Bisedë mes brezash shqiptarësh

12:47 / 5.12.2012

Në këtë njëqindvjetor të pavarësisë së Shqipërisë, e gjej veten duke balancuar ndërmjet dy qëndrimeve të skajshme. Në njërën anë, më hidhet të zhytem në ngazëllimin e përgjithshëm festiv që po mbretëron gjithandej trojeve shqiptare. Në anën tjetër, arsyeja i bën apel zemrës se sfidat e këtij populli tonë të përvuajtur janë të shumta, ndërsa çelësin e posedojmë kryesisht ne.

Shikoj djalin tim trevjeçar i cili është ende në një moshë që ia mundëson shpërfilljen e plotë të kremteve përreth nesh. Mendoj për fatin e tij dhe të brezit që është duke u rritur. Ç’do të thotë të jesh sot shqiptar? Sa dallon ky identitet nga ai i brezave të mëparshëm? Deri në çfarë mase kanë ndryshuar rrethanat e jetesës për brezin e djalit tim, në krahasim me atë të babait të tij, e të brezave të mëhershëm?

Më shumë sesa të arrijë te një e vërtetë e vetme, ky shkrim mëton të hedhë në letër disa përsiatje mbi të ardhmen tonë, atë që po ia lëmë brezave të ardhshëm. Në këtë përvjetor jubilar, është mbase e kuptueshme që të hasim në pamje të çuditshme, sentimentale, patetike, që pak përkojnë me realitetin. Por, është po ashtu çast për reflektim më të ftohtë se ku po shkojmë ne si komb.

Para disa muajsh, në një konferencë rajonale, pata rastin të takohem me një profesor serb të shtyrë në moshë, i cili vazhdonte të ishte aktiv në jetën akademike e publike. Kishte një përvojë të lakmueshme akademike në një sërë universitetesh, përfshirë edhe disa sosh në Amerikë, prej ku ishte kthyer rishtazi pas afro njëzet vjetësh. Në bisedë e sipër mbi balancën e fuqive në Ballkanin e sotëm, ai konstatonte se ngritja e shqiptarëve (apo faktorizimi i tyre) sot është e qartë dhe e paevitueshme. Më bëri përshtypje edhe këshilla që ai ua jepte studentëve të tij: si pjesë e përgatitjes së tyre për të hyrë në tregun e punës, ai i këshillonte ata që të mësojnë shqipen. Është kundërproduktive për vetë popujt fqinj, konkludonte ai, që të injorohet më tej shqipja, madje edhe për arsye thjesht pragmatike-ekonomike.

Duke u ndërlidhur me anekdotën e sipërshënuar, në forume të ndryshme potencohet se rrethanat e shqiptarëve në këto njëzet vitet e fundit kanë ndryshuar deri në atë masë sa që shpesh dëgjon se ky - shekulli XXI - është shekulli i shqiptarëve. A mund të jetë ky vetëm një ekzaltim momental e sentimental, apo ka diçka të vërtetë këtu? A do të jetë vallë brezi i djalit tim përfaqësues i këtij shekulli prijës për shqiptarë?

Ndryshimi më thelbësor në jetët e shqiptarëve sot është liria. Ideali i saj ishte aspirim shekullor në mes shqiptarësh, që u privua nga ne gjer në fund të shekullit XX. Gjenerata ime ishte ajo që u thye në dy botë: i rritur e i shkolluar në okupim (Kosovë) apo sistem totalitar (Shqipëri), aparteid, mërgim e luftë, dhe bota aktuale ku shqiptarët jetojnë të lirë. Turbullimet politike në Shqipëri, Kosovë e më tej janë evidente, dhe demokracia - ky ideal tjetër i shumëkërkuar - është ende në konsolidim e sipër. Mirëpo, mundësitë potenciale për djalin tim e brezin e tij, janë pakrahasimisht më të mëdha sesa që ishin për brezin tim, apo të prindërve tanë. Ky brez po rritet në liri, në një demokraci evolutive, dhe në një shoqëri që krejt natyrshëm lëviz drejt bashkimit.

