Përtej sloganeve!

20:17 / 11.12.2012

Po thonë se kiameti veç sa nuk ka mbërri! Avni Rudaku veç kishte deklaruar në Facebook se natën e parë të kiametit do ta pres me familje e të dytën me shoqëri! A thua kush po këndoka ditën e dytë?! Për natën e Vitit të Ri nuk kishte thënë asgjë në postimin e tij.

Po deri te kiameti, sipas prognozës së fisit të lashtë maja, ka edhe disa ditë! Në ndërkohë, ne të merremi me disa nga arsyet e mundshme. Po e marrim pa “shtres”, duke u argëtuar me të (pa)bërat e qeveritarëve tanë këndej dhe andej kufiri! Me çka me u marrë tjetër njeriu në këtë idilen tonë demokratike.

E, dikur ishte ndryshe! Nuk kishte teknologji! As shoqëri civile. Kishte veç Qeveri dhe popull. Edhe cuba. Një anekdotë nga ajo kohë thotë se Ahmet Zogu, gjatë një vizite në Kurbin - që asokohe njihej për cubat e rrezikshëm - e paska pyet një plak të urtë se a ka ende cuba andejpari? “Jo, Naltmadhni, të ruajt Zoti”, qenka përgjigjur plaku i urtë, “të gjithë i ke marrë në Qeveri! Rahat jemi”!

Por, kjo ishte vetëm një anekdotë e gati para një shekulli! Ne jetojmë në kohë të tjera.
Tash kemi teknologjinë e re dhe demokracinë edhe më të re. Ne e kemi zbuluar! E cuba s’ka më! I ka shkelë koha!

Një batutë e këtyre ditëve bënë humor ndryshe me qeverinë. Në Twiter dikush e kishte postuar një batutë shumë të lezetshme. Ish zëvendësministri i Transportit - thuhet në batutë - paska vendosur ta padis operatorin e vet të telefonisë mobile. Sepse, ata nuk i qenkan përmbajtur sloganit të tyre promotiv: “Fol shlirë”! Ministri paska folur shlirë! Tepër shlirë ndoshta! Të mos flasim për të tjerët.

Kjo pakëz është shqetësuese. Jo se kanë folur shlirë, por sepse kanë besuar në reklama. Qeveritarët duhet të shohin përtej sloganeve, përtej reklamave! Madje edhe përtej interesave të veta personale. Por, edhe ata janë Kosovë dhe kjo mbase është kërkesë e tepërt. Kush nuk mendon për veti... kanë thënë! Pastaj, ekzistojnë nuancat: shlirë, më shlirë, shumë më shlirë... edhe “portokalli” ...! Po e kuptoni edhe vet!

Kur jemi te reklamat, po pajtohem se na kanë lodhë. Sidomos ato politike. Reklamohen (mos) sukseset nga më të ndryshmet. Lajmet fillojnë e mbarojnë me qeverinë. Ajo është biznesmeni kryesorë, autoriteti kryesor (in)formal edhe (a)moral. Fati jonë i brishtë!

Statistikat thonë se një 65 vjeçar ka gjasa që gjatë jetës së tij të ketë parë mbi dy milionë reklama. Rreth 60 për qind të qytetarëve kanë qëndrim negativ ndaj reklamave, ndërkaq 69 për qind e tyre shprehen se do të donin të kishin një pajisje që mundëson kalimin e reklamave me automatizëm. Madje 41për qind prej tyre do të paguanin më shtrenjtë një parapagim të TV-së nëse nuk ka reklama.

Sa do të paguanit ju për një pajisje e cila i anashkalon programet (reklamat) politike në TV? Shtrenjtë, më tha një mike në FB! Na kanë teshë!

Po mendoja se si do të shprehej kryeministri për këtë në një bisedë të (sh)lirë!

Kështu, po meditoja dhe po ëndërroja me sy qelë se si do të dukej të jetoja në një shtet normal dhe të mos e kem as idenë më të vogël se cili është Kryeministri i vendit apo ministri i Brendshëm. Të mos flas për ministrat e tjerë. Kërkesë e tepërt. Këtë nuk munden me e përballua! Aq shumë kanë bërë për ne!

Është mrekulli që jetojmë në një vend ku qeveria ka premtuar rrymë për 24 orë në ditë!

