Tranzicioni dhe (proto)demokracia shqiptare ne Ballkan

23:44 / 29.11.2012

"Vetmia është më e mirë se shoqëria e keqe, ndërsa shoku i mirë është më i mirë se vetmia. Marrëveshja për të mirë është më e dobishme se heshtja, por heshtja megjithatë është më e mirë sesa marrëveshja për keq...”

1. Fillet e procesit të tranzicionit dhe logjika e tij e veprimit social

Në shumicën vendeve të sotme që dolën nga sistemi etatist (e padyshim edhe ai vetëqeverisës), koncepti i tranzicionit është detyrimisht pothuajse termi me i përdorur dhe më i përfolur si nga diskurset politike, ashtu edhe ato ekonomike, sociale e domosdoshmërish edhe nga ato kulturore. Në këto diskurse na ka rastisë që ky term nga njerëzit jo kompetent përpëlitet të fokusojnë interesimin e tyre ideologjikë, e jo aktin e shpjegimit shkencor. P.sh. nga ekonomistët, na ka rënë shpesh të dëgjojmë se si përdorimi i këtij termi më shumë ndërlidhet me periudhën kaluese apo proceset transformuese që evidentohen me ardhjen e demokracisë në vendet dhe shtetet postsocialiste, ndërkaq nga politikanet te ndërlidhet me proceset e konsolidimit te pluralizmit, sundimit te ligjit, lirisë së mediave etj. Ndërsa, tek sociologët, sa kam vënë re, termi më tepër u adresohet fenomeneve dhe dukurive që zakonisht e përcjellin këtë gjendje të gjithmbarshme sociale ku sfera e vlerave deviante konsistohet me tepër si pasojë se sa ndonjë shkak i vetë procesit në fjalë që lindë si nevojë dhe si aspiratë sociale, ekonomike e kulturore e një vendi apo shteti.

Duke mos dashur të krijoj një distancë mediokriteti me këtë dukuri, më duhet t’i adresohem shpjegimeve të shumta sociologjike që lidhur me këtë proces kanë shkruar dhe kanë debatuar “pamëshirshëm” nga shumë këndvështrime. Pra, do t’i adresohem këndvështrimit të sociologjisë amerikane, nga e cila mund të kuptojmë shumë çka si nga specifikat ashtu edhe nga natyra e organizimit shoqërorë, pastaj vlerësimet e ekspertizat profesionale që dolën nga shoqëritë dhe shtetet që i kanë kaluar apo ende janë duke i kaluar “ethet” e këtij procesi.

2. Tranzicioni shoqëror si proces transformues

Nëse dëshirojmë të japim ndonjë diagnozë të bazuar në përvojat e vendeve tjera, padyshim që duhet të nisemi nga një fakt i thjesht se me këtë proces nënkuptojmë para së gjithash kalimin apo dukurinë e transformimit prej një gjendje të caktuar apo një status quoje të caktuar sociale, pastaj sosh politike, ekonomike dhe gjithsesi kulturore etj. në një gjendje tjetër të re dhe të panjohur gjerë më tani për atë vend apo shtet. Ky do të ishte një përkufizim i përgjithshëm dhe në vija të trasha për tranzicionin. Mirëpo, në ndërkohë, në kuadër të këtij procesi të gjithmbarshëm transformues shoqëror, është interesant të identifikohen edhe disa procese tjera që në nënsisteme të këtij procesi ndodhin apo shfaqen varësisht nga specifikat dhe mentalitetet e shoqërive që e fillojnë dukurinë e ndryshimit. Kështu, secili vend apo shtet i udhëhequr sipas kësaj logjike dhe metodologjie tipike sociologjike, mund të themi se i nënshtrohet një formatizimi tjetër të “refuzimit” apo “pranimit” të vlerave të reja që i “ofron” procesi në fjalë.

