Kombi përmes syzave ngjyrë rozë

13:58 / 28.11.2012

Me çfarë syza e sheh ti botën? Të kaltra, të kuqe, të zeza, të gjelbra? Apo të kombinuara? Të larme, apo vetëm dyngjyrëshe ? Jo, kuqezi do të përgjigjeshim pa menduar fare, ne shqiptarët, në ditën e 100 vjetorit. Vetëm një ditë më pas, kur flamuri kuq e zi të zbritet nga shtylla e metaltë te rrethi dhe të rivendoset përsëri realiteti ynë i kaltër me pak yje të shkapërderdhura, ndoshta do të përgjigjeshim krejt ndryshe, ngatërrueshëm. Çka jemi?

Por, të kthehemi te përgjigjja jonë kuq e zi! Kjo puna me ngjyrat vetëm në dukje të parë duket si lojë fjalësh. Sot shumica e ide(ologji)ve të mëdha, edhe pse krejt të lodhura dhe të shpëlara nga përdorimi, e kanë edhe një pjesë identitare të tyre e cila shprehet në formë vizuele, sidomos me ngjyra! Thuaj dikujt i kuq, jeshil, apo i kaltër ja ke shpalosë fytyrën e tij politike.

Paradigma, që ndryshe përmendet ndër ne edhe si matrica, krahasohet me syzat me ngjyrë. E paradigma jonë sot është më rozë. Qeveritarët na i kanë vënë syzat përmes medias së kontrolluar. Sapo duam të heqim syzat e vëna dhe të shohim në dritë të diellit realitetin, klithmat e historisë dhe rreziqet e brendshme e të jashtme e përskuqin pamjen. E mjegullojnë. Mi jep syzat rozë, klithë në vete qytetari i turbulluar. Nuk e përballon krizën identitare! Më i përballueshëm është vetmashtrimi sesa frika dhe depresioni.

Përgjatë historisë na kanë vënë syza me ngjyra të ndryshme edhe pse vet kemi ëndërruar të i shohim gjërat nën dritën e diellit.

Ballkani si regjion transit mes kontinentesh, civilizimesh ka parë shumë ushtri e perandori të cilat zgjeroheshin këndej pari dhe rehatoheshin për disa qindra vjet ndër ne, e kryesisht mbi ne, dhe kjo në matriksin tonë ka ndikuar në mënyrë të veçantë.

Perandoritë e fuqishme, si ajo romake, bizantine dhe së fundi otomane, kanë lënë vulën e tyre në mendësinë tonë, na e kanë lënë kodin identitar i cili pa vetëdije - qoftë individualisht apo kolektivisht - kushtëzon mënyrën tonë të sjelljes. Popujt e vegjël të Ballkanit, kryesisht në matricën e tyre kanë identifikimin (pro at contra) me këto tri civilizime të fuqishme të cilat në periudha të caktuara patën arritur një shkallë të jashtëzakonshme të organizmit j kulturor, ekonomik ushtarak e institucional. Kështu, me shtrirjen e tyre ndërtuan jo vetëm strukturat e organizimit te popujt dhe fiset e shumta në Ballkan, por krijuan edhe mënyrën e re të jetesës dhe të menduarit.

Perandoritë ikën dhe ne ende nuk arrijmë të dalim nga matriksi dhe po përpiqemi me e hëngër njëri-tjetrin për mëngjes...!

Paradigma jonë nacionale nuk ka arritur të formësohet aq qartë dhe të zë vend në kokat tona, duke integruar të deritashmen në një pamje të vetme, të kuptueshme dhe të pëlqyeshme. Prandaj, në kokat tona ende luftojnë civilizimet të cilat përmes medias globale apo edhe mediave tona të shumta sërish po na e përpunojnë matricën kolektive. Kur grupe militantësh e idealistësh klithin për mitet dhe të kaluarën e lavdishme, kjo në kokat tona nxitë shqetësim, luftë, dhe ne e ndërrojmë kanalin dhe shohim ndonjë politikan më argëtues e më spekulant i cili na duket më real, më i prekshëm. Apo, ndonjë film ku një hero i sotshëm zgjidhë krejt problemet e një shteti, veç me një “gulinov”. Alternativat tjera janë të pakta, tallava, porno apo seanca parlamentare !

