Kush e vodhi Isa Boletinin?

19:39 / 30.11.2012

Pyeta një nxënës 12 vjeçar nëse ka dëgjuar ndonjëherë për Ismail-Qemal bej Vlorën. Mu përgjigj se ka dëgjuar për Ismail Qemalin, por jo për Ismail-Qemal bej Vlorën. “Mirë”, i thash, “kush ishte pra Ismail Qemali”. “Ai që e ka ngritë flamurin” mu përgjigj. “Po për Isa Boletinin a ke dëgjuar ndonjëherë”? “Po”, tha, “ai që e ka puthë flamurin”. “Po përse Isa Boletini nuk e ka ngritur flamurin, dhe pse Ismail Qemali nuk e ka puthur flamurin”, e pyeta. “Ku e di unë, kështu na kanë thënë në shkollë”, u përgjigj.

Ky është stereotipi që është krijuar që nga ardhja e komunistëve në pushtet. Në fakt, nuk ka asnjë dëshmi që Isa Boletini ta ketë puthur flamurin. Gjetja artistike e skenaristit të filmit “Nëntori i Dytë” është në funksion të krijimit të prototipit të caktuar që do të portretizonte shqiptarët e Kosovës në funksion të pushtetit të Enver Hoxhës.

Aktori në rolin e Kryeministrit të parë të Shqipërisë, Ismail-Qemal bej Vlora, paraqet jo fjalët dhe sjelljet e Ismail-Qemal bej Vlorës, por ato të Enver Hoxhës. Lexuesit do t’i kujtohet skena nga filmi “Nëntori i Dytë”, kur Peshkopi grek i Durrësit i përkujton Ismail-Qemal bej Vlorës se politika është përzgjedhja e së keqes më të vogël mes dy të këqijave, kur kinse Ismail-Qemal beu përgjigjet se ne nuk do ta pranojmë asnjë të keqe, as të keqen më të madhe e as atë më të voglën. Një budallallëk të tillë ka mundur ta flasë vetëm Enver Hoxha, por jo një diplomat i kalibrit perandorak siç ishte Ismail-Qemal bej Vlora.

Roli historik i Isa Boletinit në Vlorë ishte krucial, sepse ai me 300 apo 400 trimat e tij (nuk po dihet akoma sa ishin, se asnjë historian nuk na e publikoi listën e potë të emrave të këtyre trimave), siguroi rend dhe rregull në atë pak territor të mbetur rreth Vlorës, që shërbeu si territor inicial i shtetit shqiptar.

Por, skenaristi këtë fakt historik nuk e vuri në dukje. Për të ishte më rëndësi që Isa Boletini ta puthte atë që kishte ngrehur Ismail-Qemal bej Vlora. Kjo sepse Enver Hoxhës i interesonte t’i portretizonte shqiptarët e Kosovës si trima të ndezur për atdhe, por malokë që fetishizojnë simbolet (puthja e flamurit).

Në film nuk paraqitet fakti se po nga Mitrovica e Isa Boletinit para tij kishin arritur në Vlorë intelektualët, që të dy nënshkrues të aktit të pavarësisë së Shqipërisë: Rexhep Mitrovica e Dervish Mitrovica. Derisa i pari u dekorua nga Presidentja e Kosovës me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ky i dyti, babai i gazetarit të mëvonshëm Xhelal Mitrovica, u harrua fare nga Presidentja e Kosovës. Madje, edhe Peja përfaqësohej me dy intelektualë: Bedri Pejanin e Salih Gjukën. Por, kjo nuk i interesonte Enver Hoxhës dhe skenaristëve e regjisorëve të tij.

Ka qenë e pritshme që në këtë 100 vjetor, në vend se te theren desh e të punohet ëmbëlsira gjigante, të bëhet një film për shpalljen e pavarësisë në Vlorë, ku aktori kryesor në mos arrinte ta transmetonte karakterin e Ismail-Qemal bej Vlorës, të paktën do ta transmetonte karakterin e Sali Berishës. Të paktën, ky do t’ishte një përparim.

