Si ta tresim tortën e Pallatit të Kulturës?

20:14 / 1.12.2012

1. Cilat ishin kundërthëniet e tortës që mund të sillnin çekuilibrime?

Torta si ëmbëlsirë kishte disa kundërthënie të brendshme simbolike, që mund të shfaqeshin edhe së jashtmi. Nuk ishte fjala për mospajtim mes sasisë së gjalpit, miellit, sheqerit, etj. Por, midis këtyre anëve:

a. Midis faktit që festa e Pavarësisë lidhet me traditën historike të shqiptarëve, ndërsa torta është një ëmbëlsirë jo tradicionale, e si e tillë provokon, aq më shumë që gjuhësisht, “po ndahet torta” ka kuptimin metaforik se po ndahen të mirat materiale (pra, pas kësaj nuk mbetet gjë).

b. Torta është një dukuri aristokratike edhe në Perëndim, jo më në Shqipëri. Pra, midis faktit të servirjes së tortës aristokratike, dhe të një torte të shtrirë pothuajse në rrugë, kishte një mospërputhje. Torta mund të shtrohet e shumta në një holl hoteli, në një lagje të pasur, por jo në sheshin ku rrugica quhet “Pallati i Kulturës”. Nga vendet më popullore të qytetit, kjo hyn në kontradiktë me veten e vet.

c. Torta ka një ritual ngrënieje. Ndofta është ëmbëlsira më nazike në të prerë, në të ngrënë. Qëkurse të ftuarit po e prisnin me një si sharrë hekuri, simboli hynte në kontradiktë me veten e vet. Torta është simboli i feminitetit, i brishtësisë në të ngrënë. Në botën aristokratike, pasdarke të ftuarit i japin të presë një copë tortë për të provuar sesa është i edukuar. Nuk mund të pritet me hanxhar. Kurse, mijëra njerëz nuk mund ta hanin në mënyrë delikate, por veçse duke e bërë përshesh.

Ja përse simboli kishte vështirësi shumë të larta realizimi.

2. Priteshin ndofta disa tensione në shesh, por të vogla, ndonjë shtyrje, ndonjë nxitim, por jo skena dëshire të patretur për t’u vërsulur mbi tortë. Gjithsesi, një dukuri minoritare. Por, nuk mund ta gjykojmë ngjarjen pasi ajo ndodhi, sepse pas lufte të gjithë bëhen trima. Për sa më përket mua, ndonëse gjatë asaj dite kam folur për qetësi dhe përmbajtje, thirrje për meditim të qetë dhe jo për orgji kolektive në ngrënie, përsëri them se ideja e tortës ishte jo e pagjetur. Bile shumë interesante.

Në të gjitha festat mbizotërojnë podiumet, presidiumet, kurse qytetari, apo shtresa më masive e shoqërisë është e munguar. Elita është te shkallët, kurse populli në shesh, atje vetëm për të brohoritur. Elita ha torta, kurse populli lëpin buzët. Po kështu shpesh me figurën e Ismail Qemalit u ekzagjerua, ose me atë të individëve të tjerë shumë të shquar, shumë të nderuar. A thua se Austro-Hungaria na fali Pavarësinë, nëse shqiptari i thjeshtë - emigranti, patrioti, fshatari, zejtari, kleriku - po të mos donin këta, Konti Bertoldi do ta kishte mbrojtur Pavarësinë nga Vjena. U harrua pak populli në këto përkujtime. Ata që e shoqëruan me shpirt, me sy, me mendje Ismail beun që po shkonte në Vlorë. Ata që e mbrojtën Vlorën në 20, 40, 60 etj.

Ideja e tortës për popullin, e shtrirë në shesh, për mua ishte ideja e hapjes së dyerve, qoftë edhe simbolikisht, që një herë në jetë populli të hipte në tribuna dhe të merrte nga torta, qoftë edhe kur deti ishte bërë kos. Sa e mirë është demokracia participative dhe jo thjesht kjo e opinionit kur liderët flasin dhe popullin dëgjon e nuk bëzan. Në fillim gjithçka nis si simbol.