Mund të ndodhë që vendet apo shtetet postsocialiste p.sh. që kishin një liri më të kufizuar (si ato staliniste) të shprehjes, mendimit dhe veprimit social të prodhojnë vështirësi nga më të ndryshmet, por mund të ndodhë edhe anasjelltas që vendet me një sfond më liberal këto vlera jo vetëm t’i pranojnë më lehtë, apo edhe t’i “përpijnë” siç po ndodhë tani rasti me shoqërinë shqiptare në të dy anët e kufirit! Një temë kjo tejet interesante për t’u elaboruar

3. Si e percepton sociologjia amerikane tranzicionin?

Në sociologjinë bashkëkohore amerikane, ky term apo ky koncept përdoret kryesisht për të ilustruar vendet dhe shtetet të cilat akoma se kanë arritur stadin e një vendi apo shteti me plotësi i cili e fuqizon demokracinë neoliberale. Meqë dilema e shprehur në përmbajtjen e këtij koncepti është esenca e të kuptuarit të vetë termit apo vetë dukurisë së ndodhur në shoqëritë e sipërpërmendura, atëherë kujtoj që me “faktin” dirkemian të tranzicionit duhet të nënkuptojmë aludimin në ndryshimin e sistemit ekzistues totalitar, pra regjimeve jo demokratike që i shfrytëzuan të gjitha format e mundshme të eksploatimit të qytetarëve të tyre, në sisteme demokratike ku vlerat e pluralizmit, mediave të lira, sundimit të ligjit si edhe mënyrës së qeverisjes me njerëz... janë dëshmitë e gjertanishme më të argumentuara në kuptimin e implementimit në jetën praktike.

Tani, nëse kërkojmë ndonjë histori të kësaj dukurie, atëherë padyshim duhet pajtuar që ky term për herë të parë është përdorur për të shënuar raportet sociale dhe ato politike në Amerikën Latine e më pas në Evropën Jugore, e pas vitit 1989 edhe në Evropën e Mesme, atë Lindore dhe Juglindore, dhe në fund edhe në të ashtuquajturin Ballkan Perëndimor (që përfshinte kryesisht ish republikat jugosllave, tani shtete të pavarura pothuajse të gjitha me radhë).

Kur është fjala tek Ballkani Perëndimor, në shkrimet e mëhershme kemi theksuar që sociologjikisht dhe padyshim politikisht ky term tani në gjeostrategjinë dhe në demografinë oficiele rajonale dhe atë globale, përfshinë plus Shqipërinë e minus Sllovenin. Është kështu edhe për shkak të shumë shkaqeve që tani s’është vendi dhe koha t’i elaborojmë, ngase adresimet pro et contra janë me bollëk në këtë drejtim.

Por, karakteristikat më të prekshme që e fuqizojnë peshën dhe rëndësinë e këtij procesi padyshim që janë edhe ato që ndodhin apo të paktën kanë ndodhur në ish vendet postsocialiste (nuk po e përdori termin postkomuniste, shkaku se asnjë vend në bote s’ka qenë në fakt komunist) që në fakt ishin jodemokratike edhe me formë edhe me përmbajtje, e që kanë të bëjnë kryesisht me sferën e ekonomisë.

4. Perceptimi sociologjikë mbi tranzicionin

Kalimi nga një formacion ekonomiko-politik (do shtoja edhe atë ideologjikë) me një ekonomi tipike centraliste, së bashku me një ushtri partiake tejet monolite përmes centralizmit demokratik (siç e shquante p.sh. socializmi vetëqeverisës mënyrën e vendimmarrjes) në një ekonomi të tregut, ku përmes rregullave të reja të lojës instalohet pluralizmi, prona private, ngritën kompanitë e reja të dala nga logjika e konkurrencës që i menaxhon shteti në fillim... është një pistë e duhur shkencore sociologjike për të kuptuar më mirë perceptimin mbi tranzicionin.

Kuptimi më i ndërlikuar apo edhe më kontrovers në fakt i tranzicionit, mund të elaborohet në rast se skalpeli i një sociologu të vëmendshëm do të mund të arrinte të zbulonte proceset e shndërrimeve të thella strukturore të proceseve nënsistemore. Pra, proceseve të cilat e ilustrojnë më së miri dhe më së qarti procesin e bartjes apo ndryshimit edhe të strukturave kompetente të sistemeve sociale, politike, ekonomike e sidomos atyre kulturore. Ndryshe, të kuptuarit është i mangët dhe si i tillë edhe mund të sjellë reperkusione të natyrës ideologjike dhe keqkuptime të ndryshme, si janë ai i improvizimit për gjëja ndërtimin e kapaciteteve dhe institucioneve tipike demokratike, ashtu siç fitohet përshtypja e disa vendeve dhe shteteve të rajonit.

