HIV/AIDS-i: Të gjithë jemi të thirrur të veprojmë

20:01 / 1.12.2012

Sot, më 1 dhjetor, është Dita Ndërkombëtare kundër HIV/AIDS-it. Sot flitet e shkruhet shumë për këtë sëmundje. Organizohen konferenca, debate, shpërndahen informata me qëllim të vetëdijesimit sa me të madh të popullatës, e sidomos grupeve me rrezik të lartë. Në fakt do të duhej që gjatë tërë vitit të ketë një përkushtim më të madh të të gjithë akterëve të përfshirë në parandalimin e HIV/AIDS-it.

HIV/AIDS-i në botë është nder problemet më madhore dhe paraqet një ndër sfidat më të mëdha dhe prioritare për shëndetësinë mbarë botëror. AIDS-i vazhdon të jetë njëra ndër sëmundjet më vdekjeprurëse që ka njohur njerëzimi. Sipas të dhënave të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara për HIV/AIDS (UNAIDS), mbi 34 milionë njerëz jetojnë me HIV në gjithë botën, prej të cilëve 2.5 milionë janë diagnostikuar kohëve të fundit.

Që nga viti 1986 deri më sot mbi 86 raste të të infektuarve me HIV/AIDS-it janë regjistruar në Departamentin e Epidemiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë. Gjashtëdhjetenëntë për qind i takojnë gjinisë mashkullore dhe 31 për qind gjinisë femërore.

Numri i raportuar i njerëzve që jetojnë me HIV/AIDS është rritur në vitet e fundit, krahasuar me periudhën para vitit 1999. Përkundër kësaj, Kosova vazhdon të renditet ndër vendet jo problematike sa i përket përhapjes së këtij virusi. Në sistemin e UNAIDS-it për klasifikimin e HIV/AIDS-it, Kosova bën pjesë në grupin e vendeve me prevalencë të ulët. Megjithatë, në vendin tonë ekzistojnë të gjitha parakushtet që numri i personave me HIV të rritet.

Në Kosovë ekziston një numër relativisht i madh i popullatës së re e cila ballafaqohet me ndryshimin e normave dhe sjelljeve, në anën tjetër, industria e seksit komercial në rritje, rritja e përdoruesve të drogave (sidomos atyre intravenoze), shkalla e lartë e migrimit të popullatës, mungesa e dialogut në familje mbi edukatën shëndetësore, mungesa e informacionit të drejtë mbi mundësinë e infektimit me virusin HIV, janë indikatorë për rritjen e numrit të personave të infektuar me virusin HIV.

Aktualisht, mjeti i vetëm me të cilin mund të bëhet parandalimi i HIV/AIDS-it është vetëdijesimi i popullatës mbi virusin HIV dhe informimi për pasojat që mund të sjell në jetën e individit të infektuar. Institucionet relevante që merren me trajtimin e HIV/AIDS-it janë ato që duhet t’i marrin hapat e nevojshëm dhe të domosdoshëm për të parandaluar rritjen e numrit të personave HIV pozitiv. Shkollat, mediat dhe organizatat joqeveritare po ashtu mund të luajnë rol të rëndësishëm në këtë drejtim, duke i vetëdijesuar të rinjtë dhe popullatën në përgjithësi mbi mundësinë e infektimit me virusin HIV.

Duke marrë parasysh shpejtësinë e shpërndarjes së HIV/AIDS–it, rrezikun që i kanoset shoqërisë sonë në të ardhmen dhe urgjencën e veprimit, kombinimi i formave të ndryshme intervenuese me qëllim parandalimin e HIV/AIDS-it (sigurimi i shërbimeve të nevojshme si këshillimi dhe testimi vullnetar në të gjitha qytetet e Kosovës, mbrojtja e transmetimit nga nëna te fëmija, stimulimi i dialogut në komunitet, pastaj përfshirja në shkolla e një plan-programi mbi edukimin shëndetësor), janë hapa të cilët do të mundësonin zvogëlimin e përhapjes se virusit HIV.

Duhet kujtuar se trendi i përhapjes së HIV/AIDS-it në vendin tonë varet nga përpjekjet tona të tanishme për parandalim.

Kosova ka nevojë për më shumë mbështetje financiare për luftimin e HIV/AIDS-it, duke pas parasysh që numri i personave që kanë nevojë për trajtim nga kjo sëmundje po rritet vazhdimisht. Në këtë drejtim, një ndihmë e madhe për Kosovën është Granti i Fondit Global për HIV/AIDS (Global Fund for HIV/AIDS), të cilin Kosova e ka fituar dhe i cili fond ka përforcuar mekanizimet dhe institucionet përkatëse për parandalimin e HIV/AIDS-it në Kosovë e po ashtu edhe trajtimin dhe integrimin e personave të infektuar dhe atyre të afektuar nga HIV/AIDS-i.

Ndër çështjet më të mëdha dhe shqetësuese për njerëzit që jetojnë me HIV/AIDS dhe familjaret e tyre është stigmatizimi dhe diskriminimi. Pasojat e stigmatizimit dhe diskriminimit lidhur me HIV/AIDS-in shtrihen më gjerë se vetëm të njerëzit të cilët jetojnë me HIV/AIDS. Njerëzit, të cilët nuk e dinë HIV statusin e tyre nga frika se do të stigmatizohen, frikësohen të bëjnë testin dhe jetojnë në ankth pa e ditur HIV statusin e tyre dhe në të njëjtën kohë mund të përhapin infeksionin tek personat e tjerë. Gjithashtu, stigmatizimi i pengon njerëzit të flasin dhe të informohen rreth HIV-it si shkaktar kryesor i sëmundjes dhe vdekjes. Stigmatizimi iu ndalon njerëzve të infektuar me HIV për të kërkuar këshilla, marrjen e duhur të kujdesit psikosocial dhe mjekësor dhe marrjen e masave parandaluese për të shmangur infektimin e të tjerëve.

Shfaqja e AIDS-it është një moment në historinë botërore në të cilën të gjithë jemi të thirrur të veprojmë. Është koha kur të gjithë ata që janë përfshirë në edukimin e të rinjve dhe që kanë influencë mbi ta, duhet të marrin masat e nevojshme dhe t’i mbrojmë ata.

Përmbushja e vizionit të UNAIDS-it për “zero infeksione të reja, zero vdekje që lidhen me AIDS-in dhe zero diskriminim” do të varet nga përpjekjet e përbashkëta të gjithsecilit që është i involvuar në luftën kundër HIV/AIDS-it.
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.