Mos t’i lëmë rehat të korruptuarit

23:58 / 9.12.2012

Sot është dita ndërkombëtare kundër korrupsionit, por fatkeqësisht Kosova nuk mund të demonstrojë krenari sa i përket betejës ndaj këtij fenomeni “virusal”. Askush nuk mund të jetë i sigurt nëse ky virus ka kaluar në përmasa epidemike, por ajo që jemi të sigurt është se mos luftimi i tij nga të gjithë mekanizmat ligjor, por edhe publiku në përgjithësi, e rrezikon shoqërinë dhe vendin.

Në këtë drejtim një pasqyrë reale e kemi nga raporti i fundit i organizatës me renome ndërkombëtare “Transparency International” , dhe më eminente në trajtimin e angazhimit të shumë shteteve në fushën e luftimit të korrupsionit ku kemi edhe masë krahasuese ndërmjet hapave që shtetet e ndryshme kanë marrë.

Është për t’u vlerësuar se që nga viti 2010 edhe Kosova është ne mesin e shteteve ku realizohet matja e Corruption Perceptiv Index (CPI).

TI ka përvoje të mirë dhe të gjatë në matjen e perceptimit. Ndonëse kjo organizatë nuk e bën matjen vet, ajo i shfrytëzon raportet e mekanizmave kredibil ndërkombëtarë, ku i përdor së paku tri burime.

Që nga vitit 2010, në vlerësimin për Kosovën TI i ka marrë për bazë tri raporte (Bartelsman Transformation Index, Freedom Hause dhe World Bank).

Në këtë aspekt Kosova disi është e “hendikepuar” për atë se në mesin e të gjitha shteteve të rajonit ka më së paku raporte të shfrytëzuara. Krahasuar me vendet e rajonit p.sh. për Malin e Zi, TI ka përdorur katër burime, për Maqedoninë gjashtë burime, për Serbinë, Bosnjën dhe Shqipërinë shtatë burime, kurse për Kroacinë, Rumaninë, Bullgarinë dhe Slloveninë ka përdorë nga tetë burime.

Në vitin 2010, në mesin e 178 shteteve Kosova është ranguar në vendin e 110 me koeficientin 2.8. Në vitin 2011 në mesin e 183-të shteteve është ranguar në vendin e 112-të me koeficient 2.9. Këtë vit, në mesin e 176 shteteve Kosova është ranguar në vendin e 105-të me koeficient 3.4.

Është më shumë rëndësi koeficienti e jo vendi, sepse ka ndryshime të shumta në mesin e shteteve ku realizohen matjet. Këtë vit koeficienti i Kosovës ka shënuar rritje të mirë, por nëse do të ishin prapë 183 shtete si vitin e kaluar me siguri nuk do të ishte në vendin ku është tani.

Sipas raportit të TI-së, të gjitha shtetet e rajonit kanë shënuar rritje të koeficientit. Te aspekti i realizimit të këtij raporti vlerësues Kosova sërish qëndron keq. Kjo për faktin se nuk po gjenden organizata apo institute të specializuara, të cilat kishin për të ndihmuar që në Kosovë të ketë degë të TI-së. Kosova është i vetmi shtet që nuk e ka përfaqësinë e TI-së.

Sidoqoftë, mendoj se raporti është real dhe ngritja e pozicionit të Kosovës në këtë listë është i mbështetur në veprimet konkrete. Me një fjalë kuadri ligjor është përmirësuar dukshëm: janë ngritur disa aktakuza ndaj zyrtarëve të lartë, është bërë publike fillimi i hetimeve penale për disa të tjerë, disa zyrtarë të larte janë detyruar të largohen nga pozitat e larta si rezultat i fillimit të hetimeve penale ndaj tyre, ka ngritje aktakuzash edhe ndaj prokurorëve, avokatëve dhe gjyqtarëve.

Sa i përket punës së Agjencisë Kundër Korrupsionit, gjatë gjithë këtij viti kemi kaluar nëpër shumë sfida dhe pengesa, por kemi mbetur të palëkundur për shkak të përcaktimit dhe këmbënguljes së stafit të Agjencisë që të vazhdojë t’i qëndrojë besnik fokusit dhe objektivit primar të këtij institucioni në arritjen e vizionit tonë dhe për të siguruar që një ditë populli i Kosovës të jetojë një jetë të ndershme dhe të lirë nga korrupsioni.

Nga rastet që janë hetuar dhe ndjekur nga Agjencia, kemi kuptuar se kemi të bëjmë me një moral shumë të ulët të disa zyrtarëve publik, të cilët nga lakmia e pasurimit individual e keqpërdorin besimin që ju është dhënë për kryerjen e detyrave në shërbim të interesit të përgjithshëm.

Nuk ka më ligësi që fondet e taksapaguesve të mos menaxhohen në mënyrë të ndershme dhe në adresim të zhvillimit ekonomik e social. Fatkeqësisht kemi shumë raste që shpenzimi i parasë publike nuk është bërë në mënyrën më të mirë. Me një fjalë nën thirrjen për projekte të investimeve kapitale gjatë proceseve tenderuese paraja publike ka rrjedhur edhe në xhepa privat.

Gjatë këtij viti, Agjencia si mekanizmi kryesor i luftës kundër korrupsionit është marrë me shumë raste të kësaj natyre. Brenda kornizës së përgjegjësive tona ne kemi vepruar me të gjitha energjitë dhe jashtë çdo ndikimi.

Kosova është i vetmi shtet në rajon, por edhe më gjerë që ka filluar ndjekjet serioze të pushtetarëve. Vetëm gjatë këtij vitit janë bërë kallëzime penale, ngritje aktakuzash dhe gjykime për zyrtarë shumë të lartë shtetërorë, që janë apo ishin aktivë në pushtet. Por, krahasuar me vendet e rajonit ato kanë akuzuar dhe bërë gjykime vetëm ndaj personave që në të kaluarën kanë qenë në pushtet.

Ndërsa shënojmë për herë të shtatë Ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit, ne inkurajojmë të gjithë që të vazhdojnë të besojnë në punën tonë dhe ta mbështesin misionin tonë në ndërtimin e një shoqërie të ndershme dhe të pakorruptuar. Kur të pamoralshmit nuk kanë frikë nga ligji e Zoti, na takon të gjithëve që t’i bashkojmë energjitë dhe mos t’i lëmë rehat në komodidetin dhe luksin e krijuar nga vjedhja e taksave të qytetarëve.

(Autori është drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit)

 

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.