Këta duhet të shkojnë ose të japin llogari

16:48 / 20.12.2012

Niveli i hajnisë, i shfaqur në një rangim mbarëbotëror e kredibil, do të tmerronte çdo politikan mesatar, çdo investitor potencial, çdo studiues serioz e besa dhe çdo mik të vendit tonë. Për të filluar nga e para dhe më e rënda, pra rangimi i Indeksit të Percepsionit mbi Korrupsionin, them se ishte e dhimbshme të shihej se si Kosova ka ngecur në grupin e vendeve pak diktatoriale, pak fukara, pak hajgare e shumë të mjera. Të ngujuar në vendin e 105-të, në rang të njëjtë me një shtet si Mali, Bolivia, Somalia... Ne nuk jemi as më mirë se disa vende të Afrikës. A thua a e meriton këtë vendi ynë?

Edhe në vitin 2013 do të ndodhë i njëjti ritëm. Ne si popull s’u mësuam me lypë llogari; na u shanë edhe nënat nëpërmjet telefonit e disa dolën e thanë ne s’kemi frikë; disa thanë biseda shokësh. Nuk na u dha as udhërrëfyesi për viza. Ndërsa, Vlora Citaku dul duke u buzëqeshur në media dhe a e dini çka tha: Bashkimi Evropian i ka fajet; unë si ministre jam e hidhëruar me bashkimin Evropian. Po ku ndodh kjo në një vend demokratik?

Bashkimi Evropian qysh para shumë viteve i ka treguar kësaj qeverie: forcojeni ligjin, ndaleni korrupsionin, për t’ju dhënë udhërrëfyesin për viza. Mirëpo, kjo nuk ndodhi ngase një herë jemi të zënë me formimin e qeverisë së re dhe me zgjedhjet partiake që janë më me rëndësi sesa vet Kosova dhe populli i saj!

Parakusht i domosdoshëm për rritje ekonomike në çdo vend, e veçmas për Republikën e Kosovës, është qeverisja efektive e ndërlidhur me prioritetet e qarta në sferat në stabilitetin politik dhe sundimin e rendit dhe ligjit në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, administratë... në luftimin e dukurive negative, në politikën monetare, në integrimet politike ekonomike... Pra, të gjitha këto sfera ndikojnë drejtpërsëdrejti në rritjen ekonomike. Për shembull, pa stabilitet politik, akterë të së cilës janë subjektet politike dhe liderët e përgjegjshëm, të ndershëm e profesional, dhe pa sundimin e rendit e ligjit, nuk ka investime serioze - as afatshkurta e as afatgjata - as nga investitorët e brendshëm e as nga ato të jashtëm. Nga ky stabilitet politik e juridik varen edhe qëndrimet e organizatave ndërkombëtare politike e financiare, si dhe qëndrimet e vendeve të ndryshme.

Të gjithë kërkojnë shtete të forta, pra aty ku sundon rendi dhe ligji. Pa arsim cilësor në të gjitha nivelet, që ndërlidhet më nevojat momentale dhe të ardhme të punës në Kosovë dhe tregut të jashtëm të punës, nuk mund të ketë rritje ekonomike. Pa investime qeveritare të mirëfillta në infrastrukturë nuk ka rritje ekonomike. Vetëm me tenderë të pa korruptuar dhe me partneritet publiko-privat të mirëfilltë mund të krijohet infrastruktura për rritje ekonomike. Në të kundërtën, këto investime do të jenë të dështuara, me kualitete të dobëta dhe pengesë për rritje e zhvillim ekonomik. Dëmtim të buxhetit bëjnë edhe keqharxhimet në mallra dhe shpenzime. Mandej, kontrabanda, informaliteti, e dukuri tjera negative ndikojnë drejtpërdrejtë në mos rritjen ekonomike në thellimin e varfërisë.

Pa administrate efikase, teknikisht moderne, të përgjegjshme dhe te kontrolluar, nuk ka parakushte për investime e zbatim të politikave favorizuese për bizneset. Pa gjyqësor efikas, të pavarur nga politikat dhe presionet, i plotfuqishëm, nuk mund të ketë garanci ekonomike dhe rrjedhimisht as zhvillim ekonomik. Pa politikë të qartë makroekonomike, veçmas pa atë monetare, nuk mund të ndikohet në rritjen ekonomike. Pa Bankë Qendrore me të gjitha funksionet e saj dhe sistem të zhvilluar financiar nuk mund të mendohet zhvillimi ekonomik.

Qeveria e Kosovës nuk mund të krenohet pa rezultate konkrete në rritjen dhe zhvillimin ekonomik. Rritja ekonomike krijon parakushte për stabilitet dhe perspektivë në sferat tjera: rritjen e GDP-së dhe mirëqenien. Shteti me funksionet e tij bashkëkohore përmes politikave të tij duhet të shpërndajë minimumin e mirëqenies për të gjithë qytetarët, p.sh. siguria sociale, pensionale, sigurimi i arsimit cilësor, shëndetësor për të gjithë qytetarët... Andaj, veprim dhe sjellje patriotike e subjekteve politike dhe liderëve kosovarë është konsolidimi akoma më i madh dhe sa më i shpejtë i sferave të lartpërmendura me qëllimin kryesor rritjen zhvillimin ekonomik. E kundërta e kësaj do të sjellë dështime me pasoja të paparashikueshme.

Qeverisja e mirëfilltë demokratike forcon vlerat, moralin dhe kohezionin shoqëror për punë dhe zhvillim në të gjitha sferat, e veçmas atë ekonomik. Vetëm qeverisja e mirë dhe efikase largon qëllimet dhe pretendimet politike të armiqve të Kosovës; krijon imazh pozitiv dhe përkrahje ndërkombëtare. Pamundësia për ta qeverisur vetveten është një ndër faktorët që kombin shqiptar në përgjithësi, e tani shoqërinë kosovare në veçanti, e ka lënë në këtë gjendje që është. Pra, nuk janë fajtorë vetëm politikat vendimmarrëse ndërkombëtare dhe politikat grabitqare e okupuese të vendeve fqinje, por fajtorë jemi edhe ne vetë për pamundësinë për të qeverisur vetveten sipas standardeve të pranueshme të kohës.

Dihet se në këtë dobësi kanë ndikuar okupimi afatgjatë dhe mungesa e traditës, mirëpo ketë të metë duhet kuptuar, pranuar e tejkaluar sa ma shpejtë. Ngase, pa qeverisje të mirëfilltë demokratike e funksionale nuk ka as liri e as zhvillim ekonomik. Dhe rrjedhimisht, nuk mund të ketë as pranime e përkrahje ndërkombëtare. Nuk mund të ketë integrime politike e ekonomike, përderisa ne nuk jemi të aftë të qeverisim vetveten. Kështu do të ketë pretendime për ndikime negative nga jashtë, e veçmas nga politika serbe. Përgjegjësia morale, politike e juridike bie mbi subjektet politike liderët dhe votuesit.


 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.