Skandalet kosovare si produkte të ngarrisjes qytetare

14:06 / 8.12.2012

“Ai që e emërojnë në ndonjë detyrë, le t’i qaset me vetëdije asaj pune, ne çështje të vogla e të mëdha; le t’i përmbahet asaj që i urdhërohet, dhe le t’i përmbahet asaj që i ndalohet. ..”

1. Ngarrisja shoqërore

Një fenomen që padyshim ia vlen të diskutohet kur janë në pyetje procese e panatyrshme te shtendërtimit dhe ato te instalimit të demokracisë në vendet e tranzicionit, është padyshim edhe ai i ngarrisjes shoqërore (social loafing), që kujtoj se më së miri e përshkruan gjendjen apo natyrën e zhvillimeve aktuale politike tyreve ekonomike nëpër të cilën po kalon ajo. Ngarrisja shoqërore, në rastin e shoqërisë kosovare që ka akoma një përvojë të brishtë në ndërtimin e institucioneve demokratike, në fakt do të mund të konceptohej edhe si një lloj vetëkënaqësie publike për “të arriturat” e gjertanishme në sferat e lartcekura, si edhe si një përgjigje sociologjike për të bëmat apo të pa bëmat në këto sfera. Në anën tjetër, dukuritë e shpeshtuara deviante në këtë fazë të emancipimit sikur na bëjnë të dyshojmë se të gjitha këto përpjekje disi janë maksimaliste për një shoqëri në ndërtim e sipër, ndërkaq çështja kujtojë unë është se a janë ato vetëm një perceptim artificial, pra një improvizim i shkujdesur se si do të dëshironim të zhvilloheshin këto procese të lartcekura në shoqërinë kosovare, apo janë "produkte" të gatshme të cilat qeveritarët shpeshherë mundohen t'i shesin ashtu si ata mendojnë?

Ky lloj (auto)sugjestioni, thënë me saktësisht nga ana e qeveritareve që marrin mandate (ani pse të dyshimta në pothuajse të gjitha zgjedhjet e organizuara?!) të njëpasnjëshme nga qytetarët e Kosovës, përmes joshjeve nga më të ndryshme siç janë ato: mbi pavarësinë e shtetit, demokracinë...por jo edhe mbi mirëqenien, zhvillimin ekonomik, rritjen e standardit jetësorë etj. në një mënyrë apo tjetrën duken shume artificiale edhe për shkak se ai publikut kosovar i imponohet dhe i servohet në një mënyrë të panatyrshme dhe se është tejet provizor e padyshim edhe improvizues me vete faktin se ai kultivohet ekskluzivisht përmes mekanizmave mediatik që i kontrollojnë pushtetmbajtësit, në vend të tyreve që janë të thirrur ta mbrojnë mendimin dhe interesin publik të qytetarëve.

Gjithsesi, gjendjes sonë apo modelit tone te shtetndërtimit. sintagma e mësipërme më tepër do mund të procedohej si një gjendje apo një situatë e atillë shoqërore, ku nuk ngurrohet edhe gjithaq të eksperimentohet me shkathtësitë grupore ato partiake e me pak ideologjike, në vend që të ishte anasjelltas, pra me shkathtësitë individuale ashtu siç kanë bërë të gjitha shtetet e mëhershme postsocialiste. Themi kështu, ngaqë në këtë mënyrë me së miri mund të vlerësohen si kapacitetet e vendit ashtu edhe raportet konjukturale brenda të cilave ndërtohet dhe synohet projekti i shtendërtimit tonë, si të gjithë të tjerët: As më shumë e as më pak...!.

2. Pakënaqësi e dukshme me të arriturat e pavarësisë

Pra, kur jemi tek modeli i shtetndertimit kosovar, hetohet padyshim një lloj neglizhence, apatie e gjithsesi edhe një lloj pakënaqësie e përgjithshme qytetare me atë se çfarë në fakt është arritur në këtë periudhë të pavarësimit tonë? Natyrisht, dyshimi i artikuluar në formë të pakënaqësisë verbale dhe shprehjes së qëndrimeve e opinioneve mbi këtë proces, s’mund të thuhet se s’ është edhe i pa shëndetshëm për demokracinë akoma të brishtë që jemi duke e ndërtuar në Kosovë. Mirëpo, në anën tjetër ky lloj perceptimi në formë padyshim të një yryshi mund të prodhojë edhe reperkusionet e veta që tani për tani jo vetëm që s’mund të numërohen një nga një, por edhe s’mund të profilizohen në mënyrë të detajizuar me skalpelin e një sociologjie të njohjes. Arsyeja është e thjeshtë: ka një paradoks të llojit sui generis që vështirë mund të haset në shoqëritë me profil identik zhvillimor, kur janë në pyetje parametrat e matjes së një qeverisjeje të (pa)suksesshme!

