Aferim për disa këngëtarë dhe turp për disa pseudokëngëtarë

15:54 / 6.12.2012

Nëntori është muaj i festave shqiptare dhe, besoj me bazë, se cilido shqiptarë e pret dhe e përjeton me gëzim.

Nëntori i sivjetmë, padyshim, për gjeneratat që e pritën, ishte ngjarje e madhe, simbolike, frymëzuese, e papërsëritshme.

Për Ditën e Flamurit Shqiptar, përkatësisht për jubileun e njëqindvjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, kremtimet që i organizuan institucionet publike të vendit tonë, të Kosovës dhe të Shqipërisë përgjithësisht, ishin dinjitoze, cilësore, madhështore dhe të nivelit të mirëfilltë kombëtar.

Këtë ditë të madhe të historisë kombëtare, cilido shqiptar, kudo që jeton e vepron, dhe i të cilitdo profesion a vokacion, do t’ishte dashtë ta ndjente e trajtonte si rast të veçantë të jetës dhe si te tillë ta përjetonte.

Fatmirësisht, shumica absolute e shqiptarëve, 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar, pikërisht ashtu e kanë ndjerë dhe përjetuar si momentum të papërsëritshëm jetësor, për ta mbajtur mend me pietet e krenari tok me dëshirat e sinqerta për përparimin evolutiv të pandalshëm të çështjes shqiptare, gjithnjë të hapur e të pazgjidhur, deri në bashkimin kombëtar në korniza, dimensione dhe përmbajtje etnike!

Në ditën e tillë të madhe, e virtualisht të papërsëritshme, së paku jo edhe për pesë gjenerata, shqiptarët e të gjitha klasave e vokacioneve profesionale do të duhej të ishin, e për fat të mirë shumica absolute ishte e devotshme deri në shkallën e flijimit për t’ia rritur madhështinë e hijeshinë.

Ndërkaq, një numër i konsideruar i klasës së këngëtarëve dhe këngëtarëve shqiptarë, që mbijnë si kërpudhat pas shiut, këtë ditë madhështore e pritën dhe e përjetuan ndryshe, krejtësisht nga këndi i bizneseve fitimprurëse të paskrupullta e, për aq, sipas mendimit tim, tepër të pamoralshme!

Ata dhe ato këngëtare (në këtë tekst e tutje do t’i emërtoja pseudo këngëtarë të pavlerë profesionalë, kombëtarë, përkatësisht pa vlera morale ), koincidentalisht , me këngë të sojit tallava të nuancuara, në vend me melosin e mirëfilltë shqiptar, me atë ciganë serbë, grekë a turq, i cili kurrsesi nuk kompozohet me patosin as etnosin shqiptar, çuditërisht kanë fituar famën e “të njohurve”!

Këta këngëtarë, zakonisht , për muzikë janë amatorë, diletantë, “por edhe sipas prindërve të tyre kishin talent të rrallë që nga fëmijëria…”.

Këta këngëtarë performojnë seanca sensacionale në miljet e dëgjuesve, nga shkaqe e rrethana më të ndryshme, të mallëngjyer për këngën shqipe të cilët as që kanë durim, kohë as sens për valorizim të vlerave nga antivlerat dhe, kryesisht, edhe si të tilla i gëlltisin, madje i shpërblejnë “sipas kritereve okazionale”, ngase “rastet e tilla nuk qenkan të përditshme”.

Biznesmenë të caktuar, të cilët lirshëm mund të cilësohen pseudo-biznesmenë , vigjilojnë për ditë festive, në radhë të parë nergut kombëtar, për të “bërë muzikë e për t’i kënaqen mysafirët”, me atë që në ato xhurulldi apriori e kalkulojnë kuotën e profiteve të pa mund, zakonisht të patatimuar nga shteti!

Dhe ashtu, sipas tyre, bëkan punë “kombëtare” tok me protagonistët e tyre, me kënd tjetër, pos me pseudokëngëtarët , madje, edhe për kah vlerat artistike elementare.

