Sfidat e të drejtave të njeriut në Kosovë

22:18 / 15.12.2012

Sot Kosova në fushën e të drejtave të njeriut është më mirë se çdoherë në historinë e saj. Sidoqoftë ky konstatim mbetet i tillë vetëm në raport me të kaluarën. Duke qenë se synimet tona janë që të arrijmë shtetet më të zhvilluara demokratike në të gjitha fushat, atëherë, mund të themi, se përkundër përparimeve që ne kemi bërë në fushën e të drejtave të njeriut si në planin e rregullimit të tyre legal, e po ashtu edhe në zbatimin e tyre, ne ende jemi larg standardeve të aplikuara nga shtetet me një demokraci të zhvilluar dhe sundim të funksional të ligjit.

Në një shtet të ri si Kosova, e dal nga lufta, dhe me një proces të vështirë shtet-ndërtimi si dhe me një të kaluar ku të drejtat e njeriut janë shkelur në mënyrë masovike, këto vështirësi edhe mund të kuptohen. Për më tepër pamundësia e Kosovës që të jetë pjesë e organizmave ndërkombëtarë që mbrojnë të drejtat e njeriut si OKB, Këshilli i Evropës, OSBE etj. është gjithashtu element që ndikon në situatën në të cilën gjenden të drejtat e njeriut në Kosovë. Sidoqoftë shtrohet nevoja e identifikimit të problemeve, në mënyrë që ato të zgjidhen. Janë të shumta fushat në të cilat paraqiten probleme të respektimit të të drejtave të njeriut, por unë do të ndalem në disa që realisht janë peng edhe i kontekstit politik të Kosovës.

Kosova dhe qytetarët e saj gjenden në një situatë absurde në raport me sistemin evropian të të drejtave të njeriut, që është i ndërtuar kryesisht rreth Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut si instanca e fundit legale që garanton respektimin dhe interpretimin e të drejtave të përcaktuara në këtë Konventë. Gjykata si mjeti i fundit juridik në Evropë të cilës mund t’i drejtohen të gjithë qytetarët e shteteve që janë anëtare të Këshillit të Evropës, në rast se konsiderojnë se institucionet publike u kanë shkelur të drejtat dhe nëse i kanë plotësuar kushtet për të aplikuar.

Siç dihet, vendimet e kësaj gjykate janë të obligative të zbatohen në të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës (sepse të gjitha ato e kanë pranuar juridiksionin e Gjykatës) dhe kjo është një ndër arsyet që e bën këtë sistem të të drejtave të njeriut më efikas se sistemet e tjera rajonale (vendimet e saj ndonëse jo gjithnjë me dëshirë i kanë zbatuar edhe shtetet si Rusia, Franca, Britania e Madhe, Turqia etj.). Ndonëse shteti i Kosovës, përmes Kushtetutës, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut e ka pjesë të sistemit të vetë juridik, qytetarët e saj, si bartës të të drejtave nuk mund të përfitojnë nga ky sistem. Kjo ndodh sepse Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës dhe rrjedhimisht qytetarët e saj nuk mund të aplikojnë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat të Njeriut, në rast se ata e konsiderojnë se u janë shkelur të drejtat nga institucionet publike.

Kjo mungesë qasjeje në Strasburg, ndikon në dy drejtime në cilësinë e dobët të të drejtave të njeriut në Kosovë. Së pari, në mënyrë të drejtpërdrejtë pësojnë qytetarët. Ata duke mos pasur mundësi të ankohen në Strasburg, nuk mund të shfrytëzuar as përparësitë e sistemit evropian të të drejtave të njeriut, që në rast të shkeljeve t’u riparohet padrejtësia dhe dëmi i shkaktuar nga shkelja e një të drejte specifike të garantuar me Konventë.

Dëmi tjetër nga i cili pësojnë edhe qytetarët por edhe vetë sistemi ynë gjyqësor, dhe administrata publike, e që ka rol të drejtpërdrejtë në respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit, lidhet me faktin se qytetarët mbeten nën mëshirën e gjykatave dhe administratës publike vendore, të cilat duke mos pasur frikën se vendimet e tyre mund të apelohen përtej Gjykatës Kushtetuese (kur është fjala për të drejtat e njeriut), nuk brengosen të rrisin cilësinë e performancës së tyre në fushën e vendimmarrjeve në frymën e praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Pra duke mos qenë pjesë e këtij sistemi, dhe duke mos pasur “frikën” se aktgjykimet e tyre do të rrëzohen në Strasburg, gjykatësit tanë nuk e shohin të nevojshme të rrisin performancën e tyre në frymën e praktikës gjyqësore të Strasburgut.

