Zona e errtë e lirisë!

13:14 / 19.12.2012

Partia Informative e Kosovës e themeloi së fundmi edhe sektorin për Agjitacion edhe Propagandë, me emrin e koduar BIP. Me siguri po e dekodoni shpejtë për çka është fjala. Sipas përshkrimit të vet të punës, ky sektor merret me sharje publike të nënave, etiketime, shantazhe publike, grindje në TV, internet e deri në rresht në supermarket.

Ky njësit special, arma e fundit e terrorizmit verbal shtetëror, është formuar me qëllim që të sulmojë në baza personale dhe të dekurajojë të gjithë kritikët e qeverisë, qoftë nga opozita apo shoqëria civile, duke i shndërruar krejt këto në një argëtim për publikun. Me e zhvendosë vëmendjen prej skandaleve dhe krimeve! Për me ecë karvani!

Njëherë, mendova vet me vete, çka ka lidhje! Por, u bana vesves. Qysh mos me u ba vesves? Ky vend qeveriset nga një parti, ku kreu, trupi dhe bishti i një shërbimi informativ të dyshuar për shumëçka e përbënë boshtin e sajë kurrizorë. Ky shërbim-parti kishte hyrë edhe deri në brekët e tona!

Këtë e vërteton edhe kryeministri, nga foltorja e Parlamentit, derisa po ia përmendte një deputeti vendin dhe kohën kur ai ishte lagë. Tash është krejt e diskutueshme a ishte lagur deputeti apo jo. Madje, kjo edhe mund të jetë e vërtetë, por kryeministri duhet të ofrojë fakte. Duhet të tregojë se kush i ka prekë brekët e deputetit për të siguruar prova materiale. Kryeministri vet, apo në bashkëpunim me sektorin përkatës të Partisë Informative të Kosovës? Pastaj shtrohet pyetja, sa ligjore e aq morale: a ka të drejtë Kryeministri të përdorë të dhënat nga dosjet sekrete, për brekët, çorapet apo nënkëmishët tona të hedhura në shportë për pastrim?

Ata, politikanët e sotëm, derisa e udhëhiqnin shërbimin ishin deklaruar si krejtësisht neutral partiakisht. Natyrisht, pas “shpërbërjes” krejt rastësisht u gjetën të gjithë në një parti. Njeriu i dytë, i tretë, deri te i 900-ti... Partia i (zh)vendosi në pozicione kyçe të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike aty ku merren vendimet dhe ndahen paret. Së fundi, partisë iu bashkëngjitë edhe një anëtar i thjesht, si qershia mbi tortë, për të cilin qysh tash dihet se do të jetë njeriu i pare ose i dytë i Partisë Informative.

Thash, jam ba vesves! Gjithë po me duket qe dikush po na përgjon. Në vendin tonë të vogël sa një qytet evropian ku operojnë krejt-krejt nja 35 apo gjashtë shërbime inteligjente dhe një numër jo i vogël i atyre (jo)inteligjente, s’ke qare pa u mare me paranojën. Por, kah me ja nise more vëlla?!

Kur merremi me paranojën, duhet me ja nisë prej koke. E koka e qeverisë duket se ka ra në dëshpërim. Paraqitjet e fundit publike të tij mund t’i bëjë vetëm një i dëshpëruar! Për me i dhënë zemër vetes! Për me i mbulua me zhurmë gjitha punët e pista që po shplohen para qytetarëve!

Çka me ba me ty, Hashim? Qysh me të ruajt prej vetvetes dhe asaj çka krijove? A do të gjesh forcë të kthehesh në opozitë e të rikthehesh në një politikan normal, pa e djegë sërish këtë vend? Apo, do me e mbajt, me çdo kusht?

Derisa po mëdyshesha, mos po ja fus kot, e hasa një shkrim të një gazete “antiamerikane” për të cilën keni dëgjuar të gjithë. “The New York Times” është gazeta më “antiamerikane” dhe njëkohësisht më “antikosovare”, për aq sa di unë. Ajo, në një artikull gjithëpërfshirës po e përmendte qeverinë tonë, bashkë me disa ish zyrtarë të lartë euro-amerikanë, bashkë me dyshime për përfshirje në një proces korruptiv të privatizimit në Kosovë. Po fliste për korporata globale dhe keqbërës lokal! Keq! Po fliste për çlirimtarë dhe biznesmen!

“Duket vulgare”, ka thënë për gazetën, ish gjenerali amerikan Schook! “Një çast je duke e çliruar një vend dhe në çastin tjetër mundohesh të sigurosh një tender”! Ai, tani është këshilltar i z. Haradinaj!

Edhe zonja Albright, pas lufte, ishte këshilltare speciale e kryetarit të bordit të IPKO, z. Akan Ismaili, tash ambasador i Kosovës në SHBA dhe Kanada! Kompania e saj, tash është kandidate për të privatizuar edhe kompaninë publike të telekomunikacionit.

Bashkimi Evropian dhe SHBA-të ishin faktorët pa të cilët sot Kosova nuk do të ishte e lirë.

Përpjekjet tona, të (pa)organizuara, sado të guximshme dukeshin, më tepër ishin si akte kamikazësh. Pa vullnetin politik të tyre dhe pa ndërhyrjen e tyre ushtarake, Kosova vështirë se do të mund të qonte në vend rrugën e filluar të lirisë dhe integrimeve. Jemi borxhlinj të përjetshëm popujve të këtyre vendeve. Përpos falënderimit për shpëtimin nga shfarosja fizike, falënderim i veçantë i dedikohet perspektivës evropiane dhe euro-atlantike të cilën e hapën me zemërgjerësi para nesh!

Por, klasa jonë politike mendon se ata mund dhe duhet edhe personalisht të shpërblehen edhe me tenderë! A nuk do të ishte ofendim për shtetin dhe qeverinë amerikane apo evropiane nëse ata nuk i paguajnë mjaftueshëm “pensionistët me merita” dhe dikush, në një shtet të varfër si i joni mendon t’i shpërblejë me tenderë korruptiv apo me çfarëdo favore të jashtëligjshme?

Disa mendojnë se e kanë hak! Duhet me ua dhënë tenderët! Por, gazeta prestigjioze “The New York Times” e sheh me dyshim moralin e tenderimeve ku paragjykohen publikisht fituesit.

Pak a shumë, qoftë prej opozitës, shoqërisë civile, por edhe organizatave ndërkombëtare, krejt procesi i privatizimit vihet nën dyshim. Vetëvrasja e kreut të Agjencionit për Privatizim krejt këto i bënë edhe më të trishtueshme.

Prandaj, faktori ndërkombëtar insiston se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është çelësi që hapë derën për BE! Por... një kolumne nuk i zë krejt këto!

Kosova e vogël ndodhet në udhëkryq. Disa politikanë me fuqi në këtë vend mendojnë se politika globale është punë korruptimi. Korrupto kryetarë shtetesh, korrupto ish perandori, dhe perandori aktuale, e ata do të mbajnë përjetësisht në pushtet. Do të mbulojnë të gjitha gabimet nga e kaluara, e tashmja, e madje edhe ato që do të bëhen në të ardhmen. Madje, disa mendojnë se duhet të korruptojmë më shumë se Serbia. Kjo, sipas tyre, është luftë në mes kapaciteteve korruptuese. Por, ne në asnjë moment nuk kemi qenë në pozitë të ofrojmë më shumë se Serbia!

Neve na përkrahën për shkak të parimeve… apo jo?!
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.