(Pa)Varësia e Shqipërisë

19:32 / 30.11.2012

Kur evokojmë në retrospektivë analet e historisë sonë kombëtare, perceptojmë një histori të përcjellë me shumë sakrifica dhe eskalime të vështira, deri te realizimi i ëndrrës së madhe shekullore: lirisë dhe pavarësisë.

Kudo në trojet shqiptare shohim se ishte një dozë dëliri dhe euforie ndaj ndjesisë së manifestimit të pavarësisë, e cila aktrohet që nga sfilatat amatore të rrugëve deri te ato akademike. me tendencë të eskalimit në eufemizëm kolektiv.

Fatkeqësisht, këto manifestime nuk janë pjesë e ndonjë projekti të përbashkët të kombit shqiptar, apo koordinim në nivel të akademive të shkencave.

Ka edhe prej politikanëve intelektualë - ashtu siç thotë Abdi Baleta, me ide transnacionale - që nuk duan as ta trajtojnë çështjen e bashkimit të shqiptareve, atë që e S. Huntington e ka cilësuar si “Tradhtia Nacionaliste”. Andaj, kjo opozitë e politikes shqiptare sigurisht e urren bashkimin e tokave shqiptare.

Gjatë trendit të sotëm të simfonisë festive, nga Vlora deri ne Merdarë, e që nga Saranda deri në Mitrovicë, askush nuk e përmend decidivisht çështjen e bashkimit tonë si komb, e aq më pak përkujtimin e së kaluarës sonë sa ishim dhe deri ku shtriheshin kufijtë tanë; sa shpërngulje dhe internime, vrasje e gjenocid është ushtruar mbi këtë komb. Askush se potencon pse sot jemi më të copëtuar se në kohen e Lidhjes së Prizrenit. Askush, them institucionalisht si mekanizëm shtetëror, nuk e pasqyron sot Platformën e lidhjes se Prizrenit dhe ideologët e kësaj lidhjeje, thuajse kushtetutat që i kemi sot janë fillimi i historisë sonë si komb.

Sipas këtij konteksti del se kemi një Pavarësi të Shqipërisë londineze dhe një varësi të shqiptarëve nga:

Varësia Sociale: Sot nuk është duke u bërë sa duhet që elementi kombëtar shqiptar të formësohet me identitetit të mirëfilltë që nuk lejon etnocentrizem dhe mohim ideologjik të njërit mbi tjetrin. Nuk respektohet dhe nuk çmohet sa duhet ajo që shqiptaret i ka ruajtur si identitet pa u asimiluar në identitet tjetër - për tu helenizuar apo sllavizuar.

Duke iu referuar historiografisë kuptojmë se ka një numër të konsideruar të shqiptarëve, kryesisht ortodoksë, të cilët kanë jetuar deri në shekullin XIX në Maqedoni, Greqi, Mal te zi, Kroaci dhe vise tjera, por sot janë asimiluar dhe nuk ndihen shqiptarë.

Varësia sociale kryesisht imitohet në trend të aktualitetit të politikës globales, pa shikuar se sa rrezikohet tradicionalja dhe autoktonia.

Varësia politike: “Shtetet dhe ideja e formimit të shteteve të reja shqiptare tregon se sa të pasigurta ndjehen shtetet që janë krijuar deri më tani. Kështu ishte edhe projekti i formimit të shtetit shqiptar pezull; kështu pezull mbet sot e kësaj dite edhe fati i entiteteve tjera që mbeten jashtë kufijve të këtij shteti. Sipas konceptit të Aristotelit se ‘qytetari është vetëm një njeri i lire’, projekti mbetet pezull edhe pezull mbetet sistemi i funksionimit të shteti, derisa qytetari sot është jo i lirë po politik, dhe gjithmonë në presion të saj, nga fuqizimi i shtetit aty ku mungon, dhe mungesa e saj aty ku duhet të fuqizohet”, thotë Hysamedin Feraj.

Për dallim nga Evropa Perëndimore, ku pozitat dhe kultura e politikanëve dhe të politikës, si dhe personelit të saj paraqiten më të qëndrueshme dhe në ndryshime të ngadalta, sipas një gjeostrategjie kombëtare dhe nacionale, në rajonin tonë marrëdhëniet e politikanëve dhe të politikës ndaj shoqërisë janë të vështira për t’u përcaktuar.

Varësia ekonomike: Nëse flasim për Kosovën, vazhdon të jetë shqetësuese diferenca e madhe në bilancin tregtar midis eksporteve dhe importeve, aq më shumë që varësia ekonomike krijon anomali të pakthyeshme në nivelin e relacioneve shoqërore, duke prodhuar atavizma social dhe kulturor, deri në përmasa të degjenerimit të identitetit dhe humbjen e integritetit të shoqërisë me të cilën jemi mburrur me shekuj.

Çrregullimi i raporteve ndër-personale të personave në vende të punës, të ardhur mbi baza nepotiste, kanë ndikuar në zbehjen e hallkës së solidaritetit shoqëror.

Varësia psikologjike apo patologjike: Sot pak bëhet fjalë për traumat, efekte e tyre psikologjike, konfliktet, të drejtat e njeriut - ku hyjnë edhe të drejtat e besimit dhe implementimit institucional - andaj, është mirë të njoftohemi dhe të krahasohemi edhe me vendet e civilizuara.

Deri dje patëm një armik të përbashkët; u mobilizuam i madh dhe i vogël për të ju kundërvënë, po në një mënyrë edhe u ofruam në krahët e miqësisë së njeri tjetrit. Sot, me largimin e këtij armiku shekullor, sikurse i kemi kthyer kthetrat drejt njëri-tjetrit.
Në këtë aspekt, për dhunën dhe mungesën e tolerancës të shohim se si shprehet Vaclav Haveli, ish kryetar i Çekisë, nobelist, i cili ndër të tjera ka theksuar se "dhuna është padrejtësi për qenien njerëzore".

Kur flasim për lirinë, urrejtjen dhe smirën, është e rëndësishme të kujtojmë porosinë e Martin Luter Kingut - udhëheqës i lëvizjes për të drejtat qytetare të zezakëve - se "urrejtja e prekë atë që urren aq sa e prekë edhe të urryerin”!

Andaj, përveç tjerash, në këtë përvjetor të pavarësisë ia vlenë të ndalemi dhe të mendojmë nga aspekti individual deri në instancat më të larta në projektin e të madhit Sami Frashri, në “Shqipëria çka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”. Përndryshe, nga brezat që do të vijnë nuk do të jemi të denjë të kërkojmë të na bashkohen në festimin e pavarësisë. Natyrisht, nëse arrijmë së paku të shpëtojmë nga varësia e tjetërsimit kolektiv në këtë kohë dinamike të globalizimit.

 

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.