“Princi Thaçi “

17:02 / 13.12.2012

Nikolo Makiaveli ishte një filozof, historian, poet, politikan dhe dramaturg. Ai konsiderohej si një vëzhgues i rreptë dhe njohës i thellë i intrigave të epokës së tij. Ai la gjurmë të pashlyeshme në fushën e organizimit politik e juridik përmes veprës së tij të famshme “Principe” (Princi). Fraza shumë e njohur dhe e përdorur në kontekstet shqiptare që “Qëllimi arsyeton mjetin” - për të justifikuar çfarëdo sjellje të individit - padyshim që mbetet një mendim i gabuar, por jo të gjithë e shohin si të tillë.

Makiaveli në veprën e tij thotë se qëllimi kryesor i princit është ruajtja e shtetit. Atëherë dhe vetëm atëherë qëllimi justifikon mjetet. Princi që përshkruan Makiavelli në veprën e tij, duhet të jetë një shembull i virtytit, një prijës i shquar, besnik, njerëzor, fetar dhe i sinqertë... Por, për të ruajtur shtetin e vet ai duhet të jetë edhe i pamëshirshëm, çnjerëzor, mashtrues dhe i pabesë. Aty ku vyen ligji duhet përdorë ligjin, aty ku vyen forca duhet përdorur forcën dhe dhunën.

Pasi u dëbua nga jeta politike, Makiaveli filloi të reflektojë më shumë se asnjëherë. Ai mendonte se çfarë do të ndodhte nëse të gjithë do të mendonin dhe do të silleshin njëjtë si Princi, ku të gjitha veprimet e shoqërisë, të mira apo të këqija, do të justifikoheshin me qëllimin për mbrojtje të shtetit. Këtë e trajtoi me shumë delikates në komedinë e tij “La Mandragola”. Ajo çka na bënë të kuptojmë kjo komedi është shumë e qartë: nëse të gjithë mendojnë dhe sillen si Princi, atëherë e gjithë shoqëria do të jetë e korruptuar, imorale, dhe e shkatërruar.

Madragola në shqip njihet si “Madërgonë”: një bimë helmuese dhe një lloj afrodiziaku. Ndërsa, në mitologjinë okultiste kjo ka një kuptim tjetër: njihet si një lloj dreqi i vogël i cili urdhërohet nga dreqi i madh për ta konsultuar dhe për të marr vesh të ardhmen.

Ajo çka vlen të theksojmë është se kjo madërgona mendohet se ka trajtë të ngjashme me shtatin e njeriut, edhe pse në përmasa të vogla. Sundimi i këtyre madërgonave ishte përgjigja që i dha pyetjes së tij Makiaveli.

Nëse me këtë krahasim i referohemi çështjes shqiptare, atëherë rezultati do të jetë ky: Princi do të jetë Hashim Thaçi dhe shoqëria do jetë shndërruar në madërgona të sistemit të tij. Kjo është ajo për çka duhet të shqetësohemi. Princi Thaçi ka mbjellë shumë madërgona në shoqërinë tonë dhe siç duket këto bimë po mbijnë si kërpudhat pas shiut dhe dita-ditës po lëshojnë rrënjët thellë e më thellë.

Kohëve të fundit u fol shumë për sjelljet e princit Thaçi, me publikimin e bisedave të tij. Dhe, këtu nuk kam çfarë të shtoj, sepse shumica u thanë. Por, ajo çka shumica harroi të thotë është se me publikimin e këtyre bisedave nuk doli në pah vetëm sjellja imorale e Princ Thaçit e princërve të tjerë, por doli në pah edhe sjellja e një pjese të shoqërisë së korruptuar që kërkon të punësohet pa meritë.

Askush nuk e përmendi atë djalin që kërkoi nga Adem Grabovci ta punësoj në Ministri; askush nuk e përmendi dajën e tij... Edhe këta janë pjesë e shoqërisë dhe kërkesat e tyre për t`u punësuar në këtë mënyrë janë kërkesa që në thelb përbëjnë korrupsion. Këto duhet kritikuar e mos të dalim pastaj tek udhëheqësit, përkatësisht ministresha Vlora Çitaku që pranon ta zbatojë kërkesën. Jo për të arsyetuar sjelljet e këtyre udhëheqësve, por për t’ju bërë të ditur që kjo shoqëri ka rënë pre e këtyre njerëzve.

Shqetësimi është vërtet alarmant, dhe ndryshimet duhet të jenë vërtetë të prekshme.

Sa e sa njerëz sot punësohen në këtë mënyrë... Ka shumë apo jo? Pothuajse i gjen çdo kund, në arsim, në shëndetësi, në gjyqësi, në polici etj. Atëherë, si mund të dalim nga ky sistem madërgonash? Kritikët na kanë dhënë përgjigjen. Ata argumentojnë se “rrjetet dhe angazhimi i një shoqërie të shëndosh mund të gjendet në ndërveprimet e përditshme shoqërore”, përkatësisht në vendin ku ju punoni, në shkollën ku ju mësoni apo në lagjen ku ju banoni. Nëse je një punonjës i thjeshtë, kërko organizim dhe reformim nga shefi juaj dhe mos lejo që korrupsioni të ndodhë para syve të tu. Raporto. Nëse je student kërkoje atë nga profesori yt dhe nëse sheh parregullsi raporto. Nëse je një banor i thjesht i lagjes, kërkoje atë në lagjen tuaj dhe organizo të tjerët qe ta luftojnë këtë dukuri. Të mos lejojmë të bëhemi madërgona të këtij sistemi oligarkik, sepse këta udhëheqës do të luftojnë që të na kriminalizojnë. Ky është misioni që kanë marrë përsipër. Madje, ata do të luftojnë të kriminalizojnë edhe fëmijët e tyre: do t`u japin “zanat” dhe në këtë mënyrë të gjithë do të jemi të përfshirë në një “faj kolektiv”.

Shteti shqiptar gjendet në një krizë të thellë morale. Që në dukjen e parë duket pa gjasa shërimi. Tërheqja e shoqërisë nga krimi dhe ajo e krimit nga shoqëria ka qenë dhe po vazhdon të mbetet magnetike. Reputacioni që kemi sot në botë po arrin majat e të vlerësuarit si një shoqëri e kriminalizuar dhe po identifikohemi si mafia italiane.

Sfidat që na presin janë të mëdha, por ajo çka duhet të bëjmë është angazhimi individual, vullneti dhe besimi që fjala jonë, fjala e njerëzve të ndërgjegjshëm do të arrijë të dëgjohet edhe në mesin e turmës së zhurmshme. Asgjë nuk do të jetë më e fuqishme sesa një ide të cilën e kërkon koha dhe të cilës i ka ardhur koha. Pra, ideja e ndryshimeve dhe e një jete dinjitoze.

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.