Në njërën anë kemi dukurinë e shprehjes dhe artikulimit të një pakënaqësie permanente opinioniste, nëse mund ta shquaj kështu e cila po artikulohet herë-herë zëshëm dhe rrjedhshëm përmes diskursit opozitar në aulat e kuvendit, pastaj ngandonjëherë aty këtu edhe përmes publikut të gjerë si edhe shoqërisë civile që këtë pakënaqësi ndajë çdo gjëje të arritur gjatë kësaj kohe të pasluftës po e shpreh përmes eksplorimeve dhe studimeve sociologjike në qytetarinë ende të ngathët dhe të frikësuar kosovare, ndërsa në anën tjetër kemi një mbyllje dhe një heshtje hermetike nga ana e qeveritarëve që se arrijnë dot të procedojnë dhe kuptojnë rreziqet reale dhe konsekuencat e këtilla kërcënuese jo vetëm për pushtetin që aq shumë e lakmojnë, por çka është më e rëndësishme për shtetin në të cilin kanë investuar aq shumë gjenerata të tëra...?!

3. Tip interesant i stoicizmit në qytetarinë kosovare

Gjithashtu, pushtetmbajtësit kosovarë duke qenë në margjina të ngjarjeve dhe dukurive sociale dhe atyre politike, pra në një mënyrë kërcënimeve serioze për mundësitë e futjes së vendit në një krizë akoma më të thellë ekonomike dhe sidomos politike, nuk po arrijnë të kuptojnë se atje është duke u akumuluar një pakënaqësi e madhe që mund t’i rrezikojë të gjitha të arriturat e gjertanishme politike.

Në këto margjina, në fakt, është duke ndodhur një stoicizëm interesant përkundër të gjitha këtyre dallimeve të theksuara sociale në shoqërinë Kosovare. Pra, po ndodhë fenomeni i ashpërsimit të kontradiktave midis shtresës së shumë të pasurve (që kemi thënë kryesisht janë të rekrutuar nga elitat politike?!) dhe shtresës ekstremisht e kërcënuar edhe me mbijetesë fizike, e që analizat e UNDP-s flasin për një shifër mbi 20 për qind që gjendet buzë ekzistencës sociale.

Pra, sikur është evident një lloj reduktimi i motivimit dhe performancave individuale në krahasim me standardet e veprimit në grupe, institucione të shtetit, pra institucione kompetente për ta përmirësuar mirëqenien e qytetarëve në sferat e sipër theksuara, në mënyrë që qytetari të pajtohet me iniciativat e shtetit. Tani, fitohet përshtypja që futja e kontingjenteve të një pas njëshme të reja në procesin e shtetndërtimit tonë, pa kriteret e duhura profesionale e manaxheriale do thosha, mund të bëhet një pengesë shumë domethënëse në procesin e aktivizimit të potencialeve grupore institucionale.

Kjo dukuri e ngarrisjes shoqërore, në sociologjinë bashkëkohore politike mjaftë qartë identifikohet jo si përparësi por si një defekt apo një mangësi e llojit të vetë që për vendet apo shtetet e reja paraqet një hendikep të llojit të vetë. Pra, dukuria e të qenit në një institucion shtetëror të Kosovës, si një lloj vetëmjaftueshmërie me faktin se kemi siguruar një lloj statusi social, ekonomik, por edhe politik në kuptimin që aftësitë dhe profesionalizmi ynë për t’i kontribuar procesit të shtetndërtimit mbaron p.sh. me aktin e punësimit tonë në një institucion shtetërore, është një rrugëtim i gabuar që në shtetet me demokraci të brishtë ka rezultuar me krizë identiteti. Këtë gjykim të kësi sojit padyshim që më së shumti e kultivojnë militantët partiakë që e kanë vërshuar çdo cep të institucioneve shtetërore të Kosovës

