Reflektim mbi nacionalizmat e kohës

15:55 / 6.12.2012

Po e nisim me një rast imagjinar, për ta qartësuar qëllimin e këtij pasqyrimi. Një i ri sapo ka filluar të ndjekë ligjëratat në universitet, me ç’rast ai përpiqet që të krijojë një këndvështrim ndryshe nga kolegët dhe profesorët, duke përdorur kritikën, mendimin e tij, e kështu me radhë. Në këtë kohë ekzistonte vetëm një ligjërim i një ideologjie të caktuar, që kishte si qëllim mbajtjen e një shoqërie sa më homogjene. Duke u ndeshur gjithmonë me këtë fenomen, ky i ri filloi të heqë dorë nga mendimi ndryshe, duke iu orientuar vetes me idenë që të dalësh nga ky mendim, atëherë nuk do të jesh më vetja dhe njerëzit fillojnë të të urrejnë.

Kështu filloi të mendojë ky i ri. E megjithatë, po ndodhë ajo që në fillim i dukej e pamundur. Por, pasi përfundon universitetin, e dinte që e kishte gabim dhe duke shprehur mllefin ndaj kësaj ideologjie ai deklaroi: “Një komb kaq i mençur, me një gjuhë dhe kulturë kaq bukur, të vuajë nga padija! Jo, kjo nuk duhet të ndodhë me fëmijët e mi!”.

E theksuam këtë rast, si shqetësim se mos po na përsëritet historia e kohëve të kaluara, sikur sot që po na imponohet të socializohemi ndaj një identiteti të ri “etnik” evropian.

Për të shpjeguar problematikën e nacionalizmit rreth kombit shqiptar, fillimisht duhet të citojmë disa nga teoricienët që kanë dhënë kontributin e tyre për shpjegimin e nacionalizmit. Anthony Smith në librin e tij “National Identity” (Identiteti nacional), mendon se nacionalizmi është ideologji, ndjenjë dhe gjuhë, por brenda saj ai përfshin pesë karakteristika: e para, i gjithë procesi i formimit për ruajtjen e kombeve apo shtetet-komb; e dyta, një vetëdije i përket kombit, së bashku me ndjenjat dhe aspiratat e saj për sigurinë dhe prosperitetin; e treta, një gjuhë, simbolika e “kombit” dhe roli i saj; e katërta, një ideologji, përfshirë një doktrinë kulturore të kombeve kombëtare, dhe recetat për realizmin e aspiratave të vullnetit nacional; e pesta, një lëvizje shoqërore dhe politike për të arritur qëllimet e kombit dhe të realizojë vullnetin e vet kombëtar. Smith nacionalizmin e përcakton si lëvizje ideologjike për arritjen dhe ruajtjen e autonomisë, unitetit dhe identitetit që mendohet nga disa prej anëtarëve të saj të përbërë, si i kohëve tona apo potencial të një “komb”.

Një qasje tjetër për nacionalizmin ka Benedict Anderson në librin e tij “Imagined Communities” (Bashkësitë e imagjinuara). Ai thotë se teoricienët e nacionalizmit kanë qenë shpesh të hutuar nga tri paradokse: e para, kombet moderne në sytë e historianëve objektivë kundër lashtësisë së tyre subjektive në sytë e nacionalistëve; e dyta, universaliteti formal i kombësisë si një koncept socio-kulturor në të gjithë botën moderne, duhet të “ketë” një shtetësi, si ai ose ajo që ka një gjini kundër hollësirave të pashërueshme, manifestimet e saj konkrete, të tilla që sipas definicionit të nacionalitetit “grek” është “sui generis”; dhe e treta, fuqia “politike” e nacionalizmave kundër varfërisë së tyre filozofike dhe madje edhe mos koherencës. Me fjalë të tjera, ndryshe nga shumica e izmave tjerë, nacionalizmi asnjëherë nuk ka prodhuar mendimtarët e vet të mëdhenj, si : Hobs, Touqveille, Marx ose Weber.

