Po dajën tim Kryeministër, e harrove?

0:06 / 10.12.2012

Një fëmijë i varfër dhe i uritur në Kosovë, i cili ushqehet me një racion në ditë, që kushton afërsisht sa uji në shishen e qelqtë që e pi kryeministri i tij me kafenë e mëngjesit, pret që ky i fundit, me bashkëpunëtorët e tij, “ta sjellin e ta pështjellin“ e në fund ai të ketë jetë më të mirë. Ky fëmijë nuk i ka dëgjuar përgjimet e publikuara këtyre ditëve dhe nuk i njeh protagonistët e tyre, sepse në kohë zgjedhjesh (e vetmja kohë kur këta të fundit u afrohen qytetarëve dhe “brengosen“ për ta) ai ka qenë nëpër kafiteritë e qytetit duke shitur çakmakë. Sikur ta dinte si është puna, ky fëmijë do ta mallkonte fatin që babai i tij nuk e ka një nip që t’ia sillte ndërmend kryeministrit të Kosovës gjendjen e dajës dhe t’i thoshte “nji dajë temin ma ki lon‘ keq“.

Ato që dëgjuan qytetarët e Kosovës në përgjimet e telefonatave të zyrtarëve të lartë shtetëror, nuk sjellin bukë për të uriturit e as punë për të papunët. Përtej asaj se sa intriguese, të dhimbshme apo qesharake na vijnë këto telefonata të përgjuara, qëndron jo domosdoshmëria për t’i dëgjuar që të kuptojmë se në çfarë gjendje jetojmë dhe fakti që ata që pësojnë nga kjo zezonë përsëri jemi ne. Nëse ne, pos hajnisë dhe korrupsionit për asgjë tjetër nuk renditemi ndër të parët në botë, nuk është rrjedhojë e bisedave telefonike të një niveli të lartë intelektual të zyrtarëve tanë, por për të kundërtën - për atë që kemi dëgjuar: të vërtetën.

Interesant ishte reagimi i Qeverisë së Kosovës menjëherë pas publikimit të përgjimeve. Dhe mua, ky reagim, më ngjanë shumë me një rast nga Lufta e Dytë Botërore. Kur Hermann Goring, i cili ishte Ministër i Aviacionit i Gjermanisë naziste, u informua se një avion luftarak i Aleatëve ishte goditur mbi Achen, çka do të thoshte se Aleatët kishin avancuar me avionët luftarakë në mbështetje të atyre bombardues drejtuar mbi Gjermaninë, ai i tha pilotit gjerman: “Unë jam vetë pilot me përvojë dhe e di se çfarë është e mundur dhe çfarë nuk është e mundur. Unë deklaroj këtu zyrtarisht se është e pamundur që avionët luftarakë amerikan të kenë arritur deri në Achen… Jap urdhër zyrtar që ata nuk kanë qenë atje”.

Pra, pothuajse njësoj sikur Goringun që e demantuan Aleatët duke vazhduar të bëjnë sulme ajrore në thellësi të Gjermanisë, edhe Qeverinë e Kosovës e demantoi EULEX-i duke i shpallur këto përgjime si të vërteta. Kaq për përgjimet, për të cilat u fol shumë në Kosovë pa ndonjë revoltë aktive e cila do të ishte më se e arsyeshme.

T’u kthehemi dajave të lënë keq në Kosovë. Përkundër titullit të këtij shkrimi, i cili është pjesë e anës ironike, unë mendoj se në Kosovë, shumë dajë, halla e teze, gjyshe e gjyshër, bijë e bija etj. janë lënë keq. Dhe për këtë nuk kanë faj përgjimet, por herustika e politikanëve tanë ndaj varfërisë, papunësisë, arsimimit të keq etj. që bashkëjetojnë me Kosovën dhe janë të lidhura aq fort me të, sa që vetëm përfytyrimi i imazhit të saj pa to përbën një sfidë.

Është muaji dhjetor dhe dimri po fillon t’i ashpërsojë kafshimet e tij në strehët e dobëta dhe oxhaqet e shuara nga varfëria. Dhe, jo rrallë kemi dëgjuar të thuhet se “bora na i mbulon marret”, gjë që dëshmon përtacinë tonë kur para dëshirës për t’i zhdukur ato, preferojmë që ato të mbulohen dhe për më tepër nga një element që shkrihet dhe nuk qëndron gjatë. Por, prapë se prapë, bora nuk na e plotëson këtë dëshirë perverse dhe mashtruese. Përkundrazi, ajo na sjellë me vete një konglomerat turpesh që avullohet gjatë të ngrohtit të verës dhe që vjen me dimrin si rezultat i rezultatit të keq të punës sonë.

Ky dimër që për disa të rrallë në Kosovë gërsheton skiimin, dehjen në mbrëmje dhe shfryrjen e epsheve në fund të saj, për disa të shumtë është gërshetim i të ftohtit në palcë, urisë dhe sëmundjes. Dhe, përderisa ky polarizim do të qëndrojë, do të ketë njerëz që do të shpresojnë që parashikimi i majave të jetë i saktë! Festa e Vitit të Ri po ashtu do të pritet me tryeza të shtruara mirë diku dhe fare pa tryeza diku tjetër. Sikur ta kishim vëmendjen e njëjtë që e ka një “dajë” i dikujt, do të ishte ndryshe, do të ishte “supër, supër, supër”.

Ky dimër na zuri të varfër si ai që shkoi. Të varfër do të na zë edhe dimri që vjen me shumë gjasë! Këta dimra nuk i godasin themelet e korrupsionit dhe hajnisë, por çatitë e viktimave të tyre. Pra, ekzistenca e të parëve është fatkeqësia e të dytëve. Dhe ne, fatzinjtë, nuk duhet ta presim ditën që ka për ta ndryshuar fatin tonë. Ne mund ta caktojmë vetë atë ditë!

Tregohuni sa më “dipllomat“!

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.