Në anën tjetër, nëse shteti apo udhëheqësit shtetërorë (ministritë adekuate në këtë rast) s’i ashpërsojnë kriteret e përgjegjësisë së grupit apo ekipeve të tëra që e kanë stërngarkuar administratën e shtetit me çelësat e poltronizmit, militantizmit, nepotizmit... atëherë plogështia, jo motivimi, vetëkënaqësia, vetëmjaftueshmëria sociale dhe statuset e fituara në mënyrë jo meritore (shkaku se aty janë për shërbime partiake dhe me një çelës të pakontestueshëm partiak?!) do të jenë një pengesë tejet serioze në cilësimin e asaj që në shtetet e dëshmuara demokratike identifikohet, si: jo efikasitet dhe si tepricë administrative dhe padyshim edhe si rrezik i bankrotit dhe futjes së vendit në zonën e rreptësisë së krizës së gjithmbarshme

4. Skandali i përgjimit - kulmi i ngarrisjes

Skandali i ndodhur këtyre ditëve është një skandal i llojit të vetë që më se miri po dëshmon se çfarë elitash politike ka prodhuar procesi i tranzicionit, pastaj çfarë pushtet mbajtësish kemi instaluar në shtendërtimin e Kosovës. Ky skandal dhe të tjerët që ndodhën në këtë vit... po ridëshmojnë se vetëm jemi duke improvizuar demokracinë dhe se akoma jemi larg i të qenit shtet në kuptimin e plotë të fjalës...

Skandali i shpërthyer këtyre ditëve, së bashku me ato të arit ndodhur në dhomën e dëshmive në polici në Pejë dhe në Prishtinë, në pikë të ditë, janë vetë kulmi i papërgjegjësisë, jotransparences dhe jollogaridhënies së pushtetarëve aktualë jo vetëm ndaje shtetit të Kosovës që e kanë marr përsipër ta ndërtojnë, por edhe ndajë publikut të gjere të cilët akoma gjenden të shokuar me “nivelin” e komunikimit dhe proceset vendimmarrëse në shtetin e Kosovës.

Po të ndodhnin skandale të kësaj natyre dhe me këso përmasash në cilin do vend sado pak demokratik, ku përgjegjësia publike dhe ndërgjegjësimi për ndërtimin e institucioneve demokratike është një indikator tejet domethënës dhe tejet i rëndësishëm ndajë qytetarëve të vetë, dorëheqja do ishte një akt minimal se çfarë duhej bërë. Dorëheqja në anën tjetër do ishte edhe një lloj satisfaksioni që pak a shumë donte qetësonte ndërgjegjen publike te vete qytetareve kureshtare për vendin e tyre

Skandali në fjalë, dosido dëshmon edhe një fakt tjetër të cilin do ta shquaja sociologjik edhe për shkak se hisenik në ndërtimi e kapaciteteve fillestare te institucioneve të shtetit të Kosovës si partnere permanent dhe si pjesëmarrëse “aktive” ishin dhe po shihet se akoma janë faktori ndërkombëtar, i cili le për t’u dyshuar se të gjitha këto sjellje deviante politike (krimi i organizuar ne rritje se bashku me kriminalitetin e pa ndalur), ekonomike e sociale po i toleron në një farë mënyre jo edhe aq rastësishëm në kuptimin se po shton dyshimin tonë që skandalet në fjalë mund të përdoren si shantazhe e koncesione të mundshme në dialogun serbo-kosovar dhe koncesionet tjera që ne ende s’i dimë...!

Skandali gjithashtu po dëshmon në një aspekt se pushteti nga ana e qeveritarëve aktual po projektohet jo si një mjet për të ndërtuar institucionet e vendit, por si qëllim për të abuzuar me të dhe kompetencat që i ofron ai. Ky perceptim i kësi sojit që thjeshtë mund të përkufizohet sociologjikisht edhe si metodë tejet e sofistikuar për t`u pasuruar grupet e interesit dhe ata vet, në një mënyrë na jep të kuptojmë që pushtetarët e sotëm definitivisht po e thellojnë gjithnjë e më shumë krizën morale atë sociale e padyshim e dhe atë ekonomike në Kosovë. Së këndejmi skandalet detyrimisht bëhen produkte të ngarrisjes sonë qytetare...

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.