Për shembull, në rrafshin tonë shqiptar: heroi ynë kombëtar Adem Jashari a mund të njihet prej gjithë qytetarëve brazilianë? Kuptohet që është e pamundur të ndodhë një gjë e tillë, sepse ai i kontribuon vetëm një aspekti të nacionalizmit, atë të një hapësire të ngushtë - bie fjale për mbrojtjen e vendit të tij nga ndonjë sulm eventual duke rrezikuar pronën e tij. Kurse, nëse marrim mendimtarë që kanë kontribuar për një teori të caktuar, atëherë mendimi i tyre shtrihet në një hapësirë më të madhe. Pra, ky “boshllëk” lehtë krijon, në mesin e intelektualëve kozmopolitë dhe poli-lingualëve, njëfarë përfillje të caktuar.

Në anën tjetër, ndoshta teoricienti i parë që i ka dhënë shtysë fushës studimore mbi kombin, është Ernest Renan. Ai thotë: “Esenca e një kombi është që të gjithë individët të kenë shumë gjëra të përbashkëta (të njëjta) dhe gjithashtu që të gjithë të kenë harruar shumë gjëra”. Kurse, Ernest Gellner, në librin e tij “Kombi dhe Nacionalizmi”, nacionalizmin e definon kështu: “Është parim politik i cili konsideron që njësia politike dhe ajo kombëtare duhet të përputhen”. Por, kur dy këto parime nuk përputhen, atëherë është jolegjitim parimi nacionalist, sepse shpërndahet më shumë dhe mund të marrë një trajektore dëmtuese nacionalizmi. Për shembull, çfarë ndjenja na zgjon Presheva në krahasim me Smederevën?. Në këtë rast nacionalizmi shqiptar kërkon që Presheva të futet brenda njësisë politike shqiptare (lexo: Shqipërisë). Ky është një tipar i modernitetit të përputhjes së njësisë kulturore me atë politike.

Për të definuar nacionalizmin jashtë etiketimeve që bëhen si diçka destruktive, patologjike etj., duhet të bëjmë një krahasim në mes të disa diktaturave që kanë kaluar në një periudhë kohore: atë të shekulli XX. Këtu duhet të sqarojmë se nuk dëshirojmë të tregojmë se cili ka pasur të drejtë a gabim, por thjesht duke treguar se çfarë i kanë paraqitur popullsisë evropiane. Është e vërtetë se nacionalizmi karakterizohet me një fanatizëm që i vë vetes për ta mbuluar një pjesë të individëve, që më pas kjo i difekton me përmbajtjen e saj “mbrojtëse” kundër një pushtimi ose agresori të huaj. Dhe, këtë e kanë përdorur shumë pushtetarë komunistë, fashistë, nazistë dhe racistë.

Enver Hoxha fillimisht e ka përqafuar idenë e komunizmit, si arsye që vetëm kjo mund të stabilizojë dhe mund t’i sjellë të mira ekonomike, politike dhe sociale popullit shqiptar. Por, Hoxha ka shkelur edhe parimet e komunizmit, sepse ka futur edhe ide nacionaliste dhe kur i bashkon këto dyja atëherë në arsyen e logjikës kalon në diktaturë. Hoxha, me përafrimin e socializmit komunist më shumë ka dashur që të identifikohet me shtetet e tjera të fuqishme që kanë qenë nën administrimin e kësaj ideologjie, kurse për t’u identifikuar me “dashurinë” që ka pasur ndaj figurave historikë të shqiptarizmit, si Ismail Qemali dhe Skendërbeu, këtë më shumë e ka pasur që të identifikohet si një dashamirës i qytetarit shqiptar. Mos të harrojmë që komunizmi nuk njeh figura historike, kufij, klasa!