“Na kan tranue, tybe nuk jemi normal më”, po thoshte një qytetarë derisa po e lexonte gazetën ku një hoxhë lokal po ia mbyllte me këmbë derën e parajsës një shenjtoreje të kohës së sotme, vetëm e vetëm se nuk e ka fenë e tij. Kot puna e sajë humanitare pre disa deceniesh. Madje ai ja paska majtë edhe qiririn!

Një zyrtarë i neoperandorisë vjen e madhëron një sulltan që la kockat në një betejë krejt të ngatërruar me fiset lokale. Edhe ashtu ishim të ngatërruar, edhe pse në matriksin tonë tashmë kanë zënë vend tri përmendore të mëdha të Kastriotit në Tiranë, Shkup dhe Prishtinë, të cilat na kanë orientuar dhe na kanë bërë të qartë se ai i kishte luftuar me shpatë sulltanët. Pastaj vijnë zyrtarët neoperandorak dhe kërkojnë të kemi kujdes me fjalët në librat e historisë se nuk na japin më para.

“Kujdes me fjalët” i thotë kryeministrit kosovar edhe pionieri akademisë nacional socialiste fqinje, tashmë edhe ai kryeministër në vend të vet.

Një kryeministër tjetër i sjell kockat e një ish-mbreti dhe organizon një shou publik për të ndërruar idenë e përgjithshme të tradhtisë kombëtare. Në zhurmën qeveritare, më së keqi mbetet ai që kujton të (pa)bëmat e këtij ish-mbreti. Aty kryeministri i ftoi krejt që janë të gatshëm të harrojnë dhe të falin. Në fakt ftoi krejt ata që duan të përsërisin historinë, duke e paketuar krejt këtë në një përrallë roze me princër e mbretër. Po paketohet, modeli i kryeministrit që do të bëhej mbret duke bërë pazare ordinere me vendin. S’po e shesim veç ne, është mesazhi! Gjithnjë ka qenë kështu! Gjithnjë do të jetë kështu!

Por, lëre fare. Ne nuk jemi popull normal. Harrojmë dhe ia fillojmë nga fillimi. Por, lëre de! Më jepni edhe mua një palë syza rozë... dhe një kalë. Po shkoj në Vlorë.

Në Vlorën heroike ku tashmë bizneset lokale kanë bërë strategjinë se si të përfitojnë nga çështja kombëtare. Skafet më nuk sjellin biznes. As martesat për viza. Asfaltet e Evropës i kemi mbushë. Populli nuk ikë më nga vendi me anije të ndryshkura e të stërngarkuara. As në Otrant më nuk hedhim lule. Patëm lënë nam me ikjen tonë masive nga vendi. Ah, Atdhe...!

Por, gjërat nuk janë tashmë krejt kuq, as krejt zi. Nuk vriten më njerëzit për motive politike. Krejt është biznes. Edhe ndonjë bombë nën benz që shpërthen nëpër ekranet tona, apo ndonjë prokuror i shtrirë në asfalt, derisa ne drekojmë rehat, krejt janë veç një biznes (ndër)kombëtar përmasash që nuk i kapim dot.

Matriksi ynë ende nuk është formësuar në diçka kombëtare, përkundër propagandës qeveritare rozë, këndej dhe andej kufirit. Idealistët janë në opozitë dhe bëjnë zhurmë e cila po e pengon popullin të dëgjojë tallava dhe rep. Shumë, shumë zhurmë!

Ndërkaq, tregtarët po e bëjnë ligjin në këtë vend ku edhe fshatari blen bukën në furrë dhe mishin e vezët në treg. Pulat tona kokoritin vep në kujtesë! Tregtarët shesin e blejnë gjithçka, përfshirë edhe veten e tyre! Ata më të mëdhenjtë bëhen deputetë ose ministra. Ose e kundërta! Po e shesin çdo gjë që ka vlerë tregu, veç a ka kush i blenë! Ka, si nuk ka!

U zgjova herët sot dhe pasi u vesha kuqezi vura edhe syzat rozë. Në rrugë burra me kostume të zeza e kravata të kuqe. Zonja me fund të zi e këmishë të kuqe, apo anasjelltas me fund të kuq e çorape të zeza shkelin rëndë sheshet e kryeqytetit!

Gëzuar njëqindvjetori atdhe. U rritsh e u gëzofsh e mos u plaksh kurrë!
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.