Gjithashtu, në këtë “ekskursion sociologjik” për këtë proces shumëdimensional duhet tërhequr vëmendjen edhe tek sjelljet e mentaliteteve të vjetra sociale, të cilat nga përvoja e vendeve të Evropës Lindore dhe të asaj Jugore, gjithnjë janë dëshmuar si një pengesë tejet serioze në konsolidimin e demokracisë dhe vlerave që i riprodhon ajo me aktin e instalimit në një vend postsocialist. Reperkusionet e dala nga këto mentalitete sot janë bërë një ndër faktorët domethënës në pushtimin e hapësirave të reja që i ofron fenomeni i globalizimit dhe ai i integrimeve rajonale e globale.

5. Tranzicioni në Shqipëri - më i dhembshëm

Përvoja na ka dëshmuar në këto vende (sidomos në ato tipike staliniste, ku edhe Shqipëria padyshim radhitet ndër to) se procesi i transformimit të aparatit shtetëror p.sh. nga një leviatan “kompetent” për të ushtruar dhunë (ashtu e projektonte diskursi marksist këtë aparat) ndajë pjesëtarëve të vetë, në një servis publik për qytetarët e vendit ka qenë tejet i dhimbshëm dhe tejet i ngarkuar me stereotipi ideologjike. Kjo ka bërë që edhe sot e kësaj dite, disa nga këto projeksione e stereotipi të shfaqën herë pas herë me dimensione ca më të sofistikuara edhe në aulën e parlamentit shqiptar.

Kjo dukuri e hijes së stereotipive ideologjike, pa mëdyshje mund të shpjegohet edhe si pasojë e mungesës së shkatërrimit definitiv të autoritetit totalitar dhe kujtojë kontestimit të proceseve zgjedhore së bashku me reformimet në nënsistemet e shprehura në fushat e ekonomisë, ato sociale dhe padyshim ato në sferën e kulturës. Edhe Kosova, në këtë drejtim do thosha s’bënë ndonjë përjashtim të theksuar.

Tranzicioni si akt dhe si veprim social, ekonomik e politik, pa dyshim që ka për mision dhe imperativ edhe përgatitjen e atyre vendeve dhe shteteve në minimizimin e faktorëve joekonomikë dhe atyre politik, në mënyrë që faktorët tjerë ekonomike dhe përgjithësisht ata ekonomik të jenë agjentë vendimtarë në krijimin e mirëqenies së qytetarëve të vetë.

Kësaj periudhe kalimtare gjithsesi i takon “merita” për vazhdimin e “bashkëjetesës” së mëtejme me identitetin kombëtar që kur të analizohet nga pozicioni ynë na del se kosovarët në mungesë të ndërtimit të identitetit shtetëror, identitetin kombëtar e ndjejnë shumë më të natyrshëm dhe më të freskët se sa bie fjalë vendet dhe shtetet që në një mënyrë ishin “ngopë” me këtë nevojë! Produkte tjera të kësaj periudhe padyshim janë edhe rritja e ksenofobisë, keqpërdorimet dhe korrupsioni në sferën e privatizimit që po i përcjellë të gjitha vendet me afera dhe skandale të ndryshme, si edhe ndryshimet thelbësore në sferën e shtresëzimit social (në mënyrë tërësisht të panatyrshme për çka kemi tërhequr vërejtjen në shkrimet e mëhershme) që katapultuan një shtresë të re të pasurve në mënyrë jo meritore. Pra, jo duke hyrë në një konkurrencë luajale me rregulla dhe parime të njohura dhe të verifikuara nga përvoja e vendeve dhe shteteve me një traditë të gjatë demokratike.

Dukuria e tranzicionit, meqë tani po kualifikohet dhe nënkuptohet si një periudhë kalimtare... sipas mendimit të shumicës së sociologëve merr fund vetëm me krijimin e parakushteve për media të lira, zgjedhjen e një qeverie të lirë demokratike, pastaj me ushtrimin e një pushteti ligjdhënës me formacione ekzekutive, si edhe detyrimisht me instalimin e një gjyqësori të lirë të pavarur nga politika dhe komplekset ideologjike të së kaluarës.

