Serbia, për njëqind vjet nuk e arriti pacifikimin e tokave shqiptare

23:14 / 16.12.2012

Menjëherë pas themelimit të mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, në vitin 1919 Serbia u ballafaqua me kryengritjen shqiptare në Dukagjin. Më se dhjetëmijë shqiptarë të këtij territori iu kundërvunë hegjemonizmit serb. Një vit më vonë kryengritjet shqiptare për liri shpërthyen në Drenicë e Llap. Çeta e Azem Galicës operonte në një territor të gjerë dhe për këtë luftë po shkruante edhe shtypi i huaj. Në atë kohë ishin publikuar shënime për territore të lira në zemër të Kosovës dhe ato po njiheshin me emrin Republika e Drenicës.

Serbia po përpiqej t’i shuaj me gjak të gjitha këto kryengritje. Në rajonin e Llapit ushtria dhe xhandarmeria serbe, në emër të luftës kundër njësive kaçake, vrau së paku njëmijë civilë të moshave të ndryshme, pa dallim gjinie.

Njëfarë pacifikimi i Kosovës thuhet se u arrit gjatë vitit 1924, pas vrasjes së Bajram Currit nga Juniku (territori i cili deri në atë kohë pati njëfarë statusi neutral ndërmjet Mbretërisë SKS dhe Shqipërisë). Likuidimi i Bajram Currit ishte bërë me plan. Duke parë se qeveria e Fan Nolit po furnizohej me vullnetarë të shumtë nga Kosova, Serbia, në bashkëpunim me Ahmet Zogun, planifikoi dhe vrau Plakun e Maleve. Pas kësaj vrasjeje merr fund edhe ekzistenca e zonës neutrale të Junikut.

Plani i SKS-së që përmes serbëve lokalë në Kosovë të ushtronte lloj-lloj dhune, shtonte revoltën e shumicës shqiptare. Xhandarmeria e cila nuk po ia dilte të asgjësoj kryengritësit shqiptarë, po vriste, dënonte dhe internonte në mënyrë masive familjet e tyre. Shqiptarëve madje iu ndalua çdo lëvizje nga një vend në tjetrin. Në Kosovë faktikisht ishte aplikuar gjendja e shtetrrethimit.

Nga përshkrimet e serbit Dragisha Vasiq, i cili njihte mirë Shqipërinë veriore dhe cili kishte qëndruar në këto treva gjatë Luftës së parë Botërore, më 1920 u dërgua na aksionin e pacifikimit të territoreve shqiptare. Vasiqi, duke ditur më mirë rrethanat reale në terren, nga viti 1921 deri me 1936 në shumë procese gjyqësore mbrojti komunistët si avokatë i tyre. I njëjti, gjatë Luftës së Dytë Botërore, shërbeu si këshilltar i kryeçetnikut Drazha Mihailoviq.

Serbia u përpoq të pacifikojë shqiptarët veçanërisht në rajonin ndërmjet Kukësit dhe Prizrenit, në thellësi të territoreve shqiptare. Vet Vasiqi kishte shkruar atëherë se “fshatrat nëpër të cilat kaluam ishin të zbrazëta pasi që, ditë më parë ato ishin djegur nga artileria serbe, por aty-këtu shihej tym, gjë që dëshmonte se kanë mbetur ende njerëz të gjallë”. Nga ekspeditat serbe ishin kursyer vetëm të ashtuquajturit “Poverenikët” (të besueshmit e Serbisë).

Gjatë asaj ekspedite, një shqiptar e kishte shoqëruar Vasiqin. Nga biseda e tij me shoqëruesin, Vasiqi shënon edhe hollësi.

Vasiqi e pyet përcjellësin shqiptar se nga mund të kenë shkuar njerëzit që kanë mbetur të gjallë? Shqiptari i përgjigjet: “Ata nuk shpëtojnë dot, edhe ashtu do të vdesin nëpër humnera”.

Po ashtu, ai shkruan se një ditë kishte parë me sytë e tij se si po e dërgonin një shqiptar për ta pushkatuar dhe shton me bindje se ky nuk ishte rast i vetëm.

Dhuna e ushtrisë okupuese nuk u solli asnjë të mirë banorëve lokalë, megjithëse arsyetohej qëllimi. Nga gjithë ajo katrahurë përfitonin përkohësisht vetëm renegatët dhe të ashtuquajturit politikanë lokalë.

