Vlorës i ka hije flamuri, por Tirana është kryeqytet

19:53 / 1.12.2012

Shumë premtime dhe në fund nisja. Ndoshta njëqind vjetori ka qenë vendimtar.

Kolegu i punës i cili nuk ka “xhepa të thellë” telefonon vonë në mbrëmje se ka arritur nga një fshat i Drenicës në Prishtinë. Ftesa duket si mahi, ngase shumë nga ata shqiptarë të Kosovës që mësynë Shqipërinë në këtë përvjetor, nuk ishin as politikanë e as të pasur siç mund të thuhet. Por, dashuria e pafund ndaj atdheut i shtyri të udhëtojnë atje ku para njëqind vjetësh, Ismail Qemali me shokë, nuk kishte pritur as kohë as kushte më të mira për të arritur në Vlorë, ku do të shpallte pavarësinë e shtetit shqiptar, pas më shumë se pesëqind vjetësh nga vdekja e Skënderbeut.

Asnjë përgatitje nuk kemi tjetër. Kemi lekë sa për të kaluar me modesti dy net e ditë të plota në Shqipëri.

Nuk kemi prekur ende autostradën e cila tashmë lidh Tiranën me Prishtinën. Pas disa ngarendjeve për të marr me vete edhe një djalosh nga Drenasi, i cili nuk ka pasur rast të shoh Shqipërinë, makina drejtohet në rrugën e duhur.

Autostrada e re nuk është përuruar ende. Akti solemn është paralajmëruar për të nesërmen. Shoferi ynë ia mësynë shtegut të ri, por roja nuk na lejon të udhëtojmë andej. Kthejmë nga Malisheva për t’u kyçur në autostradë diku afër Suharekës. Gjithçka shkon mirë. Vullneti i fort dhe dashuria ndaj atdheut nuk lë mëdyshje as defekte. Makina funksionon mirë. Rruga është bukur e gjatë.

Udhëtimi drejt Vlorës tashmë nuk është i pamundur. Ora shënon 4 e 45 minuta të mëngjesit dhe ne zbresim nga makina në Vlorë, krejt pranë shtëpisë ku Ismail Qemali ngiti flamurin. Gjithçka shkëlqen në qytet. Agu ka filluar të ndriçojë bulevardin. Shihen vetëm pastruesit e rrugëve. Para përmendores ka ende punë të vogla, pas renovimit të sheshit. Lokalet fillojnë të hapen. Dy-tre e katër kafene aty afër tashmë ofrojnë pritje. Një vlonjat na fton më me vendosmëri. Na gostitë me nga një çaj dhe nuk na lë të paguajmë.

Shokët janë të lodhur, ata vendosin të bëjnë pak gjumë në makinë. Ende nuk ka lëvizje njerëzish. Më i moshuari vendos të mos fle, por të lëvizë për të parë qytetin më mirë e më shumë. Rrugë e gjatë përpara. Asgjë nuk na ndalon të kontaktojmë me njerëz të gjakut e gjuhës. Ngritja e ndonjë gote në mëngjes, na këndellë. Nuk ka fjalë të cilën nuk e kuptojmë nga njeri tjetri.

Mahitemi me bashkëbiseduesin se si nuk paska nevojë për përkthyes shqip-shqip. Mjafton ta duash Shqipërinë ashtu siç është, ashtu çfarë e bëjmë ne vet. Një ngritje gotash dhe një gëzuar për takimin. Një gëzuar pas njëqind vjetësh, atje ku duhet, aty ku para një shekulli burrat e dheut nga të gjitha viset shqiptare nuk njohën asnjë pengesë për të udhëtuar në Vlorë, për të shpallur aktin vendimtar.

Rexhepi, Muhameti e Ardiani me mua ,tashmë të zgjuar, paralel me diellin e lirisë, ecim nëpër sheshin e pavarësisë. Njerëzit kanë filluar të lëvizin më shumë. Dita ka filluar të ngrohet. Dielli shkëlqen edhe më shumë, ndërsa hapja e restoranteve vazhdon dhe tashmë mund të zgjedhim se ku do të ulemi. Vendosim të drekojmë aty pranë. Gjithçka ecën si më mirë. Bulevardi i ndarë me pano ngjyrash adekuate me përvjetorin dhe emra qytetesh nga të gjitha trevat shqiptare - gjallërohet. Aty ka vend për Mitrovicën, për Gjirokastrën, për Shkupin, për Preshevën e për Ulqinin.

Nuk jemi nga ata që kanë pasur rastin për të parë e vizituar gjithë qytetet e Shqipërisë, por duket sheshazi se vlonjatët nuk kanë lejuar çoroditjen urbanistike. Bie në sy një rregullim dhe ndërtim që nuk shihet në qytetet tjera. Ne vërtetë nuk ia kemi dalë të vizitojmë çdo pjesë qyteti, por në Vlorë shihet ashiqare një kulturë ndërtimi, që këtij qyteti i jep atributin e të parit, që i afrohet me pamjen e tij një qyteti perëndimor të pëlqyeshëm. Jemi të vetëdijshëm se për të parë më mirë Vlorën na duhet më shumë kohë e mjete materiale.