6. Protodemokracia kosovare dhe demokracia si diktaturë e ligjit

Termi që më së shumti me gjysmë zëri shqiptohet në qarqet akademike, por jo edhe gjithaq në ato politike, është padyshim ai i shquar dhe i identifikuar si protodemokraci (proto-democracy). Termi në fjalë më së miri ilustron statusin social, atë ekonomik, e sidomos atë kulturor të një vendi apo shteti që është në përpëlitje e sipër në ndërtimin e kapaciteteve dhe institucioneve të reja demokratike. Pra, thënë më thjeshtë: tentativa për t’i instaluar vlerat e reja jo vetëm në formë improvizimi, ashtu siç zakonisht ndodhi apo të paktën po ndodhë në disa vende që janë duke përjetuar akoma “ethet” e kësaj periudhe, por edhe në përmbajtje dhe esencë të përvojës nga vendet me një traditë të dëshmuar demokratike perëndimore.

Këtë tip mund ta hasim në vendet e Evropës Lindore dhe ta asaj Jugore, por gjithsesi në këtë kuadër duke përfshirë edhe pjesën e Ballkanit Perëndimor, pra edhe neve si Kosovë. Duhet cekur që ani pse këto vende posedojnë atë “ikonografinë” e nevojshme institucionale, siç janë Kuvendi, sistemi pluralist politik, pastaj bazën e qeverisjes përfaqësuese, së bashku me mekanizmat e organizimit të zgjedhjeve të lira dhe procedurat gjyqësore, së bashku me korpusin e mediave të lira, ato prapëseprapë s'mund të themi se janë vende apo të paktën që akoma shquhen si vende në kuptimin e plotë demokratike.

Themi s’janë demokratike, apo nuk na bindin se janë tamam tipike demokratike edhe për faktin se nuk përfaqësojnë akoma limitet e normave dhe të vlerave, pra parimet fondamentale të mundësive të barabarta të llogaridhënies, përgjegjësisë dhe transparencës në shumicën e sferave të jetës shoqërore, politike, ekonomike e sociale. Pra, shkurt, demokracinë si një diktaturë të ligjit që respektohet nga të gjithë, pa hetuar dallime racore, etnike, ideologjike, fetare, gjinore etj.

7. Demokracia në Kosovë - akoma një synim

Kosovës, kur t'i shtojmë edhe mbikëqyrjen strikte nga ana e faktorit ndërkombëtar apo nga qendrat e vendosjes globale, kuptojmë se ideja e instalimit të demokracisë së mirëfilltë në realitet është apo mbetet akoma vetëm një synim e dëshirë e qytetarëve të saj, edhe për faktin se shumicën e vendimeve të rëndësishme jo vetëm për sigurinë, gjyqësinë, pastaj rendin etj. , nuk i bien vetëm qeveritarët e zgjedhur me votën e lirë, por edhe qendrat tjera globale që janë duke e menaxhuar gjithë procesin e instalimit të këtij sistemi në këtë pjesë të rajonit.

Kështu, për rastin e Kosovës, për të ilustruar këtë lloj apo tip demokracisë, term më adekuat se termi i protodemokracisë tani për tani unë nuk mund të themi se kemi. Kjo është e kuptueshme dhe kujtoj e pranueshme edhe për një arsye tjetër, se Kosova de facto dhe de jure në një mënyrë apo si shumica e vendeve të dala nga ish sistemi postsocialist, nuk kishin ndonjë përvojë të gjatë dhe të theksuar (e për të mos thënë asfare) në ndërtimin e kapaciteteve dhe institucioneve të reja demokratike.

Gjithashtu, duhet cekur që sot në shumicën e rasteve në diskurset politike, por edhe ato shkencore sociologjike mund të dëgjojmë edhe për terma tjerë ilustrativ për gjendjen dhe statusin sociale, politik, ekonomik e kulturor të vendeve që kanë filluar të ndërtojnë apo i kanë përfunduar së ndërtuari institucionet e reja demokratike. Më së shpeshti nga kjo terminologji do shtoja përdorën termat dhe konceptet tashmë të njohur ndër qarqet akademike, si janë ato mbi një "demokraci të brishtë", "demokraci të kontrolluar" , "demokraci të pakonsoliduar", "demokraci fillestare", “demokraci e tranzicionit”, “demokraci pa “demokraci” , “demokraturë” etj.
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.