Pasi ishte kthyer në Prizren dhe pasi kishte parë me sytë e tij shumë krime, Vasiqi, gjatë një bisede krejt naive, pyet se pse nuk protestohet kundër kësaj dhune? Një banor lokal i përkatësisë etnike turke i përgjigjet me ironi: “Këtu të protestojmë”? Madje Vasiqi shkruan edhe për vrasjet e serbëve të cilët nuk mendonin si pushteti.

Partia serbe në pushtet kurdiste vrasje të serbëve për të pastruar çdo mendim ndryshe dhe për të pasur alibi për vrasjen e shqiptarëve. Pse bëhej kjo, thotë Vasiqi, dihet se në bazë të paragrafit 85 të një ligji të aprovuar asaj kohe, duhet të përfitoheshin njerëz për partinë.

Duke u kthyer në shtëpi, oficeri serb kishte pyetur vetë vetën dhe kishte shkruar: “Po mendoj për atë Shqipëri fatkeqe, e cila edhe për një kohë të gjatë do të mbetet varri dhe turp i ynë. Ajo Shqipëri në të cilën tri herë kam parë krime të tmerrshme, fiset e të cilës përpiqemi t’i përçajmë për të sunduar. Shqipëria, Siberia jonë e ftoftë e cila ka domethënien e tokës së premtuar për zyrtarët e korruptuar të cilët prej andej kthehen të pasur, ndërsa atje vriten ushtarë dhe oficerë të mrekullueshëm serbë të cilët pa vetëdije bëhen mbrojtës të plaçkitësve dhe krimineleve pushtetmbajtës”.

Pas i filloi kolonizimin e viseve shqiptare, Serbia në fazën e parë kolonëve ua ndau 112 mijë hektarë tokë, nga të cilat vetëm Nikolla Pashiqi, në afërsi të Tyrbes së Sulltan Muratit, mori 3000 hektarë, shkruan Gjorgje Kërstiq në një shënim të gjerë më 1928.

Kolonizimi kaloi nëpër tri faza. Nga viti 1919-1920 u vendosën vetëm disa qindra familje kolonësh dhe secili mori tokë aq sa dëshiroi. Sipas një ligji, deri ne vitin 1931 tokë morën edhe 12 mijë familje. Ndërsa, u formuan 374 vendbanime

Në etapën e dytë të kolonizimit, toka e shqiptarëve kryesisht nuk u prek. Në etapën e tretë, nga viti 1931 deri me 1941,shqiptarëve iu mor gjithë toka pjellore. Ky plan u zbatua për t’i detyruar shqiptarët që të shpërngulen në Turqi. Në shkrimet e tij Vasiqi ankohet veçanërisht për mos unitetin e serbëve dhe ndarjet partiake që pengonin realizimin e suksesshëm të planit të kolonizimit.

De fakto, shqiptarëve toka filloi t’u merret që nga viti 1923.

Sipas shënimeve të Milovan Obradoviqit, nga viti 1924 e deri në vitin 1927, nga tokat e tyre u dëbuan pa kthim për Anadoll 32 mijë shqiptar. Me këto shifra mburrej vet prefekti i rrethit të Zveçanit, i cili ishte shkarkuar nga qeveria Beogradit për mos realizim detyre. Ai gjatë mbrojtjes së tij para akuzës për mos sukses në zbatimin e politikës së planifikuar të dhunës mbi shqiptarët, dha shumë fakte e shifra se çka kishte bërë për dëbimin e shqiptareve.

Prefekti i Zveçanit me mburrje deklaronte se kishte dëbuar 32 mijë shqiptarë për Turqi dhe gjashtë mijë për Shqipëri, ndërsa gjithë pronën dhe pasurinë e tyre e kishte konfiskuar, shkruan Milovan Obradoviq në studimin e tij për zbatim e reformës agrare serbe në Kosovë nga viti 1931 deri 1941.

Masa e gjerë popullore serbe nuk u informua kurrë për ngjarjet në terren. Propaganda serbe përmes mediave, si dikur si sot, nuk shkruan as edhe një fjalë të vetme për krimet serbe mbi popullatën e shqiptare. Sipas mediave të Beogradit, gjithnjë popujt tjerë janë fajtor për vuajtjet e serbëve.

P.S. Zveçani dhe gjithë rajoni verior i Kosovës, jo fort moti, ishin të populluara tërësisht me shqiptarë.
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.