Disa prej parakushteve më të çmueshme - liria, pavarësia, demokracia, të drejtat themeltare të njeriut - janë arritur dhe po konsolidohen. Këto parakushte do të duhej të lehtësojnë rrugën e shqiptarëve drejt përafrimit me njëri-tjetrin, zhvillimit, dhe faktorizimit në Ballkan e më gjerë. Po ashtu, këto janë parakushte që do të duhej të vendosnin brezin e djalit tim në barazi të plotë me evropianë të tjerë, si në shkollim, në treg të punës, në të drejtën për të udhëtuar dhe jetuar kudo qoftë. Dhe, do të duhej të vendoste atdheun e tij, cilido qoftë ai në të ardhmen (por gjithsesi me Tiranën si qendër graviteti ndër shqiptarë), në rolin e fuqisë ekonomike rajonale dhe në aktor të rëndësishëm në Evropë. Ky është vizioni, të paktën.

Mirëpo, për të arritur tek ai vizion ka shumëçka për t’u bërë. Madje, gjykuar nga skena e tanishme politike dhe situata ekonomike, për shumëkënd ky mbetet një vegim i largët në hapësirë.

Një këngë e re e bendit nga Prishtina, Jericho, na përkujton dhimbshëm atë që do ta quaja gjen vetëshkatërrues i shqiptarëve. Besoj se kushdo që e ka parë klipin e kësaj kënge e di për çka e kam fjalën. Është e njëjta gjë që paralajmëronte edhe Konica apo Fishta: se Shqipëria u bë, por tash duhet bërë shqiptarët.

Është evidente se shqiptarët e kanë manifestuar gjenin vetëshkatërrues në shumë raste përgjatë historisë. Vëllavrasja, për shembull, vazhdon të ngacmojë plagë ende të hapura brenda një populli që akoma ka mjaft punë për të bërë drejt bashkimit. Po ashtu, korrupsioni dhe krimi i organizuar - këto shfaqje mutante të shoqërisë së lirë - janë kanceri më gërryes në shoqërinë shqiptare sot. Dhe natyrisht, zhvillimi ekonomik është prioritet që vlerësohet mbi çdo gjë sot.

Në një nga veprat e tij të mëhershme, shkrimtari i shquar shqiptar Kadare flet për “restaurimin i ikonës shqiptare”. Me fjalë të tjera, korrigjimin apo ndreqjen e njeriut shqiptar, në mënyrë që ai të jetë së pari më i mirë ndaj vetvetes dhe bashkëqytetarit, e pastaj më i mirë si shoqëri karshi të tjerëve. Dhe vërtet, si me një skulpturë të artistit në punishte, duhet të pranojmë më gatshëm sfidën e ndreqjes së njeriut shqiptar. Së pari, të ndryshojë imazhi i njeriut shqiptar.

Më shumë sesa nëpërmjet politikës, kjo ka filluar tashmë të bëhet me anë të sportit, këngës, artit e letërsisë. Evropa e bota duhet të mësohet me një imazh tjetër, të brezit që po rritet, që nuk asocion në radhë refugjatësh, në krim të organizuar, në trafikim qeniesh njerëzore. Së bashku me imazhin vjen edhe përmbajtja e njeriut shqiptar, që do të thotë jo më viktimë për të ardhur keq e sistemit komunist apo okupimit. Nuk ka kohë as për kredhje në identitetin e viktimës së të kaluarës, sepse viktimizimi është kurth që zmbraps përparimin e sotëm.

Me shpirtin individualist, ndërmarrës e konkurrues që kanë shqiptarët, duhet të ketë rritje eksponenciale në edukim të lartë nga universitetet më të mira në botë. Kjo po ndodh, por brezi i ri duhet të çajë më tej, në mënyrë që njeriu shqiptar të bëhet natyrshëm kompetitiv në një treg të gjerë evropian e botëror. Se kapitali njerëzor është kapitali më i madh që kemi.

Kjo është një ndreqje që duhet t’i bëhet njeriut shqiptar dhe, rrjedhimisht, shoqërisë shqiptare. Për ata që druajnë nga ndryshimet, duhet thënë se kjo ndreqje, apo restaurim i ikonës, nuk e lëndon identitetin shqiptar. Përkundrazi, respekton brezat e kaluar duke mos harruar kalvaret që ata përjetuan, dhe promovon atë identitet në një botë qytetare dhe dinamike, duke u bërë konkurrues dhe faktorizues.

Në frymën e Sami Frashërit, na bie ndërmend një frazë që para disa dekadash ishte përmendur nga Branko Merxhani, vetëm për t’u ripërtrirë së voni nga publicistë si Lulzim Mjeku. E, ajo është: a është kjo neoshqiptarizma për shekullin e ri? Ndërsa brezi që po rritet, a do të jenë plotësisht të barabartë e hisedarë të patrembur të botës përparimtare?

Kjo varet më së shumti nga ne - sot.

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.