Para se Hitleri të formojë ideologjinë e tij naziste, në atë kohë populli gjerman ka qenë para disa ngjarjeve shumë komplekse. Hitleri ka manipuluar me masën gjermane duke iu premtuar se gjithë ideologjitë deri më tani që po aprovohen në shtete të ndryshme të botës janë dështuese; se kombit gjerman i duhet një qeverisje ndryshe saj. Pra, një ideologji ndryshe nga të tjerët: origjinale! Kurse, pushtetin e Millosheviqit përveç që në fillim e ka karakterizuar ideologjia komuniste, ai pastaj kësaj të fundit i mbështjellë edhe disa nga parimet nacionaliste-raciste. Ai i ka identifikuar pothuajse gjithë popujt e Ballkanit si racë e pastër serbe. Dhe, nëse i karakterizojmë për një qasje psikanalitike, atëherë gjithë këto i identifikojmë si nacionalizëm shovinist, sepse këto burojnë nga mentalitet, vetëm i një individi. Pastaj ky i transformon në format më ekstreme patologjike që e shpijnë deri në një orgazëm të përmbushjes së dilemave të racës së tij a zgjerimit të territorit që pretendon.

Këta të gjithë i kanë shkelur ligjet që parashtron një ideologji përkatëse dhe i kanë absorbuar me simbole nacionaliste. Por, këto jo domosdoshmërisht duhet të identifikohen me çdo nacionalizëm. Këtyre mund t’ju japim edhe një emër, si: jugosllav, nazist, racist dhe enverian por jo të gjeneralizohet si diçka jo fleksibile (jo e lëvizshme).

Nacionalizmi është pjesë e pandashme e ekzistencës së individit. Ai gjatë tërë jetës e pajisë këtë individ me refleksin e një sërë cilësish për mbrojtjen e familjes, traditës, vendit dhe kombit. Nuk duhet të identifikohet doemos si patologji që e flasin shumë nacionalistë të identitetit qytetar.

Një nga analistët më mendjemprehtë në Shqipëri, Fatos Lubonja, si shkak ndarjen ose pamundësinë e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën e përmend një mënyrë të Ernest Gellner drejt përmbushjes së parimit nacionalist. Gellner nuk e mohon faktin që nëse një shtet ka synimin të homogjenizojë disa kultura brenda një kombi, të përdorë edhe luftën. Lubonja, e huazon këtë dhe e glorifikon me luftërat ballkanike që kanë ndodhur gjatë shekullit XX. Ai thotë se Shqipëria ka qenë humbëse dhe si pasojë shtetet fituese (me ose pa ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës), si Serbia dhe Mali i Zi, kanë fituar territore.

Por, gjatë fundit të shekullit XX edhe Kosova e fitoi luftën (me ose pa ndihmën e ndërkombëtarëve). Atëherë a mund të ekzistojë një e drejtë që pasi Kosova ka dalë fituese, që të zgjedhë ndërmjet bashkimit me Shqipërinë apo të formojë një identitet të ri “kosovar” (gjë që kjo e fundit po ndodh me ose pa dëshirën e qytetarëve të Kosovës)? Sipas logjikës gellneriane, mund të ketë drejtën ekskluzive për zgjedhje. Për t’u solidarizuar me pjesën tjetër të analistëve që e duan një “komb kosovar”, duhet të jemi të qartë nëse vërtet po dëshirojmë që t’i dhurojmë vlera të reja këtij identiteti. Si shpjegohet që komunitetet tjera, si ai turk, serb, rom, të cilët në fakt nuk e ndjejnë veten si kosovarë, por si pjesëtarë të përkatësisë së tyre etnike që iu takojnë?

Pakoja e Ahtisaarit, si një ndër dokumentet më relevante për vetëformimin e një identiteti dhe shteti të ri kombëtar, e mohon një kategori të tillë. Si një paradoks specifik është sponorizuese e këtyre vlerave të reja, por e mohon vetveten. Edhe Francën e marrim si një komb politik, por gjitha komunitet jo franceze megjithatë e ndjejnë veten francezë. Por, për t’u marrë më shumë me analistët e të njëjtit mendim si Lubonja, kjo do një trajtim më specifik dhe më të hollësishëm.


 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.