturave supranacionale.

Mund të thuhet se supranacionalizmi, kohëve të fundit, është shfaqur si një faktor përcaktues i shumë zhvillimeve në arenën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Si i tillë, ai manifestohet fuqishëm si praktikë e re e organizimeve politike, juridike, ekonomike dhe ushtarake, si në rrafshin rajonal ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Lidhur me këtë, studiuesit argumentojnë se bota është duke shkuar drejt njësive gjithnjë e më të mëdha të organizimit me përmasa globale dhe se supranacionalizmi po bëhet identitet për njerëzit në shekullin e XXI. Kjo vlen për shoqëritë dhe shtetet evropiane që pretendojnë të jenë pjesë e strukturave supranacionale të Unionit Evropian, e sidomos për Shqipërinë dhe Kosovën.

Atëherë, përse ndodhë që për këto vende organizatat supranacionale janë kaq tërheqëse, sidomos kur e kemi në konsideratë faktin që ndjenja e forcimit të shtetësisë dhe sovranitetit për disa shtete është shumë e ndjeshme, siç është rasti me Kosovën? Me siguri që Kosova, por edhe Shqipëria, e synojnë këtë integrim për shkak se ato kalkulojnë se do të fitojnë nga të qenurit pjesë e këtyre strukturave integrale. Por, edhe vendet anëtare të UE-së, si pranuese, e kalkulojnë të njëjtën gjë! Atëherë shtrohet pyetja se kush do të fitojë? Të gjithë - është përgjigja!

Kjo do të ndodhë sipas parimit logjik që të tjerët fitojnë, derisa këto dy vende nuk do të humbin; dhe përderisa këto nuk do të humbin, në një farë mënyre edhe këto fitojnë diçka në këtë kontekst. Ky është parimi i balancës së përfitimit, sipas të cilit llogaritin në fitore të gjithë anëtarët e UE-së. Ndoshta, kjo logjikë ndihmon për t’i shpjeguar edhe aspiratat e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës dhe të Shqipërisë për integrime në mekanizmat ndërkombëtarë. Në këto rrethana, pretendimet integruese të vendeve tona paraqesin një situatë mjaft interesante dhe specifike për faktin që këto janë të vetëdijshme se për t’u integruar në strukturat supranacionale evropiane dhe euro-atlantike, ato duhet t’i cenojnë me vullnet disa parime të rëndësishme të pavarësisë politike e kombëtare. Këto çështje ngrehin disa situata mjaft sfiduese për studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare në formën e pyetjeve të tilla, si: “Pse shoqëritë shqiptare janë kaq të gatshëm ta bartin një pjesë të konsiderueshme të sovranitetit të tyre në mekanizmat ndërkombëtarë supranaciona”?

Përgjigja komplikohet edhe më tepër, sidomos kur marrim në konsideratë faktin që ndjenjat e pavarësimit dhe sovranitetit, si në rastin e Kosovës, janë ende të freskëta, dhe veçanërisht kur dihet se sa të mëdha kanë qenë përpjekjet për jetësimin e shtetësisë së saj. Një përgjigje mund të vije nga teoria që shtetet janë “aktor racional”, që d.m.th. se shtetet bashkëpunojnë me të tjerët vetëm për t’i maksimizuar profitet e tyre edhe më shumë. Teoria tjetër këtë situatë e shpjegon duke u bazuar në faktin që integrimi i Kosovës në këto mekanizma është domosdoshmëri e kohës dhe se praktikat integruese janë imponim i proceseve globalizuese ndaj të cilave asnjë shoqëri nuk mund të rezistojë.

Megjithatë, edhe pse shtetet shpesh janë të gatshme për t’i bartur disa pjesë të sovranitetit të tyre drejt bashkësive mbi-shtetërore, kjo nuk do të thotë se ato duan të jenë më pak sovrane se shtetet e tjera. Madje, duke braktisur idenë e “sovranitetit klasik”, sot shtetet e vlerësojnë faktin se sovraniteti forcohet edhe më shumë kur ushtrohet, e jo kur konservohet. Sidomos kjo bëhet e qartë kur kemi parasysh faktin që shtetet e ndjekin “interesin nacional” si gurthemeli mbi të cilin ndërtohen parimet qendrore të politikës së tyre të jashtme. Së këndejmi, duke pasur parasysh këtë kalkulim, mund të vërejmë se forcimi i tendencave nacionale dhe atyre supranacionale qëndron aposteriori në raport të konkurrencës dhe balancimit të njëra-tjetrës.

Mënyra më e mirë për të kuptuar figurativisht se si funksionon Unioni Evropian në mes tendencave nacionale dhe supranacionale dhe ku pritet të ndodhet pozita e shteteve shqiptare në raport me këto tendenca, është monedha e metaltë euro. Në këtë monedhë, në anën e përparme vendoset harta e Evropës, kurse në anën e pasme vendosen kultet kombëtare të shtetit të caktuar. Kjo paraqet raportin në mes supranacionales dhe nacionales. Edhe në rrethanat kur Shqipëria dhe Kosova të integrohen në UE, ato do të kërkojnë të vendoset një kult kombëtar në monedhën e përbashkët evropiane. Për shembull, ata do të kërkojnë vendosjen e kultit të Skënderbeut apo Adem Jasharit. Këtë monedhë do ta mbajë edhe një ultra-nacionalist serb por, edhe një francez apo utalian. Kurse, Serbia do të kërkojë me siguri vendosjen e ndonjë kulti të tyre kombëtar p.sh., Shën Savën. Gjithashtu, këtë monedhë do ta mbajë edhe nacionalisti shqiptar. Në mënyrë figurative, kjo metaforë tregon se, në një farë mënyre, këto shtete do të jenë më supranacionale në kohën që nuk do ta braktisin tërësisht pavarësinë e tyre kombëtare!


 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.