Dija dhe konkurrenca, në kohë pa kohë!

20:02 / 17.12.2012

Vetëm ta mendojmë me sa mund e sa investime bëmë për t’i përfunduar studimet, të marrim tituj shkencor. E kur e bënë këtë në Prishtinë, në Gjermani, në Angli, në Austri, në universitetet elitare, shpresuam se me këtë përgatitje do të kontribuojmë për vetveten dhe shoqërinë. Por, që në start kuptuam se tregu i punës qenka një konkurrencë jo e denjët, një realitet i hidhur. Erdhëm në përfundim se gjithnjë po fitoekan ata më të “shkathtë“.

Të “shkathëtit” shfrytëzojnë vitaminën B dhe kapitalin social (lidhjet farefisnore, shokët, e shokët e shokëve, i bënë shokë ata që janë të fort e që mund të kryejnë punë). Kjo paska qenë Vitamina B. Lidhjet sociale apo kapitali social tashmë gjithnjë po fiton në peshë edhe në shoqërinë tonë. E kupton se jeta në kontekstin tonë shoqëror i paska do rregulla paradoksale. Duhet t’ju bindesh së pari këtyre lidhjeve, këtyre njerëzve (me pushtet dhe autoritet) e më pastaj do të vije diploma dhe autoriteti i saj.

Kapitali human në shoqërinë tonë fitohet edhe me hatër! Dhe, këtu njerëzit profesionin e klasifikojnë - barazi me idiotësinë! Megjithatë, kjo shoqëri na mësoi që nga fëmijëria me diskursin e saj moralizues se duhet të jem të sinqertë, të mësojmë mirë, të mos vjedhim, të mos kopjojmë, të mos gënjejmë, të mos shantazhojmë, të mos vrasim...

Ky moral popullor thotë se dijen, shkollimin (arsimimin) çdo individ duhet ta arrij përmes punës (mësimit) dhe aftësive të arritura e në saje të tyre të fitojë një diplomë me meritë. Falë këtij angazhimi, ne proletarët intelektualë me grada akademikësh kemi përvetësuar mirë teknikën e të bërit shkencë (më vështirë e kishin ata të cilët duhej ta bënin këtë në shtet të huaj, në gjuhë të huaj). Ne u bëmë njerëz naivë, besuam se duhet të studiojmë, jo vetëm për notë, por edhe për dije, dhe pas ca vitesh investimi, në dije, blemë libra dhe tash të pa punë ua fshimë “pëlhurën” çdo javë.

Ne, gjenerata naive, besuam shumë në ndershmëri, por në fund kuptuam se arsimimi nuk paska vlerë; në fund u penduam se financimi i kësaj katrahure, i kësaj ndërmarrjeje, me shumë sakrifica, nuk na doli mirë. Ose nuk ja vlejti fare të marrim grada shkencore, qoftë ajo nga shtetet perëndimore. Sot është koha dyshojmë në aftësitë e tona profesionale, qytetare dhe në vetë kërkesat e shoqërisë. Kush e vuri vallë në pyetje meritokracinë! Me siguri jo ata që ishin të inspiruar se dija do t’ju sjell kapital humanitar, monetar. Por, më vonë do të zhgënjehemi, me gjithë sfidat pse ne njerëzit e sinqertë i kryem detyrat, kryem obligimin të cilin na kish dhënë shoqëria dhe obligimin qe njeriu i jep vetes.

Më në fund e kuptuam se shoqëria nuk ta jep shpërblimin meritor: shoqëria të hyn në hak. Ne gjenerata e humbur edhe duke qenë në vend të huaj kemi ruajtur gjuhën shqipe, e kultivuam, ndoshta e lamë pas dore gjuhën e vendit ku studiuam, e kjo e fundit, ndoshta do të na kishte sjellë shumë më shumë të mira materiale, punë dhe famë, autoritet në shoqëri. Por, ne menduam në prejardhjen tonë dhe kthimin për të kontribuuar për vendin. Tani e kuptuam se nuk po na njeh kush vlerat; sikur i gjithë investimi që kemi bërë na shkoj huq. Na u vjetruan teoritë, tezat, memoria, pajisjet teknike, softueri, kompjuteri...

Vendosëm t´i nxjerrim në shitje të gjitha, t’i dërgojmë në muze, njëherë e përgjithmonë, edhe të pastrohem nga gjitha. Fakti se kemi mbetur me duar në xhepa, me gishta në gojë, na kaplon një ndjenjë zbrazëtie. Presim ndryshimin, presim mirënjohjen, por shoqëria nuk na kthen. Ajo nuk ka fytyrë; shoqëria është një kukull; një torzo. As shteti i ri nuk na njeh fare; ajo është bebe katërvjeçare, siç do të thoshte një diplomat gjerman. E shoqëria e këtij shteti nuk mund të na i përmbush obligimet. Ajo është vetëm një masë, e masa është fiksion. Njeriu që beson në norma të tilla kolektive jeton jashtë realitetit racional. Na duhet zgjim nga ankthi. Na duhet një revolucion moral dhe revolucion i këndelljes për tu kthyer tek vlerat, tek njerëzia. Duhet t’u japim fund ëndrrave të deritashme - syhapur. Duhet të bindemi, sa naivë kemi qenë, pse kemi ecur drejt... si robotë, të depresuar, pse kemi besuar në drejtësi, në etikë dhe moral të profesionit që zgjodhëm.

