Vargu i Shaqës...

22:18 / 15.12.2012

Shqipëria është një nga ato pak vende ku hodhi rrënjët dhe u rrit komunizmi më i egër dhe me i pamëshirshëm, i cili e izoloi popullin shqiptar për 50 vite me radhë nga pjesa tjetër e botes, botë kjo e cila merrte hapa zhvillimi ekonomik. Shtetet bashkoheshin për të forcuar ekonomitë e tyre, ndërsa në Shqipëri ndjekej rruga e vetizolimit duke pasur marrëdhënie vetëm me pak vende të njëjta ideologjikisht.

Por, nuk vonoi dhe u përmbysën të gjitha krushqitë duke mbetur të vetëm. Ndërkohë, jashtë kufijve po hidhte themelet një organizatë e cila sot paraqitet si një super-shtet, një bashkim i fuqishëm evropian.

Në këtë periudhë të errët të shqiptarëve, si të Kosovës ashtu edhe të Shqipërisë, shumë rapsodë dhe këngëtarë odash u munduan sadopak të trajtonin çështje kombëtare; u munduan të zhvillojnë kujtesën historike dhe përmes vargut të japin haberin e çështjeve aktuale të kohës. Njëri prej tyre ishte Dervish Shaqa.

Dervish Shaqa ishte një rapsod i Kosovës, i lindur në Llukë të epërme të Deçanit, më 5 maj 1910. Në rininë e tij u këndoi heronjve shqiptarë, të bëmave të tyre, dhe këngë arshikije në odat e Dukagjinit. Në vitin 1956 ai u detyrua ta lëshoj vendin si shumë të tjerë, duke u ikur përndjekjeve të projektit famëkeq “mbledhja e armëve” të Rankoviçit. Në rastin e Dervish Shaqes merrej si shkas se posedonte armë, por shkaku ishte tek kënga e tij dhe veprimtaria kulturore.

Pasi që u detyrua të merrte rrugën për në Shqipëri, përmes bjeshkëve perëndimore kosovare, ai u vendos në Rashbull.

Dalja në Shqipëri pritej të ishte e ngrohtë, për arsye se sipas disa kujtimeve të pasardhësve të tij (Dervishi kishte vizituar shpesh Tiranën në kohën e Mbretit Zog). Por, nuk doli siç pritej. Një kalim i tillë i kufirit shqiptaro-shqiptar ishte ilegal në atë kohë komunizmi.

Kështu, duke e veneruar situatën dhe vuajtjen e popullit shqiptar, nën diktaturën e Enver Hoxhës, ai i vajtonte në formë baladiste, shkruante tekste vet, gjithmonë duke mbajtur në kuptim të zhdrejtë mendimin e tij.

Njëra ndër këngët më të famshme e shkruar dhe e kënduar nga Dervish Shaqa ishte: “Kur ta kthym moj Kosovë shpinën, e lam’ borë e gjetëm dimën”. Kënga vazhdon edhe me disa vargje të tjera përshkruese të aktualitetit të atëhershëm në Shqipëri, si: “Gjetëm shkret, moqal e kneta, buk’ e lot na shkojke jeta”.

Nëse bëjmë analizë të përgjithshme të këngës, është një thirrje për venerim të gjendjes aktuale, gjithmonë duke e fshehur nën hijen e vargjeve, për arsye se atëherë dënohej rëndë kritika ndaj partisë dhe sistemit komunist.

Vargu që unë kam zgjedhur ta komentoj më shumë është vargu: “Dridhen telat e sharkisë, për mej knu’ demokracisë”. Ky varg shpeshherë është kënduar edhe në mënyrën tjetër, për arsye sigurie të autorit nga regjimi i atëhershëm, për çka pothuajse shumica e incizimeve e kanë këtë mënyrë: “Dridhen telat e sharkisë, e ardhmja jonë n’dorë t’partisë”. Por, vargu origjinal është mënyra e parë.

Fjala “demokracisë” jo rastësisht është e vënë aty. Dervish Shaqa e njihte këtë regjim politik (edhe pse nuk kishte përfunduar shkollë, por uni për lirinë e mendimit do shtynte secilin të lexonte dhe të fiqironte për këtë gjë), ku thirrej shpesh herë partia komuniste si përkrahëse e demokracisë popullore; ku populli vendos dhe është pronar i gjithçkasë; ku nuk ka toka private; duke u mbështetur në parimin “nga secili sipas mundësive, gjithsecili aq sa i nevojitet”, gjithçka mëtohej se ishte dhe i takonte popullit...