Rrjedhimisht, njohuritë e gjykatësve tanë (dhe aq më tepër administratës) për praktikën gjyqësore të Strasburgut dhe interpretimin e Konventës janë shumë modeste. Kështu, duke qenë i izoluar nga sistemi evropiane i të drejtave të njeriut, sistemi ynë gjyqësor performon larg më dobët, sesa që do të kishte performuar në rast se do të ishte pjesë e këtij sistemi, për shkak se kontaktet e sistemit tonë do të ishin zyrtare me Strasburgun, gjë që do të ngrite kapacitetet tona profesionale (në këtë rast Kosova do të kishte gjyqtarin e vetë, ekipin e tij, si dhe përfaqësuesit diplomatik në Këshillin e Evropës, si dhe qytetarët e Kosovës do të dërgonin raste në Strasburg, të cilat do të krijonin juristë të specializuar e avokatë që do ta njihnin këtë sistem dhe posaçërisht praktikën gjyqësore të Strasburgut).

Të marrim një shembull i sesi sistemi evropian i të drejtave të njeriut do të ndikonte në përmirësimin e gjendjes. Në të gjitha raportet ndërkombëtare dhe vendore, por edhe nga vetë përvoja e përditshme e qytetarëve të Kosovës, del se zvarritja e proceseve gjyqësore nga gjykatat tona, paraqet një ndër shkeljet më të shpeshta të të drejtave të njeriut. Ashtu siç tregon përvoja e vendeve të rajonit, por edhe të shteteve të tjera të Këshillit të Evropës, sigurisht edhe nga Kosova shumë raste do të dërgoheshin në Strasburg e të cilat do të kishin për bazë të ankesës mu zvarritjen e rasteve në gjykatat tona.

Vendimet të cilat do t’i konstatonin shkeljet e gjykatave tona, do të ndikonin domosdo në ngritjen e efikasitetit të punës së tyre në rastet e tjera. Sidoqoftë ndonëse pjesëmarrja në sistemin evropian të të drejtave të njeriut, prek mirëqenien e përditshme të qytetarit, liritë dhe të drejtat e tij, por edhe vetë funksionimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, ajo realisht është e ndikuar nga politika. Andaj i mbetet qeverisë dhe të gjitha institucioneve shtetërore dhe jo-shtetërore që të punojnë që Kosova të pranohet sa më shpejtë në Këshillin e Evropës (në planin procedural Kosova i ka numrat e duhur për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës).

Shpesh dëgjohen qeveritarët e Kosovës duke u lavdëruar me Kushtetutën e Kosovës dhe me faktin se ajo në planin e të drejtave të njeriut është ndër kushtetutat më të avancuara Evropë. Përtej problemeve të shumta që Kushtetua ka sa i përket përmbajtjes së shtetit që ka ndërtuar, në planin e të drejtave civile dhe politike dhe aplikimit të dokumenteve ndërkombëtare të kësaj fushe, është e vërtetë se ajo është mjaft e avancuar.

Sidoqoftë, kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër e medaljes ka të bëjë me mungesën e instrumenteve për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore në nenin 22 të Kushtetutës ku janë listuar instrumentet ndërkombëtare nga fusha e të drejtave të njeriut që cilat janë drejtpërdrejtë të aplikueshme në Kosovë (në këtë nen janë listuar 8 dokumente ndërkombëtare kryesisht të natyrës civile dhe politike). Ndër dokumentet që mungojnë janë Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore dhe Karta Sociale Evropiane. Ndërsa nga 31 të drejta të garantuara në Kapitullin e Dytë të Kushtetutës vetëm katër kanë karakter ekonomik, social e kulturor dhe njëra i takon të drejtave të solidaritetit (mbrojtja e ambientit).