Dhe populli ashtu vjen si deti, vjen për të provuar “tortën” që një herë në jetë e kanë lënë të rrethuar me pak policë. Ai populli që ndoqi Ismail Beun në baltërat e Myzeqesë. Ashtu vjen ai me baltë, me qese, me legenë, me zemër në dorë, me qese plastike, me kazma e me lopata. Është një fenomen natyror, shkruante Rrobespieri. Pra, nuk ka as turp, as frikë, as ndruhet. Nuk pret ta hajë tortën me lugë dhe me piru, ashtu e hante Ismail Beu. Ai ndiqte pas rrotës së karrocës, duke ecur në shi dhe në baltë.

Një çekuilibër i vogël dhe dukuria kolektive pastaj nuk administrohet dot. Por, ideja për t’i lënë disa çaste popullit në dorë tortën, ta mësojë të qeverisë veten, nuk mund të mos përshëndetet edhe kur vjen gabimisht, pa dashje.

3. A është e turpshme ajo që ndodhi, a duhet mos të flasim?

Mirë do të kishte qenë të kishte veçse pak tension dhe asgjë më shumë. Por, e thashë një tortë aristokratësh e shtrirë në shesh, nuk mund të hahet me thikë e piru. E di unë sesi hahet ajo. Do mjeshtri në prerje. Ku futet thika, ku ndërhyn piruni, ku lëvizet kyçi i dorës dhe si hapen buzët për ta ngrënë...

Turp? Nga kush? Mos jemi popull që kemi bërë gjenocide? Mos kemi pushtuar njeri nëpërmjet aradhesh fashiste? Mos i kemi shtrirë dorën njeriut për të na mbajt me bukë se nuk kemi euro në dorë? Këto janë turpe. Mos kemi vrarë komshinjtë sepse kishin fe tjetër nga jona ? Këto janë turpe. Jo, shtyrja në stadium, jo ngrënia me duar, e mbledhja me qese e një gjelle aristokratësh, shtruar në një banket orgjiak popullor. E thamë, populli nuk mund të hajë me thikë e me piru në një banket mijëra personash.

E përse të mos flasim? Turp nga të huajt? Ende ky inferioritet. Unë më shumë vlerësoj atë gruan me legenët plastikë ngjyrë rozë që kërkon pjesën e vet të tortës, paksa jo në mënyrë delikate, sesa atë që ka turp nga populli i tij, për popullin e vet. Çfarë të bëjmë? Të fusim kokën në dhe si struci? Të sulmojmë si “terroristë” ueb-faqet e botës se paskan ca video ku populli paturp ha si i do qejfi: një herë në jetë tortën që i kanë lënë gabimisht në shesh, ku është bërë deti kos?

Jo, emancipimi është kur analizon, flet, gjykon, vlerëson dhe kritikon. Por, edhe kur e kupton. Mos kini turp për atë gruan me legenë. E ha vetë turpin e vet me tortë ajo. Na gjykon bota? As ka nge bota të merret me ne! Qytetari perëndimor e di më mirë sesa ne se çfarë është një fenomen kolektiv në një shesh. Mos kini merak. E njeh mirë historinë e vet. Nëse nuk e di, ia mësojmë ne, pse jemi këtu kot?

Do flasim dhe do të ngopemi. Herë tjetër tortën në shesh do ta hamë më me kujdes. Me pecetka, thikë, pirunë. Po e provuam ama një herë ta lemë popullin në podium. Sikurse nuk e lemë kurrë të flasë në mitingjet politike. Kjo është turp.

Ishin të uritur! Halle ka plot Shqipëria. Por, nuk shfaqen këtu. Keni parë ndonjë turmë të sulmojë mallrat ushqimore që ndodhen shtrirë në rrugë? E dini si sillet i urituri? I urituri ha kuzhinierët e veshur me të kuqe, nuk ha tortën.

Flasim deri sa të ngopemi. Me tortë, me llafe, me ueb. Ca u ngopën me tortë, ca nuk nginjen me llafe. Është rasti edhe për humor... Ta bëjmë. Çfarë të keqe ka? Fenomenet masive na ngjizin si komb, edhe kur janë dramatike, edhe kur janë qesharake. Me të qeshur bëjmë edhe kritikë, edhe falim, edhe mësojmë, por jo të heshtim.

Qeshëm me përsheshin e tortës, le të qeshim edhe me videot që na qarkulluakan. Mos kini merak. Kush është hamës i madh, mund të ketë njëqind të meta, por është njeri i mirë. Të gjithë e duan...

Vetëm duhet të ketë kujdes pak diabetin...
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.