Nuk na interesojnë gjithë ato thashetheme për ndarjen e festës. Marrim pjesë në akademinë e ndarjes së disa dekoratave të nderit në shtëpinë e kulturës “Petro Marko” në Vlorë. Në bulevard shoqërojmë orkestrën e daulleve të cilave u prin dirigjenti. Muzika e trokut të kuajve të rrëqethë. Na duket sikur ngarendim me vet kalorësit e Skënderbeut, të Ismail Qemalit e Isa Boletinit drejt Vlorës.
Ne jemi edhe në solemnitetin e përurimit të shtatores së Ismail Qemalit. Nuk na interesojnë fjalimet e politikanëve. Jemi ngopur me ligjërata përçarëse bajate. Na intereson Shqipëria.

Dita e 27 nëntorit na ngrysë në Vlorë. Ne nuk presim. Do të udhëtojmë për Durrës. Jemi mësuar tashmë me gjumin që na ofrohet atje.

Durrësi plak na pret pa shumë zhurmë. Atje ka konak për këdo dhe me çfarëdo “xhepash”. Mikpritja është e zakonshme. Darka dhe dhoma e fjetjes nuk janë problem. Takojmë edhe shokë të vjetër të cilët si kemi par me vite.

Pas natës së këndshme, mëngjesi na ofron mundësi të prekim ujin e detit për të cilin, shpesh na merr malli.

Pas ndihmës që i ofruam katër shokëve që kishin mbetur në rrugë për shkak të një defekti makine, drejtohemi nga Tirana. Në kryeqytetin tonë arrijmë bukur herët. Tirana është përgatitur për festë. Mësojmë se liderët aktual sot do të jenë në Vlorë për të respektuar protokollin e shtetit në këtë përvjetor të madh. Ata kanë një udhëtim jo pak të gjatë. Sheshi qendror i Tiranës ofron vend për të gjithë. Drekojmë edhe këtu. Ushqimi duket i mirë dhe me shije.

Duhet të mësohemi të respektojmë në rend të parë shtetin. Kemi halle e mospajtime të gjithë, ama shekulli i pavarësisë qëndron mbi të gjitha.

Kishim mundësi të jemi në Vlorë e të kthehemi pastaj në Tiranë gjatë ditës, por mundemi edhe kështu të jemi këtu për të festuar, për t’u kënaqur me Tiranën tonë. Bulevardit të Tiranës për pak prekim edhe piramidën, atë ndërtim të kohës që tashmë është bërë pikë orientimi. Në brendi të sheshit janë vendosur edhe bustet e Naimit, Samiut e Abdylit . Mirë që i kanë sjellë këta kolosë të kombit nga Frashëri në kryeqytet, them me vete. Nuk lëmë pa parë edhe Lanën, rregullimi i së cilës tashmë i jep pamje të civilizuar kryeqytetit.

Nuk është aty ndonjë shesh i madh siç mund të thoshte ndonjë kritik, por ama shtatorja e komandantit, e punuar si duhet, shkëlqen me gjithë madhështinë e luftëtarit të lirisë dhe bashkimit. Shumë lule e kurora janë vendosur bri bazamentit. Shumë njerëz nga të gjitha viset shqiptare nderojnë ushtarin e atdheut.

Gjithkush ecën lirshëm. Gjithçka rrjedh pa imponim. Shqipëria është ashtu si do ta shohësh. Shqipëria është e dashur aq sa e donë. Shqipëria të ofron aq sa i ofron ti. Mund të të shkojë mendja gjithkah, ama lumturinë e qëndrimit aty në zemër të Tiranës e krijon vetë.

Ashtu si rrjedh gjithçka në atë lëvizje masash të njerëzve nga të gjitha trojet shqiptare, krejt rastësisht, për më shumë se një orë, na shoqëron një epror i lartë ushtarak shqiptar. Me të bisedojmë për jetën tonë, për të kaluarën e mundimshme, por edhe për të sotmen dhe të nesërmen. Të gjithë pajtohemi se duhet të punojmë më shumë. Pajtohemi se shqiptarët sot me dy shtete në Ballkan kanë edhe shumë punë për të bërë. Pajtohemi se ende nuk jemi punëtorë sa duhet. Pajtohemi se trojet tona kanë të gjitha të mirat materiale që na i ka dhuruar Zoti, por duhet të mësojmë e punojmë më shumë. Pajtohemi se kemi shumë më shumë gjëra që na bashkojnë se që na ndajnë. Pajtohemi edhe më faktin se dembelinë e kemi më shumë të përbashkët. Pajtohemi se kemi merak te lëvdohemi e të shtirem pak me shumë patriot se që jemi.

Këto ditë zyrtarët ndanë shumë dekorata e mirënjohje, thotë njeri nga bashkëbiseduesit Në ketë ditë të madhe, shqiptarëve u bëjnë dritë më shumë se kurdo herë themeluesit e alfabetit të Manastirit, Fishta e Mjeda me shokë, por edhe ata të Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës së njësuar shqipe: Mahir Domi, Shaban Demiraj e Stefan Prifti.

Këto ditë u ndanë shumë mirënjohje “Qytetar nderi” ndaj nuk do të prishte punë sikur në këtë përvjetor të akordohej edhe mirënjohja “Katundar nderi”, thotë me shaka njeri nga të pranishmit.

Nesër duhet të kthehemi në punë.

Fishekzjarrët shënojnë fundin e qëndrimit tonë në Tiranë.
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.