Mungesa e këtyre të drejtave dhe sidomos i instrumenteve ndërkombëtare që garantojnë të drejtat ekonomike dhe sociale, është kritikuar vazhdimisht, dhe asnjëherë deri më tani nuk ka pasur një sqarim pse ato nuk janë pjesë e Kushtetutës së Kosovës (ashtu siç nuk kanë qenë as pjesë e Kornizës Kushtetuese). Nën zë, është pohuar se pasi karakteri i këtyre të drejtave është pozitiv, që nënkupton se ato realizohen me ndërhyrjen e shtetit, dhe faktit se kjo ndërhyrje në shumë raste ka implikime financiare, nga frika e rritjes së obligimeve financiare të shtetit të Kosovës, përfshirja e këtyre instrumenteve ndërkombëtare në kushtetutë është shmangur.

Njohësit e të drejtave të njeriut, si dhe profesionistët e fushës legale, e din se karakteri i këtyre të drejtave përveç se është pozitiv, që kërkon ndërhyrjen e shtetit dhe rrjedhimisht mbart edhe detyrime financiare, këto të drejta zbatohen në mënyrë progresive. Pra edhe në bazë të dokumenteve ndërkombëtare, shtetet, kur i ratifikojnë këto traktate, dhe marrin obligim për t’i zbatuar, zbatimin e bëjnë në mënyrë progresive, në varësi të gjendjes ekonomike dhe mundësive buxhetore të vendit. Andaj arsyetimit financiar nuk qëndron, dhe do të duhej që në këtë drejtim, me një presion më të madh nga shoqëria civile dhe bota akademike, por pse jo edhe nga politika, të fillojë procesi i ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës, për të përfshirë edhe këto instrumente ndërkombëtare, të cilat do të krijonin kushte për një mbrojtje më të mirë të të drejtave ekonomike dhe sociale të shtresave më të brishta të shoqërisë.

Institucioni i Avokatit të Popullit ndonëse në mandatin e tij, nuk ka fuqi ekzekutive, kushtetuta dhe ligji i jep autoritet në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ky institucion obligim primar ka të trajtojë dhe hetojë rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut të qytetarëve nga këto institucionet publike dhe të rekomandojë zgjidhjen e çështjeve në dobi të qytetarëve në rast se gjenden shkeljet.

Në pamje të parë krijohet përshtypja se ky institucion është një opozitë e administratës dhe sidomos e çdo qeverie të vendit. Në të vërtetë duke qenë një institucion shtetëror i pavarur, i krijuar nga Kushtetuta, ky institucion në mënyrë permanente duhet të ndërmjetësojë në mes të qytetarit dhe gjykatave, administratës, policisë, në mënyrë që të drejtat e shkelura të riparohen pas ndërhyrjes së tij.

Në këtë drejtim, raportet e ngrira në mes të qeverisë së vendit dhe Institucionit të Avokatit të Popullit, që kanë mbretëruar viteve të fundit, e kanë dëmtuar jashtëzakonisht shumë funksionimin e duhur të këtij institucioni, efikasitetin e punës së tij, por edhe autoritetin e tij publik. Për të pasur një cilësi më të madhe të zbatimit të të drejtave të njeriut të garantuara me ligj dhe Kushtetutë, Institucioni i Avokatit të Popullit, nuk duhet të bllokohet dhe nënçmohet nga politika, por të ndihmohet dhe përkrahet. Në këtë drejtim shtrohet edhe nevoja që mediat, shoqëria civile, aktivistët e të drejtave të njeriut, politika si dhe vetë institucioni të bëjnë presion tek institucionet qeveritare që puna dhe misioni i Institucionit të Avokatit të Popullit të merret seriozisht.

Dhe, në këtë kontekst bartësi i të drejtave dhe atij të cilit më së shumti i shkelen ato, qytetari, duhet të fillojë të jetë më aktiv në realizimin e të drejtave të tij. Qytetaria aktive arrihet mbi të gjitha duke njohur të drejtat dhe mekanizmat me të cilat mbrohen apo kërkohet zbatimi i tyre. Sa më shumë njohuri që qytetari do të ketë për të drejtat e tij, aq më aktiv do të jetë ai në synimin për të realizuar ato. Duke qenë aktiv, ai do të bëjë presion në sistemin juridik dhe administrativ që të performojë më mirë në fushën e të drejtave të njeriut. Një qytetar aktiv, krijon qytetari aktive, e cila rezulton edhe në organizim qytetar, që mund të marrë karakter të organizimit në shoqërinë civile, apo edhe në politikë, por që ndikimi i tij pozitiv është i pashmangshëm në realizimin e të drejtave të njeriut të garantuara me standardet ndërkombëtare dhe vendore.

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.