Kryeministrit të parë të Shqipërisë nuk iu rikthye mbiemri as për këtë festë. Në fjalimet e zyrtarëve, atij akoma i përmendej emri Ismail Qemali, ashtu si e pat pagëzuar Enver Hoxha, e jo se si në të vërtetë quhej: Ismail-Qemal bej Vlora.

Por, atij që iu bë e padrejta më e madhe në këtë përvjetor ishte Isa Boletini. Eshtrat e tij të zhvarrosura 14 vite më parë mbeten ende të pa rivarrosur. As përkujtimi në aktin e tij kulmor, të para 100 viteve, nuk mjaftoi që eshtrat e tij të rivarrosen në Boletin.

Për të qenë ironia edhe më e madhe, me shumë bujë u paralajmërua ngritja e përmendores së tij në qendër të Mitrovicës. Kur ajo u soll, qytetarët panë se ajo ishte jo një skulpturë origjinale, e as kopje e një origjinali , por ishte kopja e plagjiatit të skulpturës së Davidit të Michelangelos i punuar pesë shekuj më parë (1501-1504). Davidit i ishte vënë plisi dhe hedhur në prehër flamuri me shqiponjë.
Ky është një turp e shkuar turpit. Kur vizitorët do të kalojnë urën e Ibrit nga veriu në jug të Mitrovicës, do të shohin skulpturën e Davidit me plis në kokë. Kur të afrohen pranë do të shohin mbishkrimin Isa Boletini (1864-1916).

Për më tepër, për dallim të fytyrës së bukur të Davidit dhe pamjes joshëse të Isa Boletinit që impresiononte edhe zonjat e Londrës, skulptura plagjiat e paraqet Isa Boletinin me fytyrë të egër prej maloku. Skulptori si duket ka harruar se Isa Boletini ka jetuar me vite të tëra në Stamboll dhe fytyra e tij kish pamje shumë civile, siç shihet edhe në foton e tij të bërë nga koloneli Thompson. Edhe pse Isa ishte pa shkollë, djemtë e tij ishin me shkollë dhe kjo tregon prirjen e tij kah dituria.

Fotografia e Isës e bërë nga koloneli Thompson është ajo që është dashtë të jetë model për përmendoren e Isa Boletinit, sepse kjo pamje ishte ajo që i impresionoi perëndimorët dhe jo ajo se si i shihte Enver Hoxha shqiptarët e Kosovës.

Duke parë skulpturën plagjiat në qendër të Mitrovicës (në art e në shkencë plagjiat do të thotë ide e vjedhur), një artist i huaj më ngushëlloi me fjalët: “Ndoshta kaq janë mundësitë e kosovarëve. Në të ardhmen do të keni edhe ju artistët e juaj që do të bëjnë skulptura origjinale”.

Ironia është se që nga paslufta, skulptori mitrovicas Miftar Istrefi më pat lodhur duke më ftuar në studion e tij, apo sa herë që më takonte rrugës, duke më shfaqur idetë e tij për përmendoren e Isa Boletinit. Herë më thoshte do ta bëjë shtatë metra, herë 14, herë 20. Më pyeste për qëndrimin e Isës në rrethanat historike. E studionte karakterin e tij. Gjatë tërë këtyre bisedave e shfaqte patriotizmin lokal, duke thënë “ne shaljanët”, “Isa si shaljan” etj.

Por, përmendorja e Isa Boletinit nuk iu besua këtij skulptori. Kjo për arsyen se kryetari i Komunës së Mitrovicës dhe sejmenët e tij nuk e kanë hallin që të bëhet si duhet një përmendore, por si me zhvatë sa më shumë para. Dhe, nuk i mjafton që vjedh taksat e të gjallëve, por edhe Isa Boletinin e vdekur 96 vjet më parë.
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.