Por, ky regjim cili funksiononte vetëm në teori, sepse në praktikë nuk ishte gjithçka e popullit. Partia komuniste ishte ajo më e larta, autoritativja, që kishte të gjithë pushtetin politik në dorë dhe manifestonte “vullnetin e përgjithshëm” sipas gjykimit të udhëheqësit. Por, këtë, Shaqa dhe autorë të tjerë nuk guxonin ta shprehnin kurrë në vargje të këngëve të tyre. Nganjëherë, i përzienin idetë me vargjet në të cilat i këndonin edhe vet Enverit, që të mos i merrte në sy të keq. Rast konkret është në t’njëjtën këngë, ku lëvdohet partia. Autori i qaset me këtë varg: “O ç’ke ba parti për ne, as kërkush nuk e ban mbi dhe”. Po ashtu, ka raste të tjera kur autori i këndon “zhvillimit të hovshëm të bujqësisë dhe industrisë” në Shqipëri!

Vargjet e Dervish Shaqës na paraqesin mendimin e mbyllur të popullit shqiptar, i ngërthyer nga diktatura dhe dëshirën për të pasur atë që u premtohej teorikisht, demagogjikisht, por nuk realizohej në praktikë. Populli nuk kishte të drejtë ta kërkojë lirinë që garantohet me demokraci, por të kënaqej me atë që kishte dhe të mos kërkonte më shumë.

Në anën tjetër ai shpjegoi edhe shkret’hanën që e la në Kosovën e pushtuar, ku si pasoj ishte edhe arratia e tij në Shqipëri. Përmbajtja e saj plot simbolikë dhe e figurshme për kohën kur u këndua, hap shtigjet e analizave më dimensionale të rrethanave dhe rrjedhave politiko-shoqërore të viteve pesëdhjetë e tutje në Kosovë dhe Shqipëri.

Skamjen, zhgënjimin, vuajtjen e tij i shkruan në frymën polimiste. Komentuesit e atëhershëm e “hëngrën” ndryshe, pasi rapsodi i mbuloi me mjeshtëri mendimet e tij me vargje “zbukuruese”.

Në vargun e tij “ je si bari nëpër livadhe, je si ortek që bjen prej mali”, autori e mban pozitën e tij abstrakte: nuk përcakton referimin e tij, por duke i lexuar vargjet e mëvonshme na lë të kuptojmë se e vajton popullin për atë se çka i ka kanë dhe na e bën me dije sistemin diktatorial në Shqipëri.

“Bari i livadheve” nëse nuk kositet ai të pështillet nëpër këmbë si bollëzat e vogla dhe nuk të lë të vazhdosh tutje, kurse “orteku” kur bie prej mali, ai merr çdo gjë që ka përpara. Kjo na shpjegon kontrollin rrëqethës që kishte partia atëbotë mbi popull.

Populli shqiptar nuk kishte as lirinë e tubimit kundër një çështjeje brengosëse për ta, që njihet si ndër parimet kryesore demokratike. Pra, në njërën anë agresori serb në Kosovë, në tjetrën anë Shqipëria nën diktaturë, nuk lejonin që populli të zhvillohej aq shumë sa të kërkonte të drejtat e tyre. Madje, për disa ia arriti që të ishte e mirë, me metodat e tyre, si ajo ku komunizmi kishte qasje edhe në kategoritë që ndërtonin identitetin shqiptar; ku arriti që në disa kahe të manipulonte edhe me historinë e vendit duke e kthyer atë siç i konvenonte partisë dhe regjimit komunist, duke aluduar aty se Partia Komuniste bëri “bashkimin e popullit për të mirën e gjithmbarshme” (sikur personazhe të njohura historike shqiptare shekuj më herët).

Por, për masën e përgjithshme ishte shumë e egër, duke ndalur zhvillimin kulturor të tyre, deri në atë masë sa edhe të drejtën e besimit e ka ndaluar, me arsyen se mos zhvillohet ndonjë kryengritje apo diçka e tillë.

Këndej themi se “n’daç me rujt dashin pa u zhvillue, pa u shëndoshë, tregoi herë pas here lëkurën e ujkut”.

“Kur ta kthym moj Kosovë shpinën, e lam borë e gjetëm dimën”... thonë shumë, një të vërtetë: Kosova dhe Shqipëria ishin pothuajse të njëjta, të ftohta. Bora e ftohtë dhe dimri i ftohtë. Ikën nga një i ftohtë (Kosova nën Serbi) e erdhën në një të ftohtë tjetër (Shqipëria nën diktaturë).

Njeriu vuan nga gjendja shpirtërore më shumë se ajo ekonomike. Në Shqipëri ishte dimër, ku ishte ngrirë edhe fjala e lirë. Dimri është me ngrica e acare, ndërsa bora është më e butë, shkrihet më shpejt. Sipas përvojës popullore, dimrin e bënë ngrica e acari dhe jo bora. Dimri ka acarin, me shumë akull, më shumë “mraz”, kurse bora s’të lë me ecë, të bllokon, është e ftohtë, por nuk të bënë dëme më të mëdha. Dimri të mërdhinë, nuk të lë të zësh vend.

Kosova dhe Shqipëria e kohës pasqyrohen në këto dy fjalë: “E lamë borë, e gjetëm dimën”. Populli thotë: “Shi e borë raftë, dimën mos u baftë, e të dyja vera i nxaftë”!

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.