Edhe pse këngëtarët e tillë honorarët i akaparojnë që më parë, jashtë të gjitha kritereve ekzistuese, në lartësi marramendëse, jo vetëm për “konsumatorët vendorë” por edhe për të tjerët!

Për të qenë ironia edhe më e madhe , ata pseudokëngëtarë, lartësitë e “honorarëve” i mbajnë top-sekret, madje edhe ndaj autoriteteve tatimore vendore dhe, ashtu, ndër të tjera, bëjnë abuzime ligjore edhe në trajtë të evazione fiskale!

Hipokrizia primitive irrituese ekstreme e jo pak pseudokëngëtarëve “kombëtarë” përfundimisht u manifestua dhe u demaskua agresivisht e paskrupull elementar edhe në Ditën e Flamurit Kombëtar Shqiptar, përkatësisht në Ditën e 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ndër të tjera, edhe me kostumografinë dhe ikonografinë kombëtare “të theksuar” si dhe me ekzekutimin e “këngëve me etos e patos patriotik”, pashmangshmërisht të nuancuara edhe me melos të fqinjëve, zakonisht dashakëqij , së pakut deri sot madje nga play-backu në një anë, por të inkasuara majmërish në shuma “top-secrete “që virtualisht i paguan, si dhe për autoritetet tatimore, në anën tjetër.

Më pastaj, po nga ta pasojnë rrëfime e tregime të gjata, irrituese e bajate, se “na qenkan munduar në rrugëtime të gjata - nga pabi në pab përkatësisht nga klubi në klub - jashtë vendit, ku paska para të cilat u harxhuakan pa kursime (lexo, ku ata shpërblehen majmërish)”!

Për të qenë ironia edhe më e madhe, janë këta pseudokëngëtarë që na shesin dushk për gogla, përkitazi me “patriotizmin e tyre” të ushtruar nëpërmjet “mbajtjes gjallë së ndjenjës kombëtare me kënglt e shumta” - kryesisht të pa recensionuara nga profesionistë respektivë. Ndërkaq, të njëjtit assesi nuk e zënë në gojë faktin se atë “aktivitet kombëtar” esencialisht e kryejnë madje edhe në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ekskluzivisht për para, madje për para të majme, të pamerituara me asgjë!

Mund të këtë edhe të tjerë, dhe dëshiroj të këtë sa më shumë këngëtarë si Valton Krasniqi, Sinan Hoxha, Sicilian Mazi, të cilët në Ditën e Flamurit performuan kombëtarisht, fisnikërisht përshtatshëm e dinjitetshëm - gratis!

Ndërkaq, në saje të shkrimeve, madje edhe të deklarimeve personale, rezulton e kundërta për të keq për Mihrije Brahën, sipas së cilës pagesat honorarët janë sekretë, Zanfina Ismajlin, Alberije Hadergjonajn, Eda Zarin, Genta Ismajlin, Jetë Faqollin, Labinot Tahirin, Tunë Sejdiun, Dafinë Zeqirin , Nora Istrefin, për të cilët Dita e Flamurit Kuqezi - 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë - ishte vetëm rast i favorshëm profitabil e hiçgjë tjetër.

Sa është cinike dhe vulgare, Adelinë Tahiri kur ankohej se i “vije keq qe nuk paska mundur të performojë në Tiranë tok me zonjushën Ritë Orën, ngase iu paska pas dashtë të këndonte - për para- në Kamenicë”.

Në të kundërtën, zonjusha e nderuar dhe mirënjohur jashtë e edhe më shumë përbrenda vendit, Rita Ora, nga Londra ka ardhur në Tiranë ku ka kënduar gratis, ashtu siç i kishte hije dhe siç e ka nderuar vendin dhe veten, për dallim nga “ankuesja në fjalë “dhe shumë akranë të tjerë të ngjashëm”.

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.