A është keq të manipulosh për nota të mira?

17:01 / 13.12.2012

A je nxënës shkolle? Nëse po, ka të ngjarë të njohësh shokë klase që manipulojnë për të marrë nota të mira. Ç`është e vërteta, ky problem haset gjithkund. Më 2008 Instituti Xhozefson anketoi afro 30.000 nxënës të shkollës së mesme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe 64 për qind pranuan se kishin kopjuar në një test atë vit. Megjithatë, të tjerë kanë llogaritur se shifra reale është edhe më e lartë, më shumë se 75 për qind.

Edhe në Evropë mashtrimi është bërë një problem serioz, veçanërisht plagjiatura. Në një artikull të botuar në revistën në internet Digithum, thuhet: “Ueb-faqet që shesin ese për nxënësit, teza masteri dhe disertacione doktorate si produkte të gatshme janë një problem i ri gjithnjë e më shumë shqetësues”.

Pse mashtrimi është bërë një problem kaq i madh? A nxjerrin vërtet dobi ata që mashtrojnë? A është akoma ndershmëria rruga më e mirë edhe sikur të nënkuptojë nota më të ulëta?

Pse kjo epidemi? Cilët janë faktorët që po ndikojnë? Pse është kthyer në mani?

Kopjimi është gjithnjë e më i zakonshëm për shkak të mungesës së vlerave morale, si dhe shoqërisë egocentrike. Në American School Board Journal një nxënëse pranoi: “Të gjithë kopjonim; na duheshin notat që të hynim në shkolla të mira. Ishim nxënës të mirë, të moralshëm, nuk ishim njerëz pa etikë. Thjesht na duhej të futeshim në universitete të mira”.

Madje edhe disa prindër i ka zënë epidemia. Nga dëshira e madhe që fëmijët të kenë sukses ose e miratojnë kopjimin, ose bëjnë një sy qorr duke ua ulur edhe më tepër vlerat morale fëmijëve të tyre. Pastaj, nxënësit besojnë se po të jesh i ndershëm të del për keq krahasuar me ata që kopjojnë dhe ia hedhin paq.

Një faktor tjetër që po ndikon është edhe teknologjia moderne, duke u dhënë mundësi nxënësve të mashtrojnë më kollaj dhe në mënyrë më të sofistikuar. Ata mund të shkarkojnë nga interneti ese dhe përgjigje për detyrat e shtëpisë e t`ua japin edhe të tjerëve. Shpesh, fare pak prej tyre kapen dhe kështu të tjerët marrin zemër.

Ndikimi i shembujve të këqij është një tjetër faktor. Mashtrimi është bërë diçka e zakonshme edhe mes të rriturve. David Kallahani në librin “Shoqëria e mashtrimit” thotë nëse njerëzit me autoritet ose ata që merren si shembuj mashtrojnë, mendoj se kështu u japim të rinjve mesazhin se s`ka asgjë të keqe të mashtrosh.

Por, a e justifikon vërtet mashtrimin fakti që po përpiqesh të marrësh nota më të mira?

Unë mendoj që para se të arrish notat duke kopjuar, më mirë pyet veten se cili është qëllimi i një arsimimi të mirë? A nuk është t`i aftësojë nxënësit që të mbajnë më shumë përgjegjësi në jetë, si për shembull të analizojnë problemet në vendin e punës dhe t`i zgjidhin? Nxënësit që e bëjnë rrugë mashtrimin mund të mos i fitojnë këto aftësi të vlefshme. Kështu, njerëzit që e kanë zakon të mashtrojnë, maskojnë dobësitë e tyre dhe i heqin vetes shanset për të pasur sukses në shumë fusha të jetës. Për më tepër, ata që i zgjidhin problemet duke i rënë për shkurt qysh në moshë të re, se duke mashtruar shpesh në shkollë mund të vazhdojnë me këtë ves në vendin e punës. Sigurisht, mashtruesit rrezikojnë edhe të kapen e të vuajnë pasojat. Më e pakta mund të jenë sikleti dhe turpi. Gjithsesi: “Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë”.

Sidoqoftë, arsyeja kryesore për të qenë të ndershëm s`duhet të jetë frika se mos na kapin. Ka arsye të tjera shumë më fisnike. Të rinjtë e mençur mundohen të zhvillojnë cilësi që do t`ju vlejnë jo vetëm për provimet, por edhe për gjithë jetën. Prandaj, punojnë pa u lodhur në shkollë dhe përpiqen të ushqejnë vlera morale që u rritin respektin për veten dhe që nesër do të meritojnë mirënjohjen e punëdhënësve e do t`i sjellin lumturi të qëndrueshme.

 

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.