Bashkimi kombëtar, vizion apo retorikë

19:44 / 14.12.2012

28 Nëntori i bashkoj krerët më të lartë të skenës politike të të gjitha trojeve shqiptare. Ishte një moment i rrallë uniteti. Organizime të ndryshme u promovuan për nder të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, duke filluar nga Mitrovica, për të vazhduar në Shkup dhe për të arritur kulmin në Vlorën historike dhe legjendare të Ismail Bej Qemailit. Aty ku ëndrra e shqiptarëve për të gëzuar shtetin e tyre të pavarur dhe sovran u bë realitet, aty ku heroizmi dhe gjaku u bënë krenari, vend në të cilin Ismail Bej Qemaili ngriti flamurin e Shqipërisë etnike, sinjal i qartë për faktorin ndërkombëtarë se shqiptarët po e shpallin pavarësinë e shtetit të tyre, e ata janë të gatshëm ta ndërtojnë atdheun e tyre brez pas brezi.

Ngritja e flamurit në Vlorë ishte dhe mbetet edhe një dëshmi më shumë se shqiptarët nuk paraqesin faktorë destabiliteti në Ballkan, por janë partnerë konstruktivë të promovimit të paqes dhe stabilitetit në këtë pjesë të Evropës.

Si asnjëherë më parë shqiptarët ishin të bashkuar, të vëllazëruar, të lumtur dhe krenarë për të kaluarën e tyre të lavdishme. Një gjë e tillë padyshim u vërejt edhe te liderët, ata të cilët kanë mandatin e qytetarëve të kombit për të udhëhequr vendet e tyre për një të ardhme më premtuese. Bile, kishte edhe prej atyre që nuk ngurruan të përmendin edhe bashkimin kombëtarë në fjalimet e shumta që u mbajtën, edhe pse qëndrimet e tyre janë të njohura për opinionin publik lidhur me idenë për bashkim.

Atmosfera e krijuar dhe emocionet e përjetuara ndoshta ishin arsyeja që nxitën këta liderë të jenë më energjik në këtë çështje?! Apo, ndoshta përjetimi i një ngjarje të tillë dhe kujtimi i sakrificës së bërë brez pas brezi për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe Kosovës bëri që t’iu kthehen natyrshmërisë së vetë!

Ishte pak e çuditshme të dëgjojmë fraza të tilla për bashkim të trojeve shqiptare, sepse deri më tani jemi mësuar të dëgjojmë vetëm deklarata politike të mbështetura kryekëput në instruksionet e faktorit ndërkombëtarë, si në Kosovë, po ashtu edhe në Shqipëri.

Shpesh rikujtoj fjalët e tyre që Shqipëria dhe Kosova do të jenë të bashkuara në familjen e madhe evropiane, por asnjëherë nuk më rastisi të dëgjoj se Kosova dhe Shqipëria do te jenë në familjen e “madhe” evropiane si një shtet i bashkuar dhe unik. Për më shumë, jemi populli më i lashtë në Ballkan, ndërsa liderët tanë trumbetojnë dhe pëshpëritin që do të jemi bashkë si dy shtete të pavarura në familjen e madhe evropiane.

Ne ishim pjesë e Evropës kur të tjerët nuk dihej se ku jetonin, ndërsa sot të tjerët janë pjesë e familjes së madhe evropiane e ne mbesim ende të ndarë duke trokitur dyert e atyre që na ndanë!

Bashkimi kombëtar u përdor si retorikë nga ata të cilët janë të thirrur që t’i prijnë këtij procesi. Shumë fjalë u thanë e shumë vargje u thurën, por në fund të fundit mbetën vetëm vargje dhe fjalë pa ide konkrete.

Shqiptarët nuk kanë nevojë që të bëhet një luftë mediale për të marrë pasaportat e vendit të tyre amë-Shqipërisë, sepse de facto ne jemi shqiptarë dhe si të tillë edhe de jure do të duhej të pajiseshim me pasaporta të vendit tone, e një gjë e tillë as që do të duhej të diskutohej nga krerët shtetërorë.

Shqiptarët më 28 Nëntor demonstruan ndershëm edhe një herë para faktorit ndërkombëtarë se të bashkuar janë faktorë kyç në Ballkan dhe në Evropë. Populli shqiptar e kaloi me sukses provimin e vet, reflektoi vlerat më të larta etike, morale dhe qytetare. Ne dimë të ruajmë ngjarjet tona historike, t’i kremtojmë ato në mënyrën më civilizuese, të vlerësojmë sakrificën e atyre burrave të cilët kontribuuan me veten e tyre, pasurinë dhe familjet e tyre që ne të jetojmë të lirë dhe krenarë në tokën të cilën Zoti na krijoi.

Shqiptarët treguan edhe një herë se janë popull i burimit dhe origjinës për bashkim kombëtar, se duan të jetojnë në një shtet të përbashkët, me një gjuhë të përbashkët dhe një flamur të përbashkët. Tani gjithçka mbetet në vullnetin dhe gatishmërinë e atyre të cilët na udhëheqin; atyre që do të duhej të ishin bartës të këtij procesi krucial, madhor dhe shekullor, që të korrigjojnë gabimet e atyre që ende qëndrojnë pas gabimeve të bëra për një shekull.

Nëse liderët tanë mendojnë se ata punojnë për interesa të qytetarëve, atëherë do të duhej të dëgjohet zëri i tyre dhe të realizohen këto kërkesa parimore, logjike, të arsyeshme dhe pragmatike të këtyre qytetarëve. Mirëpo, nëse këta liderë vendosin për diçka tjetër jashtë asaj që u tha, atëherë është një pompozitet me pikëpyetje të madhe: Athua për interesa të kujt punojnë ata të cilët i kemi votuar?

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.