Për ta fituar bukën e gojës, për ta siguruar ekzistencën, ne bijtë proletarë jemi të detyruar të punojmë si piratë, sepse gjithmonë është dikush para nesh që na zë vendin në profesionin tonë. Nuk thuhet kot: “Vetëm më të mirët fitojnë” ose “Kush vonohet e ndëshkon jeta”!

Ne besojmë se jemi të dëlirë, shpirtmirë si engjëlli, fillojnë akuzat ndaj të tjerëve dhe ndaj vetvetes. Të mirët, të aftët kanë lindur para ose mbas nesh, ata nuk kanë besuar verbërisht në vlerat e shoqërisë, në nota dhe në sistem vlerash. Ata nuk njohin teorinë e sistemeve, vlerat, dogmën e meritokracisë. Ata njohin vetveten, ata njohin paradoksin, njohin shkollën e natës (shkollën sherrit). I kanë dhënë asaj më shumë rëndësi, e kanë kultivuar bashkë me shokët e tyre dhe ja zgjasin jetën tutje (edhe për brezat që do vijnë)!

Këto vlera i urrejmë, po nuk mund t’i luftojmë vetëm. Na duhet një armatë e tërë. Këto vlera janë si lulet e egra, andaj e urrejmë kultivimin e barit të keq që na rritet në kalldrëm e në shkallë, në prag e nën tra të shtëpive. Bari i keq është barazi me norma informale: lulëzon aty ku nuk e ka vendin.

Tek kultura e rritjes së barit të keq lejohet çdo informalitet dhe askush nuk na pyet për mënyrat. Vlerësohet akti i tij final. Ata më të “mirët” janë si bari i keq, njëkohësisht janë një brishtësi në vete. Ata arrijnë kudo, janë si hije, kanë forcë, kanë guxim, kane vrazhdësi, nuk njohin mëshirë, ecin edhe mbi kufoma, vetëm të jenë të parët! Ne të urtit me diploma e tituj meritor jemi të marrë pse nuk kemi marrë (mësim) nga shkolla e tyre! Ata janë të gjindshëm. Ata nuk janë naivë. Ata nuk kanë investuar djersë dhe vite të tëra studimi. Ata janë në vendin e merituar, mësojnë duke punuar! Ne të tjerët, meritorët, të sinqertë, me shpresë nuk mund t’i nxëmë më kurrë lakejt edhe pse besojmë në drejtësi, në vlera në konkurrencën e ndershme. Kjo nuk na sjell asgjë. Na sjell vetëm përçmimin nga shoqëria, lloj-lloj epitafi dhe izolim.

Por, ne na mban shpresa, ne nuk i ndahemi dijes. I kemi dhënë vetes mundimin, një kërcim nga lartësia drejt specializimit tutje deri në kotësi dhe çmendje, në teoritizim të gjithëçkaje që na rrethon. Dhe vazhdojmë rrugën tonë ideale, duke besuar në vlera që dikur i kemi fiksuar në mbamendjen tonë kur Kosova nuk kishte kuadro, kur vlerësohej intelektuali dhe respektohej nga të gjithë; kur atij i bëhej vend kudo në institucione dhe pritej si prijës. Ne akoma nuk e kemi humbur shpresën dhe vazhdojmë të lexojmë libra dhe detyrimisht freskimi i dijes na është bërë pjesë e jetës sonë. Ne nuk mund të rrimë pa lexuar, pa hulumtuar. Sepse dija mund të jetë edhe autoritet dhe pushtet, edhe pse e dimë se ajo ka afekt vetëm atëherë kur ta njeh shoqëria.

Deri sa të ndodh kjo ne merremi me filozofinë e profesionit dhe thellohemi thellë e më thellë në dije. Por, vuajtja dhe sakrifica e nxënies së dijes duhet ta ketë një fund. Nxënia e dijes mund të dhurojë edhe ndjesi. Mendojmë se jemi të lumtur, sepse jemi bërë filozofë, dhe siç do të thotë një fjalë e urtë e një dijetari: “Të bëhesh filozof në jetë do të thotë të jesh i lumtur, përkundër jetës materiale që nuk e kemi askund si duhet”. Pra jemi bërë proletarë... Por, gjerat materiale si gjithnjë janë gjëra që treten, e dija,kurrsesi! Besimi dhe iluzioni na mashtrojnë, ashtu si jeta dhe vizioni për të ardhmen!
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.