Merre me mend, rrymë 24 orë në ditë. Është mrekulli që jetojmë në një vend ku duhet një javë përpara të planifikosh kur do të lahesh, pasi të kesh studiuar me përkushtim orarin e reduktimeve.

Tash që i kemi autostradat, çka na duhet buka, uji, dritat. I hip kalit dhe je në Durrës pa e kthyer rrugën askund. Me rënie të lirë! E di se po merrem me cikërrima, por llogaritarët “jashtë mode” të Evropës mendojnë se është paguar së paku çmimi dyfish...! Po ku dinë ata çka janë rrugët moderne.

Mbrëmë, sapo filluan reduktimet, po meditoja pa zhurmën e teknologjisë për situatën rreth përgjimeve. Rezultat i kësaj është se nuk pajtohem me pjesën dërmuese të anal(g)istëve të cilët mendojnë se bisedat e përgjuara të një ministri nuk ishin private. Bisedat ishin krejt private, sepse këta e kanë privatizuar shtetin. Siç kemi dëgjuar të gjithë, ministri u raporton privatisht, ku seriozisht e ku me hajgare, shefave real (informal) dhe atyre formal për bisedimet në Bruksel, kalimin e buxhetit në Parlament e tema të tjera private si këto.

Nëse e shikojmë prej një këndi tjetër, a kanë arsye me pas kujdes se çka po flasin? Nuk kanë! Pjesën më të madhe të pronës shtetërore dhe publike edhe ashtu e kanë privatizuar! Institucionet dhe ndërmarrjet publike i kanë mbushur me shokë e farefis, deri te daja i tezës së kojshisë. Në pikat kyçe të vendimmarrjes nuk ka gjasa të jetë dikush i cili nuk u përgjigjet atyre. Ndërkohë që përfitimet e bizneseve prej ndërmarrjeve publike e institucioneve (tenderët) varen krejtësisht nga vullneti i tyre privat. Kush i ka mirë me ta, mirë e ka edhe me shtet. “E kur janë mirë këta, mirë është edhe Shypnia”!

Kjo është ABC-ja e patriotizmit zyrtar. Tjerët janë tradhtarë! Edhe të varfër!

Po marketingu i absurdit, nuk është krejt pa logjikë. Qeveria e përcjell disponimin e popullit. Ata janë targeti i saj. Se vendi reagon veç me shok-terapi. Populli s’po reagon më ndaj asnjë terapie tjetër. Po bëhen gjithnjë e më indiferent ndaj politikës. Në zgjedhje dalin veç me 30 për qind. E pushteti legjitimohet me 20 përqindëshin e 30 përqindëshit! Tash, kush e di matematikën, bëjeni llogarinë e legjitimitetit. Pra, edhe këta nuk e kanë marrë aprovimin e publikut. E kanë marrë veç pushtetin.

“Të gjithë kemi vjedhur ngapak”, po thonë!

Përndryshe, ne me Evropën nuk kemi konflikte të natyrës ideologjike: jemi në konflikt gjeneratash. Ata janë “evropianët e vjetër” e ne “evropianët e rinj”! Prandaj, s’po kuptohemi.

Evropianët e “vjetër” vërtetë nuk e dinë se cili kryeministër para shumë deceniesh u kishte siguruar rrymë 24 orë, apo cili ministër i transportit i kishte ndërtuar magjistralet e shumta të kombit, apo cili ministër kishte siguruar ujë të pijshëm të mjaftueshëm, apo ujë të nxehtë në banjo. Ata nuk e dinë se për sa ditë ka mazut “Termokosi” i tyre, apo të ngjashme. Ata kujtojnë që banesat nxehen vet.

Kur jemi te gjeneratat, gjermanët për shembull janë me modën e vjetër. Ata e ndërruan presidentin vetëm se kishte marrë kredi me kamatë më të ultë se qytetarët e tjerë!

Një “evropian i vjetër” duhet të lodhet shumë për të u bërë i pasur. Te ne, “evropianët e rinj”, mjafton të jesh me qeverinë! Sepse ... !

Le allahile, ku dinë ata me e jetua jetën! Ata i grahin rrugës së gjatë! Po çfarë... Evrope!


 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.